Media & PR

Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor adreson pabarazitë gjinore dhe shërben si mjet për integrimin gjinor


Buxheti është mjeti më i fuqishëm për arritjen e objektivave të zhvillimit. Po ashtu, buxheti është instrumenti kryesor që pasqyron mënyrën se si një qeveri administron përparësitë dhe demonstron seriozitetin e saj në përgjigje të sfidave të vazhdueshme të zhvillimit të tilla si: pabarazia gjinore, varfëria, përjashtimi dhe padrejtësia ekonomike.

Shoqëritë vuajnë nga pabarazitë ekonomike, shoqërore e politike, për shkak të paragjykimeve të lidhura me identitetin gjinor dhe orientimin seksual, me aftësinë e kufizuar, etninë, statusin ekonomik dhe social, etj. Këto pabarazi synohen të luftohen përmes hartimit dhe zbatimit të legjislacionit antidiskriminues dhe politikave të mbrojtjes sociale, që synojnë qasje të barabartë në tregun e punës; në pagesa; të drejta dhe detyrime, në përfaqësimin etj. Hartimi dhe zbatimi i politikave të tilla, paraprihet nga një analizë e plotë se si dhe në ccfarë mase politikat e ndryshme pritet të ndikojnë tek burra dhe gratë që jetojnë në një kontekst të caktuar shoqëror. Realizimi i të drejtave të grave dhe i të drejtave të njeriut kërkon jo vetëm vëmendje ndaj pabarazisë dhe parimit të mosdiskriminimit, por edhe mobilizimin maksimal të burimeve të disponueshme.

Gjithmonë e më shumë sot po flitet për buxhet të përgjegjshëm gjinor (BPGJ) i cili bazohet në rolin që luan buxheti i shtetit në nxitjen e barazisë gjinore. BPGJ integron perspektivën gjinore në të gjithë hapat e procesit buxhetor: planifikim, hartim, zbatim dhe vlerësim – duke siguruar që politika buxhetore merr në konsideratë çështjet gjinore në shoqëri. Por, buxheti i përgjegjshëm gjinor nuk nënkupton krijimin e buxheteve të ndara për gratë dhe burrat, as thjesht rritje e alokimeve buxhetore të veçanta për grupe të veccanta, por nënkupton shpërndarjen e shpenzimeve në atë formë dhe sasi që iu përgjigjen në mënyrë të barabartë nevojave dhe përparësive të grave dhe burrave, si dhe shërbejnë për të zvogëluar pabarazitë gjinore.

Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor është një mjet që mund të përdoret për të adresuar pabarazitë gjinore dhe shërben si mjet për integrimin gjinor. BPGj ka të bëjë me formulimin e legjislacionit, politikave, planeve, programeve dhe skemave të ndjeshme ndaj gjinive; alokimin dhe mbledhjen e burimeve; zbatimin dhe ekzekutimin; monitorimin, rishikimin, auditimin dhe vlerësimin e ndikimit të programeve dhe skemave; si dhe me ndjekjen e veprimeve korrigjuese për të adresuar pabarazitë gjinore. Nëse përparësitë për barazinë gjinore janë të përfshira në politikat, buxhetet dhe ofrimin e shërbimeve publike, kjo do të çonte në: shërbime publike njësoj të arritshme për të dyja gjinitë; që ofrojnë të njëjtën cilësi shërbimesh; që sjellin të njëjtat përfitime për të dyja palët; që ofrohen trajtojnë nevojat e veçanta të secilit grup.

Proceset dhe vendimet buxhetore duhet të shohin përtej nivelit ‘makro’ dhe të marrin në konsideratë ndikimin që këto vendime kanë në qelizë të qoshërisë, tek ccdo individ dhe familje, për t’u siguruar që vendimet e politikave që do të ekzekutohen nëpërmjet një buxheti të caktuar nuk përforcojnë disavantazhin, përkundrazi kontribuojnë në rritjen e barazisë së mundësive mes dy gjinive. Buxheti në përgjithësi nuk është instrument me neutralitet gjinor meqë në asnjë nen të tij nuk përmenden gratë/vajzat, apo burrat/ djemtë, por të verbër kur ata nuk i njohin, nuk I vlerësojnë dhe nuk I përfshijnë nevojat dhe interesat e ndryshme, sidomos të grupeve të pambrojtura.

Barazia Gjinore tashmë është ndër parimet bazë të funksionimit të sistemit buxhetor. Përfshirja e parimit të barazisë gjinore në Ligjin Organik për Buxhetin u mundëson të gjitha ministrive të linjës dhe institucioneve të pavarura dhe të paraqesin qartë politikat e tyre gjinore. Zbatimi me efektivitet i këtij parimi dhe i ligjit në tërësi, mundëson dhe krijimin e kushteve të nevojshme për monitorimin e politikave të ndjeshme gjinore gjatë zbatimit të buxhetit, si dhe për vlerësimin dhe auditimin e tij në përputhje me ciklin e menaxhimit financiar publik.

Miratimi në vitin 2017 i Ligjit “Për financat e vetëqeverisjes vendore” ka krijuar mundësitë për përfshirjen e efektshme të BPGJ-së në të gjitha fazat e ciklit të menaxhimit financiar vendor nga njësitë e qeverisjes vendore. Kështu, që në qëllimin e ligjit theksohet që vetë ligji ka si qëllim të sigurojë që në krijimin dhe shpërndarjen e burimeve financiare vendore të njësive të vetëqeverisjes vendore përshpejtohet dhe realizohet barazia gjinore. Po kështu, në nenin 36 të ligjit ku trajtohet dhe Programi Buxhetor Afatmesëm Vendor, në pikën c të tij theksohet se të paktën një nga objektivat e politikave të programeve duhet të adresojë problematika të pabarazisë gjinore ose respektimin e plotë të barazisë gjinore, duke identifikuar qartazi produktet dhe treguesit e tjerë të matshëm me bazë gjinore.

Buxhetimi i përgjegjshëm gjinor është strategji për të matur dhe monitoruar ndikimin e politikave/programeve mbi gratë dhe burrat. Ai ndikon në rritjen e transparencës së buxheteve, sepse identifikon përfituesit e fondeve. BPGJ i përgjigjet nevojës për të bërë një analizë të buxheteve për të vlerësuar ndikimin e shpenzimeve tek burrat dhe gratë, si dhe u kërkon qeverive të modifikojnë buxhetet e tyre për të garantuar një përdorim të balancuar të burimeve në dispozicion, si dhe akses të barabartë në shpenzimet publike.

 

Projekti “Përfshirja gjinore në politikat socio-ekonomike të bashkive në qarkun e Lezhës”, i zbatuar nga organizata Together for Life, është mbështetur nga Reactor – Research in Action dhe partnerët e tyre përmes Aksionit “Përmirësimi i Barazisë Gjinore përmes anëtarësimit në BE. Procesi”. Ky Veprim financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancohet nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim.

Përmbajtja e këtij postimi është përgjegjësi e vetme e organizatës Together for Life dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian ose të Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim.