HESHTJA E MADHE QË MBULON NGACMIMIN SEKSUAL NË VENDIN E PUNËS
Ngacmimi seksual në vendin e punës është një fenomen i shpeshtë, por fatkeqësisht mbetet kryesisht i pa raportuar. Sipas studimit të fundit mbi ngacmimet seksuale në Shqipëri, vetëm 2 në 10 gra ose vajza të ngacmuara kanë guxuar të ngritin zërin apo të paraqesin një ankesë, qoftë edhe jozyrtare. Një përqindje e konsiderueshme e grave dhe vajzave të ngacmuara kanë zgjedhur ta lënë vendin e punës si mënyrë për t’i shpëtuar kësaj situate, një tregues shqetësues i mungesës së mbështetjes efektive brenda kompanive.
Raporti tregon se gratë shpesh përballen me kërcënime dhe presion nga eprorët për të heshtur, duke qenë se ngacmuesit shpesh janë në pozita të fuqishme në strukturën hierarkike. Frika e hakmarrjes, humbjes së punës dhe stigmës sociale bën që shumë gra të zgjedhin heshtjen si mënyrën më të sigurt për të mbrojtur veten dhe karrierën e tyre. Nga ana tjetër, burrat që përjetojnë ngacmim seksual, shpesh hezitojnë të raportojnë për shkak të paragjykimeve kulturore, pasi ngacmimi seksual ndaj burrave shpesh perceptohet si diçka e papërfillshme ose e tallur nga shoqëria.
Një aspekt i rëndësishëm që ngre ky studim është se shumica e të ngacmuarve ndajnë shqetësimet e tyre vetëm me miqtë apo familjarët, në vend që t’i paraqesin ato brenda vendit të punës. Shumë nga të ngacmuarit nuk besojnë se institucionet do t’i marrin seriozisht ankesat e tyre. Në rastet e pakta ku janë ngritur ankesa, përgjigjet e punëdhënësve kanë qenë shpesh jo të fuqishme, me masat e marra që variojnë nga qortimet e lehta deri te transferimi i ngacmuesve në sektorë të tjerë, por rrallëherë largimi i tyre nga puna.
Raporti tregon edhe për një fenomen shqetësues: viktimat që zgjedhin të qëndrojnë në punë shpesh përballen me armiqësi dhe intimidim nga ngacmuesit, të cilët reagojnë me arrogancë dhe kërcënime për largim nga puna. Kjo klimë armiqësore bën që viktimat të përballen me ankth dhe stres të vazhdueshëm, duke ndikuar negativisht jo vetëm në shëndetin e tyre mendor, por edhe në produktivitetin dhe qëndrueshmërinë e tyre në punë.
Sipas studimit, edhe në rastet kur ngacmuesit janë ndëshkuar, dënimet kanë qenë kryesisht simbolike dhe në shumicën e rasteve të paefektshme për t’i dhënë fund sjelljeve të tyre. Ky qëndrim i dobët dhe jo efektiv ndaj ngacmimit seksual tregon për një problem të madh në kulturën organizative të institucioneve dhe kompanive në Shqipëri. Shumë individë të prekur e ndiejnë veten të pambrojtur dhe preferojnë të mos raportojnë për shkak të pasojave të mundshme dhe për shkak të përfoljeve që mund të pasojnë në rast të një denoncimi publik.
Heshtja rreth ngacmimit seksual në punë është një plagë e madhe për mjediset e punës në Shqipëri dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Pa krijimin e një kulture të sigurt raportimi, zbatimin e rregullave të qarta dhe dënime të rrepta për ngacmuesit, ky fenomen nuk ka gjasa të ndryshojë. Mbrojtja e punonjësve nga ngacmimi seksual është thelbësore për të ndërtuar një ambient pune ku respektohet dinjiteti dhe siguria e çdo individi, një standard që duhet të jetë prioritet i çdo punëdhënësi dhe institucion publik apo privat.