Media & PR

SJELLJET E PRANUESHME DHE TË PAPRANUESHME NË VENDIN E PUNËS


Një reflektim i normave kulturore dhe gjinore


Sjellja e përshtatshme në vendin e punës është një koncept shumë-dimensional, që ndikohet nga një kombinim i vlerave kulturore, normave shoqërore dhe perceptimeve gjinore, duke e bërë të vështirë përkufizimin e saj të saktë dhe universal. Çdo vend pune përfshin individë me prapavija të ndryshme kulturore dhe përvoja të ndryshme personale, të cilat ndihmojnë në formimin e qëndrimeve mbi sjelljet e pranueshme dhe të papranueshme. Studimi i TFL “Ngacmimi Seksual në Tregun e Punës”, hedh dritë mbi këtë kompleksitet, duke treguar se qëndrimet ndaj sjelljeve në punë varen shumë nga faktorë si mosha, gjinia dhe përvoja kulturore. Për shembull, grupmoshat e reja kanë tendencë të jenë më të ndjeshme ndaj sjelljeve që shihen si ngacmim, ndërsa individët nga brezat e mëparshëm mund të shfaqin tolerancë më të madhe ndaj shprehjeve që ata i konsiderojnë si humor ose komunikim i hapur. Gjithashtu, diferencat gjinore në perceptime janë të dukshme, pasi gratë shpesh përballen me sfida të veçanta për shkak të ngacmimeve të mundshme ose komenteve për pamjen e tyre, ndërsa burrat mund të kenë qëndrime më të tolerueshme ndaj këtyre sjelljeve ose të mos i shohin ato si problematike.


Pavarësisht këtyre dallimeve, ekziston një vlerë universale që lidh çdo mjedis pune të shëndetshëm: respekti për integritetin dhe dinjitetin e çdo individi. Ky respekt është i përkufizuar qartë nga standardet ligjore dhe etike, që kërkojnë një mjedis pune të sigurt dhe të respektueshëm për të gjithë. Shumica e vendeve përfshijnë në kuadrin e tyre ligjor dhe rregullator masa që mbrojnë punonjësit nga sjelljet e papërshtatshme, si ngacmimi seksual, keqpërdorimi i pozitës së punës për përfitime seksuale apo çdo formë tjetër ngacmimi që cenon të drejtat e punonjësve. Këto standarde kërkojnë që drejtuesit dhe punonjësit të jenë të vetëdijshëm dhe të përgjegjshëm për sjelljet e tyre, pavarësisht nga ndryshimet kulturore apo besimet individuale.


Në mjedisin shqiptar, për shembull, tranzicionet shoqërore dhe ekonomike kanë krijuar një bashkëjetesë mes brezave me norma dhe pritshmëri të ndryshme për sjelljen profesionale. Ndërsa të rinjtë kanë përvetësuar një ndjeshmëri më të lartë ndaj çështjeve të ngacmimit dhe të drejtave në punë, brezit të mëparshëm i është dashur kohë për t’u përshtatur me këto ndryshime. Kjo bën që dialogu mbi çështjet e etikës dhe sjelljes në punë të jetë më i rëndësishëm se kurrë për të arritur një mirëkuptim të përbashkët.


Ndikimi i Kulturës dhe Gjinive në Perceptimet e Sjelljeve të Papranueshme


Shoqëria shqiptare ka kaluar në faza të thella tranzicioni që kanë ndikuar në normat dhe sjelljet shoqërore, duke krijuar dallime të theksuara mes brezave dhe qëndrimeve mbi çka është e përshtatshme në mjedisin profesional. Kjo larmishmëri qëndrimesh reflekton nevojën për një kuptim më të thellë dhe gjithëpërfshirës të standardeve morale dhe etike të sjelljes në vendin e punës.


Shakatë dhe nënkuptimet me natyrë seksuale janë të ndara mes perceptimeve të gjinive. Ndërsa 45% e burrave i konsiderojnë këto shaka pjesërisht të pranueshme, 42% e grave i refuzojnë totalisht, duke treguar një ndjeshmëri më të lartë të femrave ndaj kësaj forme sjelljeje. Ky qëndrim pasqyron faktin që për shumë gra, batutat e tilla krijojnë një ambient pune të pasigurt, që i shtyn ato të ndihen të ekspozuara ndaj komenteve dhe situatave të pakëndshme.


Komentet për pamjen fizike ose komplimentet për trupin priren të tolerohen më shumë nga burrat, ku 45% i konsiderojnë të pranueshme, ndërsa vetëm 21% e grave ndajnë këtë qëndrim. Megjithatë, edhe pse këto komente shihen më shpesh si pozitive, ato mbeten një temë delikate që mund të kalojë në ngacmim kur nuk respektohen kufijtë dhe ndjeshmëritë individuale.


Pothuajse 9 në 10 gra dhe vajza të punësuara i refuzojnë fjalët e turpshme dhe komentet seksuale direkte në vendin e punës, duke i konsideruar sjellje të papranueshme, krahasuar me 7 në 10 burra. Gjithashtu, thashethemet mbi jetën seksuale, një formë tjetër e përhapur e sjelljes së papranueshme, janë të refuzuara gjerësisht nga të dyja gjinitë, me një refuzim të fortë prej grave, të cilat përballen më shpesh me ngacmime që kanë në qendër jetën e tyre private.


Provokimi me veshje stimuluese, si veshjet që ekspozojnë më shumë se ç’është zakonisht e pranueshme në mjedisin e punës, konsiderohet i papranueshëm nga shumica e grave (70%), ndërsa burrat ndajnë një qëndrim më tolerant ndaj saj (50%). Kjo diferencë qëndrimesh pasqyron jo vetëm standardet gjinore mbi veshjen dhe sjelljen, por edhe ndjeshmërinë më të lartë që gratë kanë ndaj paragjykimeve dhe ngacmimeve të mundshme në mjedisin e punës.


Shprehja e interesit për një marrëdhënie romantike në vendin e punës konsiderohet e papranueshme për shumë punonjës, ku vetëm 1 në 10 gra dhe 2 në 10 burra e pranojnë këtë sjellje. Kjo pasqyron nevojën për të ruajtur profesionalizmin dhe për të shmangur keqkuptimet që mund të krijojnë situata të sikletshme ose të shfaqin ngacmime të papritura.


Kërkesa për favors seksuale dhe quid pro quo në vendin e punës janë ndër sjelljet më të refuzuara, me më shumë se 9 në 10 të punësuar që i konsiderojnë këto veprime totalisht të papranueshme. Ky refuzim unanim tregon një ndjeshmëri të theksuar për pabarazinë në pozitat e pushtetit dhe rrezikun që përbën për të drejtat dhe dinjitetin e çdo individi. Edhe në rastet kur sulmi seksual nuk ka ndodhur në kuadër të quid pro quo, ai mbetet i refuzuar dhe dënohet nga shumica, duke nënvizuar rëndësinë e respektit dhe mbrojtjes në vendin e punës.


Gjetjet e këtij studimi theksojnë nevojën për të krijuar standarde të qarta dhe gjithëpërfshirëse për sjelljet e pranueshme në vendin e punës. Ndërgjegjësimi i punonjësve, hartimi i rregulloreve të brendshme dhe zbatimi i masave që mbrojnë të drejtat dhe sigurinë e çdo individi janë elemente kyç për ndërtimin e një kulture pune të shëndetshme. Diskutimet e hapura dhe edukimi mbi kufijtë dhe respektin në marrëdhëniet profesionale duhet të ndodhin në të gjitha nivelet shoqërore për të shmangur keqkuptimet dhe për të promovuar barazinë dhe sigurinë në mjedisin e punës.