Media & PR

NDJEKJA E DENONCIMEVE PËR NGACMIMIN SEKSUAL NË VENDIN E PUNËS NË SHQIPËRI


Ngacmimi seksual në vendin e punës është një çështje shqetësuese që përqendron vëmendjen e shoqërisë, duke nënvizuar rëndësinë e krijimit të mjediseve të sigurta dhe të mbrojtjes së dinjitetit të çdo punonjësi. Studimi më i fundit “Ngacmimi Seksual në Vendin e Punës në Shqipëri” sjell në pah perceptimet e punonjësve mbi trajtimin e denoncimeve për ngacmimin seksual dhe vlerëson seriozitetin dhe efektivitetin e institucioneve në këtë drejtim, duke analizuar sfidat dhe hapësirat për përmirësime.


Sipas të dhënave të studimit, gjysma e punonjësve (50%) besojnë se institucionet e tyre i ndjekin denoncimet për ngacmimet seksuale me seriozitet dhe angazhim të lartë. Ndërkohë që 1 në 5  të pyetur (20%) mendojnë se ndjekja e denoncimeve mund të ndodhë vetëm pjesërisht ose në raste të veçanta. Ndërkohë, rreth po aq, pra 20% e të anketuarve, nuk kanë informacion ose përvojë të drejtpërdrejtë për të vlerësuar se si trajtohen këto raste. Këto të dhëna tregojnë një përmirësim në qëndrimin e institucioneve, por gjithashtu nënvizojnë nevojën për rritjen e transparencës dhe konsistencës në trajtimin e rasteve të denoncuara të ngacmimit seksual.


Një nga shqetësimet kryesore që pengon punonjësit të raportojnë ngacmimet seksuale është frika e hakmarrjes nga ngacmuesi, veçanërisht kur ky i fundit ka rol eprori ose është vetë punëdhënësi. Kjo frikë e fuqishme nga pasojat, e përforcuar nga shqetësimi se mund të humbasin vendin e punës ose të përballen me masa disiplinore, i shtyn shumë punonjës që kanë përjetuar ngacmim të heshtin. Shumë viktima preferojnë të mos flasin për të shmangur ndonjë dëm të mëtejshëm ose për të mos hyrë në konflikte që mund të rëndojnë më tej situatën e tyre.


Studimi gjithashtu zbulon një aspekt tjetër shqetësues: shpeshherë, punonjësit mësojnë për ngacmimin seksual të një kolegu ose kolegeje vetëm pasi viktima ka vendosur të largohet nga vendi i punës. Ky fenomen përforcon kulturën e heshtjes dhe tregon mungesën e mbështetjes nga kolegët, të cilët shpesh nuk janë të vetëdijshëm për rastet e ngacmimit. Punonjësit që marrin vesh për këto raste më vonë shprehin keqardhje, duke deklaruar se do të kishin mbrojtur kolegun ose kolegen nëse do të ishin të informuar më parë. Kjo situatë nënvizon rëndësinë e krijimit e një ambienti të hapur dhe mbështetës, ku viktimat ndihen të sigurta për të kërkuar ndihmë nga kolegët.


Një aspekt thelbësor i studimit është dallimi i qartë në perceptimet dhe ndjekjen e denoncimeve për ngacmim seksual midis institucioneve që kanë rregullore të brendshme të formalizuara dhe atyre që nuk kanë. Institucionet që zbatojnë politika të qarta për mbrojtjen nga ngacmimi seksual tregojnë nivele më të larta të ndjekjes së rasteve dhe trajtimit të tyre me seriozitet, duke ndihmuar në krijimin e një ambienti më të sigurt për punonjësit. Këto rezultate sugjerojnë se rregulloret e formalizuara përmirësojnë ndërgjegjësimin dhe u japin punonjësve sigurinë e nevojshme për të raportuar ngacmimet.


Megjithëse ka përparime në qëndrimin e institucioneve ndaj ndjekjes së denoncimeve, 14% e të anketuarve vazhdojnë të shprehin mosbesim dhe dyshime mbi efektivitetin e procedurave aktuale për trajtimin e këtyre rasteve. Ky rezultat tregon një nevojë për përmirësim të mëtejshëm në transparencën dhe besueshmërinë e institucioneve, sidomos në sektorët ku ngacmimet mund të ndodhin nga drejtuesit e lartë ose nga vetë punëdhënësi. Rritja e ndërgjegjësimit dhe zbatimi rigoroz i procedurave për raportimin e ngacmimeve është thelbësor për të siguruar që çdo rast trajtohet me seriozitetin e duhur dhe që çdo punonjës ndjehet i mbrojtur në punën e tij.


Studimi tregon se, ndonëse institucionet kanë bërë përparime në trajtimin e denoncimeve për ngacmime seksuale, ka ende hapësira për përmirësim dhe forcim të rregullave. Për ta bërë këtë realitet, janë të nevojshme: trajnime të detyrueshme për të gjithë punonjësit, rishikimi periodik i rregulloreve për të siguruar që ato të jenë të përditësuara dhe të përshtatshme për mjedisin aktual të punës, dhe sigurimi i një ambienti konfidencial për raportim, ku punonjësit mund të denoncojnë ngacmimet pa frikë nga hakmarrja ose dënimet e padrejta.


Ndjekja efektive dhe serioze e denoncimeve për ngacmimet seksuale është thelbësore për ndërtimin e një kulture pune të drejtë dhe mbrojtjen e dinjitetit të çdo individi në vendin e punës. Institucionet, veçanërisht ato që ende nuk kanë politika të qarta mbi këtë çështje, duhet të marrin masa të menjëhershme për të përmirësuar proceset e ndjekjes dhe për të forcuar besimin e punonjësve në transparencën dhe drejtësinë e tyre.