Art & Deko by Erinda
Erinda Hoxha Veseli nga Tirana e ka nisur herët rrugën e
artit. Në fillim të viteve ’90, pas përfundimit të Liceut Artistik “Jordan
Misja”, ndoqi studimet në Universitetin e Arteve Tiranë, në degën “Skenografi /
Kostumografi”. Me përfundimin e shkollës iu përkushtua mësimëdhënies. Për 7
vite dha mësim në lëndën e Artit Figurativ pranë Kolegjit Turk “Turgut Özal”. Me kalimin e kohës, filloi të kuptonte që nuk ndihej
mjaftueshëm e përmbushur emocionalisht dhe profesionalisht. Pas shkëputjes nga
mësimdhënia, punoi në biznese private dhe për një vit u angazhua në një projekt
pranë ateliesë së Anila Zajmi Katanollit në Tiranë.
Që herët e sprovoi veten me krijimin e bizhuterive dhe
aksesorëve. Elementët që e frymëzojnë vazhdojnë të mbeten flora (lulet) dhe
fauna (flutura, pilivesa, bleta, etj). Më së shumti përdor materialet metal,
perla, gurë natyralë dhe materiale të ndryshme tekstile. Punimet e Erindës
karakterizohen nga asimetria, të cilën e përdor shpesh. Nuk do të vononte dita kur
krijimet e saj t’i ‘çertifikonte’ nën brandin “Art & Deko by Erinda” dhe tashmë
prej 4 vitesh punon në biznesin e saj.
Ideja fillestare për krijimin e “Art & Deko by Erinda” lindi
si nevojë e përshtatjes së profesionit fillestar si kostumografe me kërkesat e
tregut për aksesorë unikë. Kur përfundoi studimet, ajo që pritej nga një i
sapodiplomuar për skenografi ishte të punonte si skenograf apo kostumograf. Por
mundësitë e punësimit ishin të pakta. Profesione të tilla si Skenografia u
gjendën në vështirësi, pasi vendet e punës ishin gjithmonë e më të pakta. Kështu
që, si shumë ish-studentë të arteve, iu desh të bënte punë të tjera që nuk
kishin lidhje me studimet që kishte kryer.
Megjithatë, ndryshimet e mëdha që
ndodhën në ekonomi, sidomos në fushën e teknologjisë, hapën dyer të tjera dhe
krijuan mundësi të reja. Nëpërmjet internetit Erinda u përditësua me proceset
krijuese, materialet dhe produktet e reja. Hapjen e një dyqani fizik e
konsideronte të domosdoshëm për ecurinë dhe qëndrueshmërinë e biznesit të saj.
Klientët e mundshëm do të kishin mundësi të preknin, vlerësonin dhe zgjidhnin
produktin që ishte më afër nevojave dhe shijeve të tyre. Paralelisht, hapi edhe
‘dyqanin’ online, ku klientë nga të gjitha anët mund të binin në kontakt me produktet
e krijuara prej saj dhe të porosisnin bizhutë dhe aksesorët e dëshiruar.
Fillimisht krijonte sasi të vogla produktesh të personalizuara, sipas kërkesave
të klientelës. Edhe platformat facebook dhe Instagram e ndihmonin për
promovimin dhe shitjen.
Kënaqësia që Erinda merrte nga
reagimet pozitive të vajzave dhe grave që kishin blerë dhe përdornin produktet
e krijuara prej saj ishte e pamasë. Kërkesat e larmishme që merrte nga klientet
për krijime të personalizuara, i nxisnin ide të reja dhe e shtynin të vazhdonte
të krijonte një gamë më të gjërë produktesh. Piku i kërkesave për krijimet e
saj arrinte në periudhat kur kishte më shumë evente festive.
Çdo sipërmarrje ka vështirësitë e saj
dhe, në mënyrë të veçantë, sipërmarrjet në këtë fushë përballen me sfida të
panumërta. Sipas Erindës, sfidat janë të përditshme dhe klima e biznesit për
gratë sipërmarrëse në Shqipëri nuk është e favorshme. Një sipërmarrëse si ajo është
shumë e ngarkuar në përditshëmrinë e saj, që nga koha që i duhet të shpenzojë për
të ideuar dhe krijuar produkte elitare dhe për t’i marketuar ato; deri tek përmbushja
e detyrave si bashkëshorte, nënë, amvisë. Procesi i krijimit i kushton jo vetëm
kohë, por edhe angazhim të vazhdueshëm fizik, emocional dhe mendor. Edhe procesi
i sigurimit të materialeve cilësore ka vështiresitë e veta, pasi vetëm një pjesë
të lëndës së parë arrin ta sigurojë në tregun vendas dhe pjesën tjetër e
siguron nga jashtë vendit.
Pavarësisht vështirësive, dashuria e
Erindës për punën e saj e inkurajon të mos dorëzohet dhe të ecë përpara me
synimet e qarta për ta fuqizuar veten dhe sipërmarrjen që ka ngritur. Është e
gatshme të përballojë çdo sfidë.
Megjithatë, sipërmarrësja Erinda i
njeh edhe pikat e dobëta të sipërmarrjes që ka ngritur dhe drejton: mungesa e
një strategjie marketingu profesional është një rrezik permament për qëndrueshmërinë
e biznesit. Prandaj, në planet e saj të ardhshme është ndjekja e një kursi marketingu
që do ta ndihmojë edhe të hapi faqen e web-it të sipërmarrjes “Art & Deko by Erinda”.
“Kjo që bëj unë sot më sjell kënaqësi
dhe ndihem mirë sepse kam arritur të bëj një balancë dhe një kompromis midis të
bërit art dhe të qënit në biznes. Ç’është më e rëndësishmja, unë arrij të
siguroj të ardhurat e mia, duke bërë diçka që e dua.” – shprehet Erinda për Women in
Business.
Pasi rrëfimit të historisë së saj,
Erinda ka edhe një mesazh për vajzat e reja që duan të nisin një sipërmarrje:
“Ndiqni ëndrrat dhe besoni tek vetja.
Asnjëherë mos ndaloni së mësuari sepse jeta është proces të nxëni.”
Promovimi i vajzave dhe grave sipërmarrëse në këtë faqe realizohet kuadër të projektit GWES - Sinergjia për fuqizimin e vajzave dhe grave financohet nga Ambasada e Holandës në Shqipëri, në kuadër të Fondit të të Drejtave të Njeriut 2022. Projekti GWES zbatuar nga Qendra Kombëtare për Shërbimet Komunitare dhe Together for Life.