TRËNDAFILE MALI – ARTIZANIA QË IA KA KUSHTUAR JETËN VESHJEVE TRADICIONALE
Në një shtëpi të vogël në Tapizë, në rrethinat e Tiranës, Trëndafile Mali, 43 vjeç, ka kthyer pasionin e saj për artizanatin në një profesion të vërtetë, duke e shndërruar shtëpinë në një atelie të mirëfilltë. Prej më shumë se 20 vitesh, Trëndafilja punon me përkushtim në krijimin e veshjeve tradicionale shqiptare, qëndisjen e motiveve të lashta dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore përmes punimeve të dorës. Por për Trëndafilen, ky profesion është shumë më tepër se një burim të ardhurash; është një jetë e ndërtuar mbi sakrificë, pasion dhe përkushtim ndaj familjes dhe traditës.
Trëndafilen e tërhoqi artizanati që në fëmijëri, duke filluar punimet e para me grep dhe gjilpërë në moshën 7-vjeçare. Kujton ende që si e vogël, kur shikonte motrën e saj rrobaqepëse duke punuar, u dashurua me artin e qëndisjes. Pasioni për këtë art e shoqëroi gjatë gjithë adoleshencës dhe të ardhurat e para nga shitja e produkteve artizanale i fitonte që në moshën 15-vjeçare. Me të ardhurat e para që krijoi nga shitja e punimeve të dorës bleu materiale të nevojshme për punimet e radhës. Kështu, ajo ndërtoi një lidhje të veçantë me punën e dorës, një lidhje që u kthye në themel të profesionit të saj të ardhshëm.
Goditja që e ringriti dhe e bëri më të fortë
Jeta e Trëndafiles ndryshoi rrënjësisht kur bashkëshorti i saj pësoi një aksident dhe mbeti i paralizuar. Në këtë moment të vështirë, ajo mori përsipër të mbante e vetme familjen dhe filloi ta shihte artizanatin si mundësinë kryesore për të siguruar të ardhurat. Ndonëse për shumë vite klientela e saj kishte qenë kryesisht në vendlindje, Trëndafilja gjeti forcat për të zgjeruar tregun dhe për t’u rikthyer fuqishëm në këtë profesion.
Një nga momentet më të rëndësishme për karrierën e saj ishte një vizitë e rastësishme në Pazarin e Krujës. “Vura re një jelek të qëndisur me shqiponjë dhe i thashë shitëses se edhe unë mund ta punoja një të tillë,” tregon ajo. Shitësja e sfidoi ta qëndiste aty për aty, dhe Trëndafilja e pranoi sfidën, duke e përfunduar punimin në kohë dhe me cilësi të lartë. Kjo ia siguroi kontratën për të punuar edhe 20 jelekë të tjerë, duke e vendosur kështu në një rrugë të re në tregun e veshjeve artizanale.
Me kalimin e viteve, shtëpia e Trëndafiles u kthye në një atelie të vërtetë, ku çdo cep ishte dedikuar materialeve, qepjes dhe qëndisjes. Përmes kësaj, ajo gjeti një mënyrë për të përballuar vështirësitë financiare, duke përfituar nga njohjet e përbashkëta dhe komunikimi online për të reklamuar punimet e saj. Sfidat nuk mungojnë: mungesa e mjeteve të mjaftueshme financiare për të blerë materiale në sasi të mëdha shpesh e pengon të përmbushë kërkesat në kohë, ndërsa kostot e transportit dhe furnizimit mbeten një barrë e rëndësishme.
Megjithatë, ajo vazhdon të punojë me përkushtim, duke krijuar qëndisma të veshjeve nga zona të ndryshme të Shqipërisë. Çdo porosi është unike dhe kërkon detajim, pasi një jelek për zonën e Tiranës, për shembull, mund t’i marrë rreth 5 ditë për ta përfunduar.
Trëndafilja dhe biznesi i saj po lulëzojnë edhe me mbështetjen e djemve
Gjatë viteve të fundit, Trëndafilja ka marrë mbështetje nga programe të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare për sipërmarrjet e reja. Falë projektit GËES ajo mori një makinë qepëse, e cila ia ka bërë më të lehtë punën dhe i ka dhënë mundësi të përmbushë më shumë porosi. Kjo mbështetje i dha një shtysë të re, duke i hapur rrugën për rritjen e biznesit të saj.
Në zhvillimin e biznesit tashmë Trëndafilja ka në krahë edhe dy djemtë e saj. Djali i madh, 15 vjeç, e ndihmon jo vetëm me transportin e lëndës së parë dhe të produkteve të prodhuara, por edhe në qepje. Djali i vogël është vetëm 8 vjeç dhe e ndihmon nën e tij në realizimin e proceseve të thjeshta. Për Trëndafilen, ky është një realizim i madh i ëndrrës së saj – që djemtë të ndjekin hapat e saj dhe të mbajnë gjallë këtë traditë të çmuar.
Trëndafilja shpreson që në të ardhmen, djemtë e saj të kenë një atelie profesionale të pajisur me çdo mjet të nevojshëm për të përmbushur kërkesat në rritje të klientelës. Për të, kjo nuk është vetëm një ëndërr për të ardhmen e djemve, por edhe një mënyrë për të çuar përpara trashëgiminë e pasur të artizanatit shqiptar dhe për të kontribuar në ruajtjen e kulturës kombëtare.
Me guximin dhe përkushtimin e saj, Trëndafile Mali është bërë një shembull i vërtetë i forcës së gruas shqiptare, e cila përballon sfidat, krijon mundësi nga sakrificat dhe kthen vështirësitë në një histori suksesi. Me një punë që kombinon mjeshtërinë artizanale me trashëgiminë e pasur kulturore, Trëndafilja vazhdon të krijojë një impakt të ndjeshëm në jetën e saj, të familjes dhe komunitetit përreth.