NGACMIMI SEKSUAL – FENOMENI DEMORALIZUES DHE QË KRIJON NJË MJEDIS TË PASIGURT PUNE
Ngacmimi seksual në vendin e punës mbetet një plagë e thellë për shumë punonjës në Shqipëri, duke krijuar një atmosferë të pasigurt dhe demoralizuese. Të dhënat nga raporti i fundit i TFL-së, “Ngacmimi Seksual në Vendin e Punës,” tregojnë se ky fenomen vazhdon të jetë i përhapur dhe se punonjësit përballen me një gamë të gjerë formash të ngacmimit seksual që shpesh herë minimizohen ose tolerohen. Të dhënat e raportit ngrenë alarmin për nevojën e ndërhyrjeve të menjëhershme dhe të qëndrueshme për të siguruar një ambient pune të sigurt dhe të respektuar për të gjithë.
Format me të cilat shfaqet ngacmimi seksual
Sipas raportit, forma më e zakonshme e ngacmimit seksual në vendin e punës në Shqipëri është nëpërmjet shakave dhe nënkuptimeve me natyrë seksuale. Sipas gjetjeve, 6 në 10 punonjës nga ata që kanë përjetuar ngacmim seksual raportojnë përjetimin e shakave të tilla, një numër alarmues që tregon për tolerimin e një sjelljeje që tejkalon kufijtë e respektit dhe profesionalizmit. Shumë individë ende nuk e konsiderojnë këtë formë sjelljeje si ngacmim seksual, duke krijuar kështu një klimë ku sjellje të tilla pranohen si “normale” apo të pranueshme. Madje, 4 në 10 punonjës e shohin këtë sjellje si të përshtatshme në kontekste të caktuara, duke e bërë edhe më të vështirë adresimin e saj në një mënyrë të vendosur.
Një tjetër formë ngacmimi e përhapur është komentimi për pamjen fizike dhe shikimet e papërshtatshme të natyrës seksuale. Këto gjeste shkelin privatësinë dhe integritetin personal të viktimave, duke krijuar një ndjesi shqetësimi dhe frike për shumë individë. Ngacmimet verbale dhe vizuale janë të përhapura dhe shpeshherë ndodhin në ambiente të hapura pune, gjë që ndikon në përjetimin e përditshëm të ngacmimit nga viktimat.
Kontakti fizik i paftuar është një tjetër formë e ngacmimit që sjell stres dhe pasiguri për viktimat. Përqafimet e padëshiruara, vendosja e dorës në shpinë, apo kontaktet fizike të tjera janë përjetuar nga më shumë se 4 në 10 punonjës të ngacmuar. Këto kontakte shpesh nuk janë vetëm të padëshiruara, por krijojnë edhe një atmosferë kërcënuese, ku viktimat e kanë të vështirë të ndihen të sigurta në vendin e tyre të punës. Mungesa e masave ndëshkuese për sjellje të tilla vetëm sa përforcon vazhdimin e tyre.
Një nga format më të rënda të ngacmimit seksual është përdorimi i pushtetit nga drejtuesit për të kërkuar favore seksuale në këmbim të avantazheve në karrierë. Sipas raportit, 10% e atyre që kanë përjetuar ngacmim seksual kanë përjetuar presion për favore seksuale nga eprorët, një fenomen shqetësues që përforcon fuqinë e keqpërdorur të pushtetit në ambiente pune. Kur ngacmimi vjen nga eprori, viktimat shpesh nuk ndihen të sigurta për të raportuar rastet dhe mund të ndihen të detyruara të pranojnë këto kërkesa, ose të përballen me rrezikun e humbjes së vendit të punës. Ky fenomen është një tregues i qartë i nevojës për politika mbrojtëse që i japin viktimave një rrugë të sigurt për të raportuar ngacmimet.
Pengesat për adresimin e problemit
Një nga pengesat kryesore në adresimin e ngacmimit seksual në vendin e punës është frika e hakmarrjes dhe humbjes së vendit të punës. Viktimat shpesh ndihen të kërcënuara dhe të pasigurta për të denoncuar ngacmuesin, sidomos kur ky i fundit është në pozita pushteti. Përballë këtyre situatave, shumë punonjës zgjedhin të heshtin dhe të mbajnë përvojën e tyre për veten, duke përjetuar ankth dhe ndjesi të përhershme kërcënimi. Sipas raportit, ngacmimet shpesh vazhdojnë edhe pas orarit të punës, përmes telefonatave dhe mesazheve të papërshtatshme që i lënë viktimat të ndihen të kërcënuara dhe të pasigurta.
Studimi tregon se gratë dhe burrat përjetojnë lloje të ndryshme ngacmimesh seksuale. Burrat shpesh raportojnë si ngacmim provokimet me veshje stimuluese, ndërsa gratë përjetojnë ngacmime më të drejtpërdrejta, përfshirë kërkesat për favore seksuale. Gjithashtu, burrat janë më të prirur të interpretojnë flirtimin në punë si ngacmim, një tregues ky i ndjeshmërisë dhe dallimeve të perceptimeve që ekzistojnë mes gjinive për ngacmimin seksual.
Rezultatet e raportit nënvizojnë një nevojë të menjëhershme për politika dhe rregullore të brendshme që adresojnë ngacmimin seksual në vendin e punës. Kompanitë dhe institucionet duhet të vendosin mekanizma të qarta për raportimin e ngacmimit seksual, duke siguruar një ambient ku punonjësit ndihen të mbrojtur dhe të respektuar. Trajnimet periodike dhe ndërgjegjësimi i stafit janë hapa të domosdoshëm për të ndryshuar kulturën e tolerancës ndaj ngacmimit dhe për të rritur sigurinë për të gjithë punonjësit.