Fuqizimi ekonomik i gruas, sjell ndryshimin
Vjollca jeton me djalin, vajzën dhe bashkëshortin. Dita fillon pak para agimit, pak pas orës 4 të mëngjesit, me punët e shtëpisë.
Pasi i lëshon bagëtitë - lopët, pulat dhe delet - ajo fshin shtëpinë, oborrin dhe kasollen e kafshëve. E ndihmuar nga vajza e saj ushqen kafshët dhe më pas lan enët nga mbrëmja e kaluar. Rreth orës 6:30 ose 7 të mëngjesit, ajo fillon të përgatisë vaktet e tjera.
Pasi mbarojnë punët e mëngjesit nënën e bijë punojnë në tokën pranë shtëpisë. Aty Vjollca kultivon misër dhe perime, kryesisht për konsum shtëpiak.
Ajo kujdeset për tokën e saj me zell, duke synuar të heqë barërat e këqija që vazhdojnë të mbijnë përsëri dhe përsëri.
“Është punë që të thyen kurrizin, por duhet ta bëj vetë pasi nuk kam mundësi të punësoj një punëtor,” ankohet Vjollca.
“Jemi me fat që morëm korrësen e barit, na jep një dorë për sipërfaqe më të mëdha. Edhe bidonat janë një ndihmesë e madhe. Pika e grumbullimit të qumështit është një ndihmesë e madhe gjatë kësaj periudhe. Arrijmë të fitojmë ca të ardhura”, na thotë Vjollca.
“Duam të mësojmë dhe të ndryshojmë të ardhmen për brezat e rinj”, thotë ajo.
Jeta për një fermere nuk është e lehtë. Roli që këto gra luajnë në përmirësimin e jetesës së tyre, për të kontribuar në të ardhurat e tyre familjare dhe madje edhe për të kontribuar në rritjen e vendit është i madh, por ajo mbetet e padukshme!