Arritja e barazisë gjinore si kusht për anëtarësimin e Shqipërisë në BE
Bashkimi Evropian ka krijuar një legjislacion të rëndësishëm në fushën e barazisë gjinore dhe përherë e më shumë promovimi i mundësive të barabarta për gratë dhe burrat qëndron në themel të politikave dhe ekonomisë të Unionit dhe shteteve anëtare.
Pas çeljes së negociatave këtë vit, Shqipëria është gati për të filluar procesin tjetër të rëndësishëm, atë të përafrimit të legjislacionit vendas me acquis communautaire (legjislacioni i BE), për të realizuar në fund të procesit përbushjen e ëndrrës së shqiptarëve, anëtarësimin me të drejta të plota të vendit në familjen evropiane. Përafrimi i legjislacionit është paralajmëruar të jetë edhe procesi më i vështirë dhe i ndërlikuar në rrugëtimin e vendit drejt BE. Një vend të rëndësishmë në këtë proces zë integrimi i legjislacionit evropian në fushën e barazisë gjinore dhe të mundësive të barabarta në legjislacionin tonë të brendshëm. Por, ky nuk është një proces që do të fillojë tani për herë të parë, pasi në gjithë këto vite, Shqipëria, me mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare, ka rishikuar legjislacionin në të gjitha fushat dhe e ka përmirësuar atë duke u bazuar në legjislacionin më të mirë ndërkombëtar, në mënyrë të veçanta në direktivat e BE.
Të drejtat e njeriut, barazia dhe mosdiskriminimi qëndrojnë në bazë të legjislacionit tonë të brendshëm. Kështu, në dokumentit themeltar të shtetit, në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në nenin 18-të të saj sanksionohet “barazia e të gjithë shtetasve përpara ligjit” dhe se “askush nuk mund të diskriminohet për shkaqe të tilla si: gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare apo filozofike, gjendja ekonomike, arsimore e sociale”. Po ashtu, tashëm ekziston edhe një legjislacion i pasur që garanton të drejtat e grave dhe burrave në të gjitha fushat, duke garantuar mundësi të barabarta dhe mbrojtje me masa aktive nga veprimet diskriminuese. Në Shqipëri tashmë ekzistojnë edhe institucione/ organe përgjegjëse për promovimin e barazisë gjinore dhe zbatimin e legjislacionit në këtë fushë, si Komiteti për Barazi Gjinore; Komiteti Ndër-Ministror për Barazinë Gjinore; Avokati i Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, etj..
Në kuadër të procesit të integrimit, çdo vit institucionet e Unionit përgatisin Raport Progresin në të cilin ndalen tek arritjet e vërejtura dhe problematikat e identifikuara. Në Raporti Progresin e vitit 2021 theksohet se përsa i përket situatës në fushën e barazisë gjinore “zbatimi i strategjisë kombëtare dhe planit të veprimit 2016-2020 për barazinë gjinore u pengua nga një boshllëk i vazhdueshëm financimi.” Ndërsa evidenton si arritje hartimin dhe miratimin e strategjisë së re “Për Barazinë Gjinore 2021-2030”, raporti thekson se “Shqipëria duhet të bëjë përpjekje për të siguruar financimin e duhur shtetëror, për ta zbatuar atë (Strategjinë e re) në nivel qendror dhe vendor.” BE nëpërmjet Raportit kërkon nga Shqipëria që të bëjë përpjekje “për të siguruar që të gjitha strategjitë kombëtare në nivel qendror dhe lokal të jenë të integruara gjinore dhe të aplikojnë buxhetim të përgjegjshëm gjinor”.
Raporti vlerëson se ”Shqipëria përputhet në përgjithësi me instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe ka ratifikuar shumicën e konventave ndërkombëtare. Vlerësimi i nivelit të zbatimit të legjislacionit, politikave dhe strategjive për të drejtat e njeriut mbetet një sfidë për shkak të mungesës së monitorimit dhe të dhënave gjithëpërfshirëse.”
Indeksi i përgjithshëm i Barazisë Gjinore për Republikën e Shqipërisë i publikuar në vitin 2020 arriti në 60.4, duke treguar një hendek gjinor prej 7.4 pikësh nën mesataren e BE-së (67.4). Boshllëqet më të
mëdha në krahasim me mesataren e BE-së janë në fushën e njohurive, parave dhe kohës, ndërsa rezultatet janë të përafërta me mesataren e vendeve të anëtare të BE në fushën e punës dhe shëndetit.
Duke u ndalur konkretisht në të drejta të veçanta që garantohen nga legjislacione specifike, Raporti vë në dukje se “Ligji për shëndetin riprodhues ende i mungon të parashikojë mekanizma referimi ndërmjet niveleve të ndryshme të kujdesit; trajnime për ofruesit e kujdesit shëndetësor; shërbime miqësore për të rinjtë; dhe kontakt me grupet vulnerabil”.
BE nëpërmjet këtij raporti vlerëson përpjekjet e ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale “për të forcuar legjislacionin që trajton abortin selektiv me paragjykime gjinore” dhe kërkon që “të vazhdojnë përpjekjet për monitorimin e praktikës sa i përket dhunës me bazë gjinore”.
Edhe pse vlerësohen me nota pozitive përpjekjet e Qeverisë “për të rritur fondet publike për viktimat e dhunës në familje me krijimin e katër strehimoreve dhe të linjës kombëtare të ndihmës për viktimat e dhunës në familje”, kërkohet që të merren masa për ofrimin e shërbimeve të specializuara dhe riintegruese për viktimat dhe të forcohet puna për menaxhimin e rasteve.
Ashtu si në mbarë botën kriza e shkaktuar nga COVID 19 ka përkeqësuar në mënyrë të dukshme situatën e gruas në shoqëri. Kështu Raporti i BE, duke iu referuar Shqipërisë, ka deklaruar se është “rritur në mënyrë disproporcionale barra e punës së papaguar në shtëpi dhe përkujdesje për gratë, veçanërisht për ato më të rrezikuarat”.
Bashkimi Evropian kohët e fundit e ka bërë të qartë se përfshirja/integrimi i perspektivës gjinore nuk është më një opsion i mundshëm si më parë, por një detyrim për t’u zbatuar jo vetëm për vendet anëtare, por edhe ato kandidate. Në mars të vitit 1998, BE hapi formalisht procesin e anëtarësimeve të reja në Union të vendeve nga Europa Qendrore. Këto vende tashmë janë anëtare me të drejta të plota në BE. Procesi, edhe pse më i përmbajtur, është shtrirë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Vendet kandidate janë angazhuar të pranojnë të njëjtat vlera dhe objektiva që ka identifikuar BE dhe që janë përcaktuar në Traktatet themelues të BE-së. Rrjedhimisht, parimi i barazisë midis burrave dhe grave, si dhe parimi i mundësive të barabarta për burrat dhe gratë, do të integrohet dhe të zhvillohet në mënyrë të përshtatshme nga vendi aplikant, si kusht paraprak dhe i pakontestueshëm për anëtarësim në BE.
Projekti "Përfshirja gjinore në politikat socio-ekonomike të bashkive në qarkun e Lezhës", i zbatuar nga organizata Together for Life, është mbështetur nga Reactor - Research in Action dhe partnerët e tyre përmes Aksionit "Përmirësimi i Barazisë Gjinore përmes anëtarësimit në BE. Procesi". Ky Veprim financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancohet nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim. Përmbajtja e këtij postimi është përgjegjësi e vetme e organizatës Together for Life dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian ose të Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim.