Media & PR

Shqipëria dhe Kosova: nga politikat për mbështetjen e grave sipërmarrëse, tek impakti real


Zhvillimi i sipërmarrjeve të grave në Kosovë dhe Shqipëri ka ndjekur një trajektore të ngjashme, e bazuar kryesisht në ndërhyrje të fragmentuara, si grantet e vogla, programet e trajnimit dhe projektet e financuara nga donatorë. Në të dy vendet identifikohen probleme të përbashkëta që kufizojnë ndikimin e këtyre politikave, si mungesa e strukturave bashkëpunuese kolektive mes grave në të njëjtin sektor prodhues, qasja e kufizuar e grave rurale ndaj informacionit dhe burimeve financiare, si dhe dobësia e mekanizmave të monitorimit dhe të matjes së impaktit. Megjithatë, krahasimi i dy vendeve nxjerr në pah edhe dallime në qasjen institucionale dhe kornizën ligjore, si niveli i integrimit të barazisë gjinore në prokurimin publik dhe mënyra e zbatimit të politikave në nivel lokal. Por, si të përbashkëtat, ashtu edhe dallimet mes dy vendeve nxjerrin në pah problematikat në nivelin e zbatimit të politikave ekzistuese për mbështetjen ekonomike të grave, veçanërisht grave sipërmarrëse, duke nënvizuar faktin se ndikimi i vërtetë, përtej buxheteve që mbështesin politikat, varet nga kapaciteti institucional, koordinimi ndërinstitucional dhe mekanizmat e llogaridhënies.

 

Mbështetja për gratë sipërmarrëse: grante, por jo akses në burime

Në Kosovë, zhvillimi i sipërmarrjeve të grave është mbështetur kryesisht përmes granteve të vogla dhe projekteve të dedikuara, veçanërisht në sektorë si bujqësia, bimët medicinale dhe përpunimi ushqimor. Një nga sfidat kryesore ka qenë vështirësia në krijimin e grupeve prodhuese funksionale, ku gratë që merren me të njëjtin lloj prodhimi organizohen në struktura bashkëpunuese si kooperativa, shoqata prodhuesish apo rrjete ekonomike.

Një problem që vazhdon të evidentohet në hapjen e thirrjeve për grante të vogla të dedikuara grave është apatia e pushtetit vendor për të luajtur rol aktiv në shpërndarjen e informacionit në nivel lokal, veçanërisht në njësitë administrative përkatëse. Kjo bën që këto programe të mos arrijnë te grupet e interesit, veçanërisht te gratë rurale, të cilat janë ndër përfituese potenciale kryesore, por edhe ndër më të margjinalizuarat për sa i përket aksesit në informacion dhe mbështetje institucionale.

Një situatë e ngjashme konstatohet edhe në Shqipëri, ku, pavarësisht ekzistencës së programeve mbështetëse për bizneset e vogla dhe sektorin bujqësor, qasja ndaj grave sipërmarrëse në zonat rurale mbetet e kufizuar, ndërsa politikat publike nuk mbështeten në një analizë të thelluar gjinore. Studimi i Together for Life, “Fuqizimi Ekonomik dhe Social i Grave në Shqipëri”[1], evidenton se ndërhyrjet aktuale shpesh nuk adresojnë barrierat strukturore me të cilat përballen gratë, përfshirë mungesën e pronësisë mbi tokën, nivelin e lartë të informalitetit dhe mungesën e përfaqësimit në zinxhirët e vlerës. Pa një rishikim thelbësor të politikave dhe programeve, të ndërtuar mbi adresimin konkret të këtyre barrierave, ndikimi i ndërhyrjeve financiare, pavarësisht madhësisë së grantit, mbetet i kufizuar për gratë dhe vajzat. Për këtë arsye, politikat duhet të kalojnë nga mbështetja individuale drejt ndërtimit të strukturave kolektive prodhuese, të shoqëruara me një rol aktiv të pushtetit vendor në identifikimin, informimin dhe fuqizimin e grave rurale.

Roli i pushtetit lokal: hallkë e dobët në të dy vendet

Në Kosovë, mungesa e kapaciteteve dhe angazhimit të bashkive për të përcjellë informacion dhe për të ndërtuar ura me komunitetet rurale është identifikuar si një pengesë madhore. Kjo situatë reflekton një problem më të gjerë të mungesës së mekanizmave të detyrueshëm për përfshirjen gjinore në nivel lokal. Edhe në Shqipëri, pushteti vendor shpesh nuk ka buxhete, objektiva apo indikatorë gjinorë të matshëm, duke e bërë të vështirë monitorimin e ndikimit real të fondeve publike në fuqizimin ekonomik të grave.

Për të përmirësuar mbështetjen për gratë sipërmarrëse në zonat rurale, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, është e domosdoshme të forcohet roli i bashkive. Kjo mund të arrihet duke vendosur detyrime të qarta ligjore për informimin e grupeve të interesit, duke siguruar përdorimin e të dhënave gjinore lokale në planifikim dhe vendimmarrje, si dhe duke lidhur programet ekonomike me planet vendore për barazinë gjinore. Në këtë mënyrë, bashkitë do të kenë një rol aktiv në identifikimin e nevojave të grave, në orientimin e tyre drejt shërbimeve dhe mundësive financiare, si dhe në krijimin e një mjedisi më të drejtë dhe më të qëndrueshëm për zhvillimin e sipërmarrjes femërore.

 

Kosova, hapa pozitivë në integrimi i parimeve gjinore në praktikat e prokurimit publik

Një diferencë e rëndësishme mes Shqipërisë dhe Kosovës qëndron në qasjen ndaj prokurimit të përgjegjshëm gjinor. Në Kosovë, integrimi i parimeve gjinore në politikëbërje dhe praktikat e prokurimit është zhvilluar më tej, duke e vendosur vendin si një shembull relativisht pozitiv në rajon. Ky përparim i atribuohet, në një masë të konsiderueshme, Ligjit për Barazinë Gjinore dhe dokumenteve strategjike shoqëruese, të cilat kanë krijuar një kornizë konceptuale dhe ligjore për të adresuar pabarazitë gjinore në sektorin publik. Megjithatë, sipas një analize të GAP Institute mbi prokurimin publik në Kosovë[2], bizneset në pronësi të grave fituan vetëm një përqindje të vogël të kontratave publike, duke treguar mungesë të mekanizmave të orientuar gjinorë në proceset ekzistuese.

Në Shqipëri, ligji aktual i Prokurimeve Publike nuk parashikon asnjë mekanizëm bonus apo kriter favorizues për bizneset në pronësi të grave, duke e lënë jashtë vëmendjes dhe ndërhyrjes një instrument të fuqishëm për avancimin ekonomik të grave. Siç evidentohet në studimin e Together for Life, kjo kufizon ndjeshëm mundësinë e përdorimit të shpenzimeve publike për të reduktuar pabarazitë gjinore dhe për të përmirësuar qasjen e grave në tregun e kontratave publike. Shqipëria duhet të transformojë prokurimin publik në një instrument aktiv të barazisë gjinore, përmes përfshirjes së kritereve gjinore ose pikëve bonus për bizneset në pronësi të grave, nxitjes së pjesëmarrjes së grave sipërmarrëse në tendera, si dhe mbledhjes dhe publikimit të të dhënave gjinore mbi përfituesit e kontratave publike. Në këtë mënyrë, Shqipëria mund të përfitojë nga përvoja e Kosovës në përmirësimin e legjislacionin duke e përdorur prokurimin si një mjet të drejtpërdrejtë për fuqizimin ekonomik të grave.

 

Buxhetimi i përgjegjshëm gjinor, shumë angazhime, por pak ndikim

Pavarësisht përpjekjeve të deklaruara në të dy vendet, sfida kryesore mbetet kalimi nga angazhimet politike në rezultate konkrete dhe të matshme. Studimi i Together for Life thekson se, në Shqipëri, pa mekanizma të fuqishëm monitorimi dhe vlerësimi, buxhetimi i përgjegjshëm gjinor dhe politikat për fuqizimin ekonomik të grave rrezikojnë të mbeten formale dhe jo-transformuese.

Në Kosovë, edhe pse ekziston një kornizë ligjore relativisht më e favorshme, përfshirë avancimin e parimeve të barazisë gjinore në disa instrumente të politikave publike, ndikimi në praktikë mbetet i kufizuar për shkak të mungesës së zbatimit efektiv dhe koordinimit institucional. Kjo tregon se edhe një kuadër i mirë ligjor nuk mjafton nëse nuk shoqërohet me vullnet politik, mekanizma monitorimi dhe koordinim të qartë ndërinstitucional.

Për Shqipërinë, kjo nënkupton një nevojë të qartë për të përmirësuar mënyrën e hartimit dhe zbatimit të politikave publike përmes një qasjeje të integruar gjinore. Analiza gjinore duhet të bëhet pjesë e pandashme e ciklit të politikave, nga identifikimi i nevojave e deri te vlerësimi i rezultateve. Duhet të krijohet një lidhje e drejtpërdrejtë mes buxhetit, objektivave të barazisë gjinore dhe rezultateve në terren, duke siguruar që resurset financiare të shoqërohen me indikatorë të matshëm dhe me ndikim real. Në të njëjtën kohë, roli i shoqërisë civile duhet të forcohet në mënyrë të qëndrueshme, përmes monitorimit të zbatimit të politikave dhe kërkesës për llogaridhënie, si një element kyç për rritjen e transparencës dhe efektivitetit të ndërhyrjeve publike.

Në të dyja vendet, ndërhyrjet për zhvillimin e sipërmarrjeve të grave janë kryesisht të fragmentuara dhe të orientuara drejt mbështetjes individuale, siç janë grantet e vogla. Sfida kryesore mbetet krijimi i strukturave kolektive prodhuese, për shembull grupe të grave që punojnë në sektorë të njëjtë dhe lidhja e tyre me zinxhirët e vlerës.

Në aspektin ligjor, Kosova ka një avantazh të dukshëm, pasi ka miratuar një kornizë ligjore që përfshin edhe prokurimin e përgjegjshëm gjinor. Ndërkaq, Shqipëria operon me një kuadër të prokurimeve publike që nuk parashikon mekanizma të tillë, si p.sh. pikë bonus për bizneset në pronësi të grave. Për më tepër, në Shqipëri ekziston mospërputhje mes instrumenteve ligjore, duke e vënë në vështirësi incentivimin e grupeve të grave nëpërmjet skemave të grantit, të cilat kërkojnë manuale të qarta dhe miratim nga Këshilli Bashkiak për të shmangur problematikat ligjore e evidentuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Nëse këto pengesa nuk adresohen, përpjekjet për të fuqizuar gratë sipërmarrëse mbeten të kufizuara.

Në Shqipëri ekziston një legjislacion i plotë për ndërmarrjet sociale dhe çdo vit buxheti i shtetit parashikon fond të dedikuar për mbështetjen e tyre. Megjithatë, në disa raportime ngrihet shqetësimi se ligji aktual nuk është mjaftueshëm favorizues për gratë në biznes, pasi kërkon që bizneset të ngrihen nga organizatat jo-fitimprurëse dhe jo nga gratë si subjekte të veçanta, çka ngushton mundësitë e grave për të përfituar nga ky instrument.

Pra, siç evidentohet më lart, për të arritur rezultate të prekshme, si Kosova, ashtu edhe Shqipëria kanë nevojë të heqin dorë nga hartimi i politikave për politikë, duke u fokusuar në mënyrë serioze në ngritjen e mekanizmave të qartë të zbatimit, monitorimit dhe llogaridhënies. Kjo duhet të bëhet duke vendosur në qendër të politikave jo vetëm grante të përkohshme, por edhe struktura dhe instrumente që sigurojnë akses afatgjatë të grave në tregje, kontrata publike dhe burime financiare.