Media & PR

Kur një nënë e kuptoi menjëherë se vajza e saj ishte dhunuar, pse nuk u aktivizuan mekanizmat e sistemit shëndetësor?


Çfarë fshihet pas rastit të dhunës ndaj adoleshentes në Fier që tronditi opinionin publik?

Nga Fatbardha Nergjoni

"Goca më vjen me vrap, e tmerruar. E shoh me serumin në dorë. I them: 'Çfarë ke, moj të keqen mami? Pse je vrarë? Kush të ka vrarë?'... 'Po ti ke syrin të nxirë. Ti ke mjekrën të nxirë. Flokët e tu pse më duken kështu?'"

Kështu e kujton nëna e 17-vjeçares nga Fieri momentin kur u përball për herë të parë me vajzën e saj në ambientet e spitalit, ku ajo kishte marrë ndihmë mjekësore pas dhunës brutale të ushtruar nga tre bashkëmoshataret e saj.

Rasti ka tronditur opinionin publik në Shqipëri dhe ka nxitur një debat të gjerë mbi dhunën mes të rinjve. "Çfarë brezi po rrisim?", "A janë të sigurt fëmijët tanë?", "Çfarë e ushqen këtë nivel agresiviteti?", "Cili është roli i familjes, i shkollës dhe i shoqërisë?" janë pyetjet që kanë dominuar diskutimin publik.

Megjithatë, mes gjithë këtij debati, disa pyetje po aq të rëndësishme kanë mbetur pothuajse të paadresuara. Si është e mundur që një adoleshente me shenja të dukshme dhune të kalojë nëpër një institucion shëndetësor pa u identifikuar si viktimë? Si është e mundur që askush të mos ketë ngritur dyshimin se përballë kishte një rast që kërkonte jo vetëm trajtim mjekësor, por edhe mbrojtje?

Nëna e vajzës i dalloi menjëherë shenjat. Ajo nuk është mjeke, nuk është infermiere dhe nuk ka marrë trajnim për identifikimin e viktimave të dhunës. Është thjesht një nënë, e cila, sapo pa të bijën, kuptoi se diçka e rëndë kishte ndodhur.

Vajza kishte sy të nxirë, mavijosje në fytyrë, flokë të shpupurisur, ishte e frikësuar, dridhej dhe përpiqej të fshihte atë që kishte përjetuar. Shenjat ishin të dukshme. Megjithatë, përpara se të takonte nënën, ajo kishte kaluar nëpër një institucion shëndetësor dhe kishte marrë trajtim mjekësor.

Këtu lind pyetja që nuk mund të anashkalohet: nëse një nënë e identifikoi menjëherë se vajza e saj ishte viktimë e dhunës, pse sistemi shëndetësor nuk aktivizoi mekanizmat që parashikohen pikërisht për situata të tilla?

Kjo pyetje nuk synon të fajësojë një mjek apo një infermier të vetëm. Ajo ngre një shqetësim shumë më të madh: a funksionon realisht sistemi shëndetësor si pjesë e mekanizmit kombëtar për mbrojtjen e viktimave të dhunës?

Kur sistemi nuk arrin të identifikojë dhunën

Rasti i 17-vjeçares nga Fieri nuk duhet parë vetëm si një histori tronditëse dhune mes adoleshentësh. Ai duhet të shërbejë si një alarm për mënyrën se si sistemi shëndetësor përmbush rolin e tij në identifikimin, menaxhimin dhe referimin e rasteve të dhunës.

Profesionistët e shëndetësisë janë shpesh personat e parë me të cilët viktimat bien në kontakt. Për shumë gra dhe vajza, urgjenca apo qendra shëndetësore është institucioni i parë ku ato kërkojnë ndihmë. Për këtë arsye, sistemi shëndetësor nuk ka vetëm detyrimin të trajtojë dëmtimet fizike. Ai është një hallkë kyçe e mekanizmit kombëtar të mbrojtjes, me përgjegjësi të qarta për identifikimin e shenjave të dhunës, dokumentimin e tyre, vlerësimin e rrezikut dhe referimin e viktimës drejt shërbimeve përkatëse.

Megjithatë, rasti i Fierit ngre dyshime serioze nëse këta mekanizma funksionojnë në praktikë. Sipas rrëfimit të nënës, vajza kishte shenja të dukshme dhune në fytyrë, ishte në gjendje të rënduar emocionale dhe fillimisht refuzoi të tregonte se çfarë kishte ndodhur - një reagim që literatura shkencore dhe protokollet klinike e konsiderojnë tipik për viktimat e dhunës.

Nëse këto shenja nuk mjaftuan për të ngritur dyshimin se bëhej fjalë për një rast dhune, atëherë pyetja është e pashmangshme: a po funksionon sistemi i identifikimit të rasteve të dhunës në institucionet shëndetësore?

Kur një rast dhune nuk identifikohet në kohë, nuk humbet vetëm mundësia për të trajtuar plagët fizike. Humbet mundësia për të dokumentuar provat, për të vlerësuar rrezikun, për të ofruar mbështetje psikologjike dhe për të aktivizuar mekanizmat institucionalë që mund të mbrojnë viktimën dhe të parandalojnë dhunën e mëtejshme.

***

Dhuna ndaj kësaj 17-vjeçareje nuk përfundoi ditën kur ajo doli nga banesa ku u rrah barbarisht. Ajo vazhdon edhe sot, në traumën që e shoqëron atë dhe familjen e saj, në lotët e një nëne që nuk pushojnë dhe në ankthin që i ka ndryshuar jetën.

Drejtësia do të bëjë punën e saj. Autorët do të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre. Por ky rast duhet të nxisë edhe një reflektim institucional. A bëri sistemi shëndetësor gjithçka që duhej për ta identifikuar dhe mbrojtur këtë vajzë? Sepse një sistem shëndetësor nuk matet vetëm nga aftësia për të trajtuar plagët, por edhe nga aftësia për të njohur dhunën, për të aktivizuar mekanizmat e mbrojtjes dhe për të mos lejuar që një viktimë të largohet pa ndihmën që i takon.

Ky shkrim u realizua në kuadër të iniciativës “Advancing Gender Equality through Oversight and Reporting in Albania (AGORA)”, të zbatuar nga Gender Alliance for Development Centre (GADC), Together for Life dhe Institute of Romani Culture in Albania (IRCA) mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e këtij dokumenti është përgjegjësi e vetme e Together for Life dhe në asnjë rrethanë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pozicionin e Bashkimit Evropian.