KUSH ËSHTË NGACMUESI? A AKUZOHEN BURRAT PA TË DREJTË?
Ngacmimi seksual në vendin e punës
Ngacmimi seksual në vendin e punës është një çështje komplekse që ka nxitur diskutime të shumta në shumë shoqëri, duke krijuar shpesh edhe perceptime dhe qëndrime të ndryshme mbi akuzat për ngacmim, veçanërisht kur këto përfshijnë burra. Sipas një studimit të fundit të TFL (Raporti “Ngacmimi Seksual në vendin e Punës në Shqipëri” 2024), vetëm 2 në 10 punonjës besojnë se burrat shpesh akuzohen ose ndëshkohen pa të drejtë për ngacmim seksual në punë, por ky perceptim ndryshon ndjeshëm mes gjinive. Rreth 33% e burrave mendojnë se burrat janë të ekspozuar ndaj akuzave të padrejta, krahasuar me vetëm 8% të grave që ndajnë të njëjtin mendim.
Ky qëndrim është veçanërisht i përhapur tek burrat e grupmoshës 46-65 vjeç, dhe kryesisht tek ata që punojnë në institucionet publike. Këto perceptime shpesh bazohen në bindjen se gratë dhe vajzat e nxisin ngacmimin përmes sjelljeve dhe veshjeve të tyre, duke krijuar kështu një situatë ku burrat ndihen “viktima të provokimeve”. Në komente dhe diskutime të ndryshme, sidomos në rrjetet sociale, burrat më të moshuar shpesh argumentojnë se ngacmimi ndodh për shkak të “provokimeve” të gjinisë femërore, duke e interpretuar sjelljen e tyre si një "ftesë" të padëshiruar.
Këto qëndrime reflektojnë nivelet e ndryshme të ndërgjegjësimit për të drejtat e njeriut dhe normat gjinore, dhe nxjerrin në pah mungesën e barazisë në trajtimin e çështjeve që lidhen me ngacmimin seksual. Ndërsa këto perceptime kanë rrënjë në stereotipe të vjetra, ato gjithashtu shtojnë pasigurinë e grave në vendin e punës, duke e bërë të vështirë krijimin e një mjedisi ku të gjitha gjinitë ndihen të mbrojtura dhe të respektuara.
Ngacmuesit gjejnë justifikime për sjelljen e tyre
Rezultatet e kërkimit tregojnë se vajzat dhe gratë e përjetojnë më shpesh ngacmimin seksual dhe përballen me pasoja më të rënda nga ky fenomen. Shpesh ngacmuesit e justifikojnë sjelljen e tyre duke e prezantuar ngacmimin si shaka, lojë apo interesim i pafajshëm, por ata janë të vetëdijshëm për natyrën e veprimeve të tyre. Shakatë seksiste dhe komentet për dukjen, paraqitjen dhe format trupore të grave janë një formë e zakonshme e ngacmimit seksual, që krijon një atmosferë pune të pakëndshme për viktimat dhe ulin besimin mes kolegëve.
Një nga format më të zakonshme të ngacmimit seksual është ajo që shfaqet në formën e humorit apo batutave. Siç dëshmohet në studim, disa kolegë përdorin komente të papërshtatshme për veshjen apo qëndrimin e kolegëve të tyre, duke krijuar një ambient pune të pasigurt dhe të mbushur me tension. Kur ngacmimet ndodhin në formën e shakasë, ato shpesh nuk ndëshkohen, duke krijuar një mjedis lehtësisht të toleruar për ngacmime të tjera, gjë që ndikon negativisht në mirëqenien e punonjësve dhe ul nivelin e respektit për normat dhe vlerat e institucionit.
Stereotipet gjinore dhe normat kulturore ndikojnë ndjeshëm në mënyrën si perceptohen akuzat për ngacmim seksual. Në disa kultura, burrat kanë më shumë vështirësi për të pranuar akuzat për ngacmim, duke justifikuar sjelljen e tyre si pjesë të rolit të tyre social. Këto stereotipe krijojnë një standard të dyfishtë në shoqëri, duke e bërë të vështirë raportimin e ngacmimeve dhe ndëshkimin e drejtë të ngacmuesve.
Këto qëndrime gjithashtu krijojnë një pengesë për ndërtimin e një ambienti të sigurt dhe të barabartë për të gjithë, ku akuzat trajtohen me objektivitet dhe pa paragjykime gjinore. Për burrat, përballja me akuza të padrejta për ngacmim është një shqetësim që ndikon në përjetimet e tyre në vendin e punës, por rëndësia e rregullave të qarta dhe e mbështetjes institucionale është thelbësore për të trajtuar çështjet e ngacmimit seksual në mënyrë të paanshme dhe të drejtë.
Ngacmimi seksual në vendin e punës mbetet një sfidë e rëndësishme për mirëqenien dhe barazinë gjinore, dhe kërkon një qasje serioze dhe të balancuar nga të gjitha institucionet. Çdo akuzë për ngacmim duhet të trajtohet me seriozitet dhe të bazohet në fakte, duke u siguruar që burrat dhe gratë të trajtohen me drejtësi dhe pa paragjykime. Vetëm përmes ndërgjegjësimit të përbashkët dhe zbatimit të rregullave të qarta mund të krijohet një ambient pune i sigurt dhe respektues për të gjitha gjinitë, ku çdo individ ndjehet i mbrojtur dhe i vlerësuar.