Është koha për të njohur dhe fuqizuar gratë fermere
„Kjo është një punë shumë e vështirë dhe e lodhshme, e mbushur me sakrifika. Nuk është një sakrificë për disa gjëra, por për gjithçka. Punoj 365 ditë në vit, nuk kam asnjë ditë pushimi. Zgjimi në mëngjes është në orën 4:30”, tregon Naimja.
Naimja banon në fshatin Baldushk. Ajo merret me bujqësi.
“Shkoj me lopë, laj shpëlaj rrobat, bëj gjellën kalamajve. Burri se ka qejf fort punët e shtëpisë, burri po s’qesh unë në shtëpi, nuk ha bukë për vete”,thotë ajo.
Familjet në këtë fshat merren me mbarështimin e lopëve qumështore dhe kultivimin e shpezëve. Pika e grumbullimit të qumështit iu ka mundësuar grave edhe fitimin e të ardhurave.
“Ky biznes i qumështit është shumë i mirë për mua dhe për gratë e tjera, sepse ne mund ta bëjmë atë krahas punëve të tjera të shtëpisë. Prandaj më pëlqen shumë biznesi i qumështit. Tani mund të fitojmë para nga shtëpia”, thotë ajo.
Përgjithësisht gratë administrojnë ferma më të vogla në krahasim me burrat, por tani ato po përfitojnë nga popullariteti i tregut fshatar dhe interesimi i popullatës për të blerë produkte lokale.
“Fakti që tregu fshatar po bëhet shumë i frekuentuar na ndihmon ne si fermerë që prodhojmë produkte specifike, jo të konsumit në masë. Ne marrim çmim më të mirë në këtë treg, se sa po t’ia shisnim një ndërmjetësi.”
Gratë fermere thonë se megjithëse puna në bujqësi është e lodhshme, e preferojnë pasi ofron pavarësi, fleksibilitet dhe të jep një ndjenjë vetë-përmbushjeje.