Media & PR

Krijimi i një ambienti të sigurt pune përgjegjësi e punëdhënësit dhe punëmarrësit


Siguria dhe integriteti në vendin e punës janë të drejta themelore për çdo punonjës. Një ambient pune i sigurt nuk përfshin vetëm mbrojtjen fizike, por edhe atë morale dhe psikologjike, duke përjashtuar çdo formë ngacmimi seksual apo sjellje të papërshtatshme që shkelin dinjitetin dhe të drejtat e individit. Historikisht, koncepti i sigurisë në punë është përqendruar kryesisht në aspektet fizike, duke u fokusuar në sigurinë teknike dhe shëndetin në ambientet e punës. Por me kalimin e kohës, dhe sidomos me rritjen e ndërgjegjësimit për të drejtat e njeriut, janë shtuar përpjekjet për të mbrojtur punonjësit nga abuzimet morale dhe psikologjike. Ligjet dhe standardet ndërkombëtare sot ngacmimi seksual në vendin e punës e njohin si një nga format më të përhapura të dhunës në punë dhe për këtë arsye ato janë zhvilluar dhe fuqizuar. Po ashtu,  mbrojtja nga ky fenomen është kthyer në një prioritet për shumë organizata dhe kompani.


Rregulloret e brendshme të ndërmarrjeve dhe njohuria e punamërrsve për to


Në çdo ambient pune, rregulloret dhe politikat e brendshme për ngacmimin seksual duhet të jenë të qarta dhe të aksesueshme për të gjithë punonjësit. Përgjegjësia për sigurinë në punë bie kryesisht mbi drejtuesit dhe punëdhënësit, të cilët duhet të krijojnë një ambient ku punonjësit të ndihen të mbrojtur dhe të trajtohen me dinjitet.


Sipas të dhënave të studimit të TFL-së, ndërgjegjësimi për rregulloret e brendshme që mbrojnë punonjësit nga ngacmimi seksual është më i lartë në institucionet publike dhe në organizatat jo-qeveritare, të cilat kanë marrë masa më të mëdha për të informuar dhe edukuar stafin e tyre mbi këtë çështje. Ndërkohë, në kompanitë private, dijenia për këto rregullore mbetet e ulët, duke sugjeruar një neglizhencë nga ana e këtyre subjekteve për të trajtuar çështjet e ngacmimit seksual. Punëdhënësit në sektorin privat nuk organizojnë trajnime apo takime të rregullta për të rritur ndërgjegjësimin e punonjësve mbi të drejtat e tyre dhe masat disiplinore për rastet e ngacmimit seksual. Si pasojë, shumë punonjës nuk kanë njohuri të mjaftueshme mbi procedurat dhe mbrojtjen që u takon në rast të ngacmimeve.


Sipas studimit të fundit të TFL-së, rezulton se 52% e punonjësve janë në dijeni të ekzistencës së një rregulloreje të brendshme për mbrojtjen nga ngacmimi seksual, ndërsa pjesa tjetër ose nuk janë të informuar, ose nuk janë të sigurt për këto masa mbrojtëse. Ky nivel i ulët i ndërgjegjësimit thekson nevojën për përpjekje më të mëdha nga punëdhënësit, veçanërisht në sektorin privat, për të krijuar një ambient pune të sigurt dhe për t’u siguruar që çdo individ të ketë informacion të qartë mbi të drejtat dhe masat mbrojtëse.


Faktorët e pabarazisë gjinore dhe stereotipet shoqërore


Stereotipet gjinore dhe normat shoqërore janë faktorë që ndikojnë thellësisht në perceptimin dhe përhapjen e ngacmimit seksual në vendin e punës. Për shumë individë, pritshmëritë tradicionale mbi seksualitetin përcaktojnë sjelljen e tyre në punë, ku burrat shpesh ndihen më të “lejuar” për të ndërmarrë iniciativë, ndërsa gratë përballen me presionin për t’u treguar të nënshtruara dhe për të shmangur reagimet e hapura. Stereotipet që i shohin gratë si më të cenueshme krijojnë terren për justifikimin e ngacmimit, duke bërë që shumë viktima të hezitojnë të flasin nga frika e gjykimit apo e stigmës sociale.


Një faktor shqetësues i evidentuar nga studimi është fakti se shumë viktima zgjedhin të heshtin, duke mos raportuar ngacmimet nga frika e hakmarrjes, gjykimeve apo edhe humbjes së vendit të punës. Përballë ngacmimeve nga eprorët, viktimat shpesh përballen me një rrezik më të madh, pasi autoritetet e larta në punë kanë fuqi të konsiderueshme mbi të ardhmen e tyre profesionale. Siç dëshmohet nga të intervistuarit, abuzimi me pushtetin nga drejtuesit shpesh është i qëllimshëm dhe bëhet me dijeni të plotë të pasojave që mund të ketë për punonjësit. Kjo situatë kërkon masa të ashpra që të parandalojnë ngacmimin dhe të mbrojnë viktimat në rast të denoncimeve, duke krijuar mekanizma të posaçëm për të siguruar që ato të mos kenë pasoja negative. Punonjësit që janë të informuar për të drejtat e tyre dhe për procedurat e raportimit kanë më shumë gjasa të reagojnë dhe të marrin hapa për të parandaluar ngacmimin. Sidoqoftë, mungesa e komunikimit mbi këto masa në shumë kompani private sugjeron një nevojë të madhe për përmirësim në trajtimin e këtyre çështjeve.


Siguria në vendin e punës është një e drejtë themelore dhe një përgjegjësi e përbashkët që kërkon angazhim nga të gjitha palët. Subjektet punëdhënëse duhet të sigurojnë një mjedis ku punonjësit ndihen të mbrojtur, të ndërgjegjësuar dhe të respektuar. Për të arritur këtë, është thelbësore që të gjitha organizatat, si publike ashtu edhe private, të zbatojnë rregullore të qarta dhe të ofrojnë trajnime të vazhdueshme mbi ngacmimin seksual dhe mbrojtjen nga kjo sjellje. Këto masa do të ndihmojnë në ndërtimin e një mjedisi pune të sigurt, ku çdo individ të ndjehet i vlerësuar dhe të jetë në gjendje të zhvillohet profesionalisht pa frikë nga ngacmimi apo diskriminimi.