Media & PR

RËNDËSIA DHE ROLI I ORGANIZATAVE TË SHOQËRISË CIVILE NË PROCESIN E INTEGRIMIT EUROPIAN


Shoqëria civile luan një rol të rëndësishëm në vendet me demokraci të konsoliduar. Organizatat e shoqërisë civile në vendet anëtare të BE luajnë një rol të rëndësishëm në hartimin dhe zbatimin e politikave si në nivelin qendror edhe në atë vendor. Sipas Bashkimit Evropian një shoqëri civile e fuqizuar dhe e përfshirë në procese vendimmarrëse është karakteristikë e qeverisjes demokratike në vendet e Unionit, ndaj për institucionet e BE është e rëndësishme fuqizimi i shoqërisë civile dhe rolit të saj në vendet kandidate. BE është e angazhuar në mbështetjen e shoqërisë civile në këto vende, përfshi edhe Shqipërinë, me qëllim kthimin e tyre në aktorë të rëndësishëm në përmbushjen e kritereve të vendosura në kuadër të shtetit ligjor, të drejtat e njeriut dhe krijimin e një demokracie funksionale. Nga ana tjetër, shoqëria civile është aktori kryesor i përfshirë drejtpërdrejtë në informimin e qytetarëve rreth proceseve integruese, kritereve dhe hapave që duhet të ndërmerren për antarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Fuqizimi i shoqërisë civile dhe kthimi i saj në aktor të rëndësishëm aktiv brenda vendit është një element shumë i rëndësishëm, që ndikon drejtëpërdrejt në procesin e vendimmarrjes të BE për të finalizuar me firmosjen e traktatit të anëtarësimit në BE. Shumë i rëndësishëm konsiderohet roli i shoqërisë civile në mënyrë të veçantë në vende si Shqipëria, të cilat tashmë ndodhen në një proces të rëndësishëm dhe delikal si ai i integrimit europian, proces i gjatë dhe aspak i lehtë. Pjesëmarrja e shoqërisë civile në procesin e integrimit europian zhvillohet dhe vlerësohet në nivelin e brendshëm dhe të jashtëm. Niveli i brendshëm ka të bëjë me bashkëpunimin e shoqërisë civile me institucionet kombëtare qendrore dhe lokale, nëpërmjet pjesëmarrjes së drejtëpërdrejtë në proceset e konsultimit të legjislacionit, monitorimit të punës së këtyre institucioneve dhe veprimeve konkrete, duke luajtur një rol kyç në monitorimin, konsultimin dhe vlerësimin e veprimeve, masave dhe zhvillimeve të brendshme në kuadër të procesit të integrimit europian të vendit. Në nivelin e jashtëm organizatat e shoqërisë civile janë të përfshira në mënyrë të drejtëpërdrejtë në bashkëpunimin me institucionet e BE-së. Në dekadat e fundit, projekti më i madh dhe ambicioz i Shqipërisë është integrimi i vendit në Bashkimin Europian. Ky projekt ka përfshirë të gjithë aktorët e brendshëm institucionalë dhe shoqërorë në një proces të thellë dhe të gjatë reformues dhe gjithpërfshirës që ka në qendër hartimin, miratimin dhe zbatimin e legjislacionit dhe ngritjen e konsolidimin e institucioneve të brendshme demokratike në përputhje me legjislacionin dhe institucionet e Bashkimit Evropian. Në bazë të këtij procesi të gjatë dhe aspak të lehtë qendron informimi, bashkëpunimi dhe angazhimi i të gjithë aktorëve publikë dhe jopublikë, ku një rol të rëndësishëm luan shoqëria civile.

Në Shqipëri janë të regjistruara rreth 8,000 organizata jo fitimprurëse, por vetëm një numër tepër i vogël prej tyre (në numër dy-shifror) janë organizata të mëdha, me kapacitete dhe të zhvilluara. Por edhe angazhimi i këtyre organizatave të mëdha në vendimmarrje dhe monitorimin e procesit politikbërës është ende në nivele të ulta. Nga 8,000 të regjistruara, vetëm rreth 300 prej tyre janë aktive. Shumica e OSHC-ve janë të vogla dhe jo-funksionale dhe pa staf profesional, duke e bërë të pamundur vazhdimin e veprimtarisë së tyre midis projekteve. Kjo është arsyeja që organizatat kanë pezulluar aktivitetin e tyre dhe janë inaktive. Shoqëria civile shqiptare edhe pas 30 vjetësh është e dobët, me nivel antarësimi të ulët me nivel të ulët besimi. Organizata e shoqërisë civile kryesisht janë përqendruar në në Tiranë dhe në rajone të mëdha dhe fare pak prej tyre veprojnë në bashki të vogël. Nga ana tjetër organizatat lokale kanë mungesë kapacitetesh që i pengojnë ato të jenë aktive dhe të ngrejnë ura të qëndrueshme bashkëpunimi me autoritetet lokale.

Në mënyrë të veçantë organizatat lokale janë të papërfaqësuara dhe të pakonsideruara nga institucionet e qeverisjes lokale. Në Shqipëri organizatat lokale janë shumë të dobta dhe nga ana e pushtetit vendor

vërehet mungesë vullneti për të bashkëpunuar. Në vitin 2018 Delegacioni i BE-së në Shqipëri, publikoi një raport mbi Njësitë e Qeverisjes Lokale, ku nënvizonte se ‘mungon dialogu e komunikimi mes autoriteteve dhe shoqërisë civile në nivel lokal dhe se ‘komuniteti dhe organizatat nuk janë të përfshira në veprimtarinë e bashkive apo institucioneve qeverisëse lokale’. Në Raportin e 2020 vihet re se vërehet një përmirësim të situatës dhe ‘ka rritje të numrit të rekomandimeve të dhëna nga OSHC-të’

Vitet e fundit është ngritur Këshilli Kombëtar për Shoqërinë Civile (KKIE) që ka në përbërje të tij 15 organizata anëtare dhe asnjëra prej tyre nuk është lokale. Të gjitha organizatat anëtare të KKIE janë organizata kombëtare që e kanë qelinë qendrore në Tiranë. Organizatat lokale nuk kanë kapacitete dhe janë pak apo aspak të informuara rreth procesit të integrimit dhe rolit të tyre në këtë proces. Mospërfshirja e organizatave lokale në procesin e integrimit mbetet problematik, pasi në procesin e rishikimit të legjislacionit vendas dhe përputhjes së tij me atë të aquis communitaire më shumë se 70% e legjislacionit duhet të zbatohet në nivel lokal. Pra tashmë është e nevojshme që të ndërmerren hapa konkretë për identifikimin e nevojave të organizatave lokale dhe të mbështeten ato për rritjen dhe fuqizimin e kapaciteteve të tyre për t’u bërë pjesë aktive e politikbërjes lokale. Shqipëria gjendet në një fazë të rëndësishme të rrugëtimit drejt Bashkimit Evropian, sapo ka marrë ftesën për hapjen e zyrtarisht të bisedimeve me BE-në për anëtarësimin dhe më 19 korrik 2022 në Bruksel u mbajt Konferenca e Parë Ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe BE-së. Procesi i ri në të cilin ka hyrë vendi fillon me procesin e ashtuquajtur screening, ku i gjithë legjislacionit shqiptar, i ndarë sipas 35 kapitujve të acquis (legjislacionit) së Bashkimit Evropian, do të vlerësohet se sa i përafruar është me atë të Bashkimit Evropian. Procesi i vlerësimit, përmirësimit dhe përafrimit të legjislacionit vendas me atë të Bashkimit Evropian zhvillohet mes përfaqësuesve të BE dhe të Shqipërisë, ku bëjnë pjesë përfaqësues të institucioneve publike qendrore dhe lokale, aktorëve të sektorëve të ndryshëm, shoqëria civile, akademia, media, etj..

Shoqëria civile është një aktor kyç në monitorimin dhe mbështetjen që i bëhet punës së qeverisjes qendrore dhe asaj lokale. Mospërfshirja e shoqërisë civile në procese të tilla ndikon në nivelin e lartë të mungesës së transparencës dhe nivelin e përhapjes së korrupsionit në institucionet publike.

Rrugëtimin për ta bërë Shqipërinë anëtare të BE institucionet publike duhet ta bëjnë në partneritet të ngushtë dhe në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe të gjithë aktorët lokalë të përfshirë në këtë proces.

Projekti "Përfshirja gjinore në politikat socio-ekonomike të bashkive në qarkun e Lezhës", i zbatuar nga organizata Together for Life, është mbështetur nga Reactor - Research in Action dhe partnerët e tyre përmes Aksionit "Përparimi i Barazisë Gjinore përmes anëtarësimit në BE. Procesi". Ky Veprim financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancohet nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim. Përmbajtja e këtij postimi është përgjegjësi e vetme e organizatës Together for Life dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian ose të Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim.