Media & PR

Ndërtimi i një shoqërie të barabartë përmes fuqizimit të grave në Shqipëri


Në Shqipëri, fuqizimi ekonomik dhe social i grave nuk nuk duhet të jetë më vetëm një objektiv politik apo një detyrim ligjor. Ai duket të kthehet në një çelës për zhvillimin e qëndrueshëm, për ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe për përmbushjen e angazhimeve ndërkombëtare që vendi ka marrë përsipër – nga Agjenda 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm, deri te rruga e gjatë e integrimit në Bashkimin Evropian.

Ende sot, pas premtimeve dhe kornizave ligjore, realiteti shpesh tregon një histori tjetër. Shumë gra dhe vajza, sidomos ato në zonat rurale, dhe ato nga grupet e cënueshme, përballen çdo ditë me pengesa që ua kufizojnë mundësitë për të qenë pjesë e plotë e jetës ekonomike e shoqërore.

Situata e situatës së grave në shifra

Statistikat e viteve të fundit tregojnë qartë sfidat me të cilat përballen gratë në tregun e punës në Shqipëri. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2024, vetëm 53,5% e grave në moshë pune ishin pjesë aktive e tregut të punës, kundrejt 68,2% të burrave, duke vazhduar me një hendek prej 15%, për të disatin vit radhazi. Ky diferencë është tregues se, edhe pse gratë shfaqin aftësi dhe edukim të mjaftueshëm në fusha të caktuara, shumë prej tyre nuk arrijnë të gjejnë hapësira reale për të kontribuar ekonomikisht.

Edhe kur gratë punësohen, shpesh ato përballen me paga më të ulëta se burrat. Hendeku gjinor në paga në vitin 2024 sipas të dhënave më të fundit nga INSTAT ishte 4,9%, një ulje e lehtë krahasuar me vitin e mëparshëm (6.1%), tregues ky se paga mesatare e grave vazhdon të mbetet më e ulët se ajo e burrave, duke kufizuar pavarësinë dhe fuqinë e tyre ekonomike.

Edhe pse në aspektin ndërkombëtar, Shqipëria ruan një renditje të mirë në Indeksin Global të Hendekut Gjinor, duke u pozicionuar në vendin e 23-të, ky tregues nuk fshin realitetin ku gati gjysma e grave (49,5%) mbeten në punë të pasigurta, pa kontrata të rregullta apo kontribute shoqërore, duke i lënë të ekspozuara ndaj varfërisë dhe mungesës së mbrojtjes sociale.

Roli i grave në sektorin e bujqësisë është i madh dhe i domosdoshëm pasi ato përbëjnë 55% të fuqisë punëtore, por kur bëhet fjalë për drejtimin e fermave rezulton se vetëm 7% e tyre drejtojnë fermat. Ky kontrast tregon qartë se roli i grave shpesh shihet si ndihmë, por jo si drejtim dhe vendimmarrje.

Një tjetër pengesë e rëndësishme për integrimin e grave mbetet puna e papaguar në familje, e cila shpesh i mban gratë larg tregut formal të punës. Gratë kryejnë 96% të punëve të shtëpisë, dhe 18% e tyre mbeten inaktive për shkak të angazhimeve familjare, krahasuar me vetëm 1% të burrave. Përveç këtyre treguesve statistikore, ekzistojnë edhe pengesa të përditshme që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e grave. Mungesa e çerdheve dhe kopshteve në zonat rurale, transporti i vështirë dhe infrastruktura e dobët janë faktorë që e bëjnë më të vështirë për gratë dhe vajzat të afrohen me tregun e punës. Një raport i UN Ëomen ka treguar se këto mungesa lidhen drejtpërdrejt me normat më të ulëta të punësimit të grave në zonat rurale, duke theksuar nevojën për politika sociale dhe infrastrukturore që të mbështesin fuqimisht pjesëmarrjen e grave në ekonomi.

Pra, edhe pse ka përparime të dukshme në përmirësimin e legjislacionit dhe politikave të fokusuara në fuqizimin ekonomik dhe social të grave, realiteti i grave në tregun e punës mbetet i ndikuar nga faktorë strukturalë dhe socialë që kërkojnë veprime konkrete dhe të qëndrueshme.

Nevoja për ndërhyrje – nga hartimi i politikave në zbatim

Kalimi nga bërja e ligjeve dhe hartimi i politikave që kanë në fokus fuqizimin e grave, në realitetin e përditshëm, kërkon përpjekje më të qëndrueshme dhe masa konkrete. Një nga elementët kyç është zbatimi i buxhetimit të përgjigjshëm gjinor. Nuk mjafton që të hartohen buxhete me ndjeshmëri gjinore dhe të parashikone fonde të dedukuara për mbështetjen e grave në sektorë të ndryshëm; e rëndësishme është monitorimi i zbatimit të politikave dhe shpërndarjes së buxheteve në mënyrë të drejtë dhe të synuar, duke siguruar që programet publike të mbështesin në mënyrë reale gratë dhe vajzat në të gjitha sektorët.

Një tjetër hap i domosdoshëm është rritja e aksesit të grave në pronë, kredi dhe teknologji. Pa mundësi reale për të zotëruar prona, për t’u mbështetur me financime apo për të përdorur teknologjitë moderne, shumë gra do të vazhdojnë të mbeten peng i varfërisë dhe margjinalizimit ekonomik. Akses i tillë jo vetëm që do të forconte autonominë e tyre, por do të stimulonte gjithashtu zhvillimin lokal dhe konkurrueshmërinë e sipërmarrjeve femërore.

Një pengesë e madhe që ndikon drejtpërdrejt në pjesëmarrjen ekonomike të grave është mungesa e shërbimeve të kujdesit për fëmijët dhe të moshuarit. Kur këto shërbime nuk janë të mjaftueshme dhe të arritshme, gratë detyrohen të sakrifikojnë karrierën për të përmbushur rolet familjare. Zgjerimi dhe profesionalizimi i këtyre shërbimeve, sidomos në zonat rurale, do t’u mundësonte grave të ndjekin zhvillimin profesional, pa rrezikuar që të lënë pa mbështetje familjet e tyre.

Një tjetër dimension i rëndësishëm është nxitja e inovacionit financiar dhe e sipërmarrjes femërore, veçanërisht në komunitetet rurale ku mundësitë janë të kufizuara. Programet që ofrojnë mentorim, financim të drejtuar dhe trajnime për menaxhim biznesi mund të krijojnë hapësira të reja për gratë dhe vajzat për të bërë karrierë, për të ndërtuar biznese dhe për të kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit.

Përvoja ndërkombëtare ka treguar se kur gratë kanë kontroll mbi burimet ekonomike, zhvillimi ekonomik i vendit ecën me hapa më të shpejta, varfëria bie dhe shoqëria bëhet më të barabarta. Shqipëria ka potencialin për të ecur në këtë drejtim dhe ky potencial nuk është vetëm i grave, por i gjithë vendit.

Fuqizimi i grave dhe vajzave nuk është një kapitull i veçuar i politikave sociale, por një strategji kombëtare për zhvillim. Nëse Shqipëria arrin ta kthejë këtë potencial në fuqi reale, atëherë barazia gjinore nuk do të mbetet më një objektiv në letër, por një avantazh i vërtetë për të ardhmen.

Ky artikull është përgatitur nga Together for Life në kuadër të Programit të Mbështetjes Themelore, mbështetur financiarisht nga Ambasada Suedeze.

Përgjegjësia për përmbajtjen i takon vetëm Together For Life dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës Suedeze.