NGACMIMI SEKSUAL NË VENDIN E PUNËS I PREK TË GJITHË PAVARËSISHT GJINISË
Ngacmimi seksual në vendin e punës është një fenomen i ndërlikuar dhe shumëdimensional, i cili prek jo vetëm gratë, por edhe burrat, duke ndikuar në mirëqenien e të dyja gjinive. Ngacmimi seksual në vendin e punës është një fenomen i ndërlikuar dhe shpesh i lidhur ngushtë me gjininë e viktimës, ku gratë dhe vajzat janë më të prekura, kryesisht për shkak të normave kulturore dhe stereotipeve gjinore që e pozicionojnë mashkullaritetin si dominues dhe e shohin gruan si më të cenueshme. Sipas studimit të fundit mbi këtë temë “Ngacmimi Seksual në Vendin e Punës” të kryer nga shoqata Together for Life, gratë janë më të prekura nga ngacmimi seksual dhe perceptimi publik është i qartë në këtë drejtim: rreth 1 në 3 punonjës beson se gratë përjetojnë ngacmime seksuale të rregullta në vendet e tyre të punës, ndërsa burrat gjithashtu janë të ekspozuar ndaj këtij fenomeni në mënyrë të konsiderueshme.
Ngacmimi seksual shpesh buron nga norma
kulturore të mbështetura mbi ide maskiliste, ku mashkullariteti lidhet me
forcën dhe lirinë seksuale. Këto norma krijojnë premisa për ngacmim dhe e
justifikojnë atë, duke e pozicionuar gruan si objekt të padëshiruar të këtij
fenomeni. Gratë dhe vajzat që kanë qëndruar jashtë vendit për studime ose punë
dhe janë kthyer, shpesh perceptohen si "më liberale" nga ngacmuesit,
që besojnë se liria e tyre duhet t’i bëjë ato më të hapura ndaj afrimeve të
padëshiruara.
Kjo ndarje gjinore e viktimave vjen nga një
kulturë që shpesh toleron ngacmimin si një formë "normale" të
ndërveprimit, duke i bërë gratë më të ekspozuara ndaj ngacmimeve të ndryshme.
Të dhënat tregojnë se gratë janë më të prekura nga ngacmimi seksual, me 36% të
grave dhe 35% të burrave që ndajnë bindjen se femrat përballen rregullisht me
situata ngacmimi në punë. Kjo përqindje e lartë tregon një ndërgjegjësim të
theksuar për ngacmimin që përjetojnë gratë në vendin e punës. Për grupmoshën e
re, 16-25 vjeç, ky perceptim është edhe më i fortë, ku 43% e tyre besojnë se
gratë janë të ekspozuara rregullisht ndaj ngacmimeve. Ky ndërgjegjësim i lartë
mund të reflektojë perceptimet e të rinjve mbi kufijtë e etikës në sjellje dhe
ndikimin e kulturës bashkëkohore.
Burrat nuk janë imun ndaj fenomentit të
ngacmimit seksual
Shoqëria ka prirje që burrat të shihen më
shumë si ngacmues se sa si viktima të ngacmimit. Kjo ndikon që burrat e
ngacmuar të hasin vështirësi në raportim dhe shpesh nuk ndihen të lirë të
ndajnë përvojat e tyre për shkak të stigmatizimit. Ata ndihen të frikësuar nga
perceptimi se “kanë dështuar” në përballjen me situatën, duke i bërë kështu më
të izoluar dhe të pasigurt në përpjekjet për të kërkuar ndihmë.
Edhe pse burrat janë më rrallë viktima të
ngacmimeve seksuale, përqindja e atyre që përballen me këtë fenomen nuk është e
papërfillshme. Pothuajse një e treta e punonjësve pranojnë se burrat mund të
jenë viktima të ngacmimeve në punë. Një pjesë më e madhe e grave (31%) besojnë
se burrat ngacmohen, krahasuar me 28% të burrave që e pranojnë këtë fakt. Kjo
diferencë mund të lidhet me vështirësinë e burrave për të folur hapur rreth
ngacmimit për shkak të stereotipeve gjinore, të cilat e vendosin burrin në
pozita të vështira për të raportuar ngacmimet, pasi shoqëria i sheh ata
kryesisht si ngacmues dhe jo si viktima.
Organizatat jo-qeveritare paraqesin një
ndjeshmëri më të lartë ndaj çështjeve gjinore dhe mbrojtjes së të drejtave të
punonjësve, ku mbi 54% e punonjësve besojnë se burrat gjithashtu ngacmohen
seksualisht. Kjo reflekton përpjekjet e këtyre organizatave për të promovuar
një mjedis pune të barabartë dhe të sigurt për të gjithë.
Përveç grave, edhe personat LGBT+ janë objekt
i ngacmimit seksual në vendin e punës. Ky grup përballet jo vetëm me ngacmim,
por edhe me bullizëm dhe dhunë për shkak të orientimit seksual ose identitetit
gjinor, duke e bërë ambientin e punës një vend të pasigurt për ta. Në mungesë
të rregulloreve të brendshme që mbrojnë këtë grup, ata mbeten të pambrojtur dhe
shpesh të stigmatizuar, çka e rrit më tej ndjenjën e pasigurisë.
Krijimi i politikave dhe rregulloreve që
trajtojnë ngacmimin seksual dhe mbrojnë çdo individ në vendin e punës është
thelbësor për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të respektuar. Përmirësimi i
ndërgjegjësimit mbi këtë problem dhe heqja e stigmatizimit për viktimat,
pavarësisht nga gjinia, janë hapa të rëndësishëm për një kulturë pune ku çdo
individ mund të ndjehet i mbrojtur dhe i respektuar.