Ndërtimi i një shoqërie të barabartë përmes fuqizimit të grave në Shqipëri
Në Shqipëri, fuqizimi ekonomik dhe social i grave nuk nuk duhet të jetë më
vetëm një objektiv politik apo një detyrim ligjor. Ai duket të kthehet në një
çelës për zhvillimin e qëndrueshëm, për ndërtimin e një shoqërie
gjithëpërfshirëse dhe për përmbushjen e angazhimeve ndërkombëtare që vendi ka
marrë përsipër – nga Agjenda 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm, deri te rruga e
gjatë e integrimit në Bashkimin Evropian.
Ende sot, pas premtimeve dhe kornizave ligjore, realiteti shpesh tregon një
histori tjetër. Shumë gra dhe vajza, sidomos ato në zonat rurale, dhe ato nga
grupet e cënueshme, përballen çdo ditë me pengesa që ua kufizojnë mundësitë për
të qenë pjesë e plotë e jetës ekonomike e shoqërore.
Situata e situatës së grave në shifra
Statistikat e viteve të fundit tregojnë qartë sfidat me të cilat përballen
gratë në tregun e punës në Shqipëri. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2024,
vetëm 53,5% e grave në moshë pune
ishin pjesë aktive e tregut të punës, kundrejt 68,2% të burrave, duke vazhduar me një hendek prej 15%, për të
disatin vit radhazi. Ky diferencë është tregues se, edhe pse gratë shfaqin aftësi
dhe edukim të mjaftueshëm në fusha të caktuara, shumë prej tyre nuk arrijnë të gjejnë
hapësira reale për të kontribuar ekonomikisht.
Edhe kur gratë punësohen, shpesh ato përballen me paga më të ulëta se burrat. Hendeku gjinor në paga në vitin 2024 sipas
të dhënave më të fundit nga INSTAT ishte 4,9%, një ulje e lehtë krahasuar me vitin e mëparshëm (6.1%), tregues
ky se paga mesatare e grave vazhdon të mbetet më e ulët se ajo e burrave, duke
kufizuar pavarësinë dhe fuqinë e tyre ekonomike.
Edhe pse në aspektin ndërkombëtar, Shqipëria ruan një renditje të mirë në Indeksin Global të Hendekut Gjinor,
duke u pozicionuar në vendin e 23-të, ky tregues nuk fshin realitetin ku gati gjysma e grave (49,5%) mbeten në
punë të pasigurta, pa kontrata të rregullta apo kontribute shoqërore, duke i
lënë të ekspozuara ndaj varfërisë dhe mungesës së mbrojtjes sociale.
Roli i grave në sektorin e bujqësisë është i madh dhe i domosdoshëm pasi ato
përbëjnë 55% të fuqisë punëtore,
por kur bëhet fjalë për drejtimin e fermave rezulton se vetëm 7% e tyre drejtojnë fermat. Ky kontrast
tregon qartë se roli i grave shpesh shihet si ndihmë, por jo si drejtim dhe
vendimmarrje.
Një tjetër pengesë e rëndësishme për integrimin e grave mbetet puna e papaguar në familje, e cila
shpesh i mban gratë larg tregut formal të punës. Gratë kryejnë 96% të punëve të shtëpisë, dhe 18% e tyre mbeten inaktive për shkak
të angazhimeve familjare, krahasuar me vetëm 1% të burrave. Përveç këtyre
treguesve statistikore, ekzistojnë edhe pengesa të përditshme që ndikojnë
drejtpërdrejt në jetën e grave. Mungesa e çerdheve dhe kopshteve në zonat
rurale, transporti i vështirë dhe infrastruktura e dobët janë faktorë që e
bëjnë më të vështirë për gratë dhe vajzat të afrohen me tregun e punës. Një
raport i UN Ëomen ka treguar se
këto mungesa lidhen drejtpërdrejt me normat më të ulëta të punësimit të grave
në zonat rurale, duke theksuar nevojën për politika sociale dhe
infrastrukturore që të mbështesin fuqimisht pjesëmarrjen e grave në ekonomi.
Pra, edhe pse ka përparime të dukshme në përmirësimin e legjislacionit dhe
politikave të fokusuara në fuqizimin ekonomik dhe social të grave, realiteti i
grave në tregun e punës mbetet i ndikuar nga faktorë strukturalë dhe socialë që
kërkojnë veprime konkrete dhe të qëndrueshme.
Nevoja për ndërhyrje – nga
hartimi i politikave në zbatim
Kalimi nga bërja e ligjeve dhe
hartimi i politikave që kanë në fokus fuqizimin e grave, në realitetin e
përditshëm, kërkon përpjekje më të qëndrueshme dhe masa konkrete. Një nga
elementët kyç është zbatimi i
buxhetimit të përgjigjshëm gjinor. Nuk mjafton që të hartohen buxhete me
ndjeshmëri gjinore dhe të parashikone fonde të dedukuara për mbështetjen e
grave në sektorë të ndryshëm; e rëndësishme është monitorimi i zbatimit të
politikave dhe shpërndarjes së buxheteve në mënyrë të drejtë dhe të synuar,
duke siguruar që programet publike të mbështesin në mënyrë reale gratë dhe
vajzat në të gjitha sektorët.
Një tjetër hap i domosdoshëm është rritja
e aksesit të grave në pronë, kredi dhe teknologji. Pa mundësi reale për
të zotëruar prona, për t’u mbështetur me financime apo për të përdorur
teknologjitë moderne, shumë gra do të vazhdojnë të mbeten peng i varfërisë dhe
margjinalizimit ekonomik. Akses i tillë jo vetëm që do të forconte autonominë e
tyre, por do të stimulonte gjithashtu zhvillimin lokal dhe konkurrueshmërinë e
sipërmarrjeve femërore.
Një pengesë e madhe që ndikon drejtpërdrejt në pjesëmarrjen ekonomike të
grave është mungesa e shërbimeve të
kujdesit për fëmijët dhe të moshuarit. Kur këto shërbime nuk janë të
mjaftueshme dhe të arritshme, gratë detyrohen të sakrifikojnë karrierën për të
përmbushur rolet familjare. Zgjerimi dhe profesionalizimi i këtyre shërbimeve, sidomos
në zonat rurale, do t’u mundësonte grave të ndjekin zhvillimin profesional, pa rrezikuar
që të lënë pa mbështetje familjet e tyre.
Një tjetër dimension i rëndësishëm është nxitja e inovacionit financiar dhe e sipërmarrjes femërore,
veçanërisht në komunitetet rurale ku mundësitë janë të kufizuara. Programet që
ofrojnë mentorim, financim të drejtuar dhe trajnime për menaxhim biznesi mund
të krijojnë hapësira të reja për gratë dhe vajzat për të bërë karrierë, për të
ndërtuar biznese dhe për të kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit.
Përvoja ndërkombëtare ka treguar se kur gratë kanë kontroll mbi burimet
ekonomike, zhvillimi ekonomik i vendit ecën me hapa më të shpejta, varfëria bie
dhe shoqëria bëhet më të barabarta. Shqipëria ka potencialin për të ecur në
këtë drejtim dhe ky potencial nuk është vetëm i grave, por i gjithë vendit.
Fuqizimi i grave dhe vajzave nuk është një kapitull i veçuar i politikave
sociale, por një strategji kombëtare për zhvillim. Nëse Shqipëria arrin ta kthejë
këtë potencial në fuqi reale, atëherë barazia gjinore nuk do të mbetet më një
objektiv në letër, por një avantazh i vërtetë për të ardhmen.
Ky artikull është
përgatitur nga Together for Life në kuadër të Programit të Mbështetjes
Themelore, mbështetur financiarisht nga Ambasada Suedeze.
Përgjegjësia për
përmbajtjen i takon vetëm Together For Life dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht
pikëpamjet e Ambasadës Suedeze.