Media & PR

NGACMIMI SEKSUAL NË VENDIN E PUNËS



Një sfidë globale dhe perspektivat kulturore në vendimmarrje


Ngacmimi seksual në vendin e punës është një çështje që ndikon në mirëqenien e punonjësve dhe në mjedisin e punës, duke përbërë një sfidë për shoqëritë moderne në të gjitha vendet. Bazuar në raportin e TFL-së, “Ngacmimet Seksuale në Vendin e Punës”, më shumë se gjysma e punonjësve (57%) në Shqipëri e konsiderojnë ngacmimin seksual si një problem të rëndësishëm në vendin e punës. Ky perceptim është më i fortë tek të rinjtë e grupmoshave 16-25 vjeç dhe gratë, dy kategori që raportojnë më shpesh përvoja të tilla. Kjo ndjeshmëri dhe ndërgjegjësim për problematikën nuk kufizohet vetëm te përvojat personale, por shpesh vjen nga përballja me lajme dhe raporte ndërkombëtare dhe nga fushatat për sensibilizimin e publikut.


Perceptimi dhe qasja ndaj ngacmimit seksual në vendin e punës ndryshojnë ndjeshëm në vende të ndryshme, të udhëhequra nga norma dhe vlera kulturore që i karakterizojnë këto shoqëri. Kështu, në kulturat perëndimore, ngacmimi seksual konsiderohet si cënim i të drejtave të njeriut, që ndikon në jetën ekonomike, sociale dhe në shëndetin mendor të viktimës. Për këtë arsye, ngacmimi seksual trajtohet si një temë e përditshme, ndërsa shumë kompani dhe institucione ndërtojnë politika të qarta për parandalimin dhe ndëshkimin e kësaj sjelljeje.


Fushatat ndërkombëtare, si #MeToo - fushata më e madhe e ndërmarrë deri tani në rang global, kanë ndikuar në ndërgjegjësimin e publikut dhe në rritjen e denoncimeve për këto raste, duke kërkuar ndërtimin e mjediseve në punë më të sigurta për punëmarrësit, veccanërisht për gratë dhe vajzat, të cilat janë më së shumti viktimat e ekzistencës së këtij fenomeni.


Megjithatë, në vende të tjera, veçanërisht në disa rajone të Lindjes së Mesme dhe Azisë, ngacmimi seksual mbetet ende një temë tabu, dhe për këtë arsye raportimi i tij konsiderohet si një turp për vetë viktimën, madje edhe për familjen e tyre. Pikërisht është ky mentalitet shoqëror i këtyre vendeve përbën një pengesë të madhe për viktimat që të denoncojnë përvoja të tilla. Madje edhe roli i organizatave të shoqërisë civile në këto vende në trajtimin e fenomentit të ngacmimit seksual në vendin e punës thuajse është totalisht inegzistent. Fenomeni nuk përfshihet në politikat e që ndiqen nga organizatata e shoqërisë civile në këto vende. Madje, vetë legjislacioni i këtyre vendeve nuk parashikon rregullime ligjore për fenonenin e ngacmimit seksual në vendin e punës, dhe edhe kur raste të tilla raportohen, mungesa e mbështetjes ligjore dhe procedurave të mbrojtjes shpesh e bën të vështirë për individët të ndihen të sigurt dhe të mbrojtur.


Kultura e ngacmimit në vendin e punës në Shqipëri


Në Shqipëri ngacmimi seksual në punë është një ccështje që po merr gjithnjë e më shumë vëmendje, sidomos tek gratë dhe të rinjtë. Si për punonjësit në sektorin publik ashtu edhe ata të sektorit privat, ngacmimi seksual konsiderohet si një përvojë mjaft e përhapur, ndërsa në organizatat lokale dhe ndërkombëtare qëndron një nivel i lartë ndërgjegjësimi mbi këtë çështje për shkak të ekspozimit ndaj standardeve të huaja. Edhe pse përvoja me ngacmimin seksual mund të jetë më e ulët në këto organizata, ndërgjegjësimi dhe trajtimi serioz i çështjes janë në nivele më të larta se në sektorë të tjerë.


Në studimin e realizuar nga shoqata Together for Life, individët përkufizojnë ngacmimin seksual si një veprim të padëshiruar, që i kalon kufijtë e respektit dhe normave sociale. Ky përkufizim përfshin sjellje si shikimet e tepruara, komentet e papërshtatshme, kontaktet e padëshiruara fizike dhe ngacmime të tjera verbale e joverbale. Ndërsa Raporti ofron edhe shembuj konkretë, duket se të anketuarit e perceptojnë ngacmimin seksual si një sfidë të përditshme që kërcënon mirëqenien dhe sigurinë e tyre profesionale.


Nga të dhënat e Raportit, duket se faktorët që ndikojnë në perceptimin dhe raportimin e ngacmimit seksual janë të lidhur ngushtë me edukimin dhe ndërgjegjësimin e individëve, si dhe me qasjen që kanë ndaj raportimeve dhe standardeve ndërkombëtare. Në vende ku këto standarde janë të përhapura, individët janë më të përgatitur të identifikojnë dhe raportojnë sjellje të papranueshme. Në vendet ku ngacmimi seksual është tabu, mungesa e diskutimit të hapur për këtë temë e bën të vështirë për individët të marrin hapa për të raportuar ose kundërshtuar situatat e padëshiruara. Për të përmirësuar mjedisin e punës dhe për të siguruar një ambient ku respektohet dinjiteti dhe siguria e çdo individi, është e domosdoshme që kompanitë dhe institucionet të implementojnë politika të qarta për mbrojtjen e punonjësve nga ngacmimi seksual. Kjo përfshin krijimin e rregulloreve për raportim, mekanizma mbrojtës për punonjësit dhe programe trajnimi për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të forcuar politikat mbrojtëse.


Një ambient pune i shëndetshëm është një të drejtë universale dhe duhet të mbrohet në çdo vend. Fushatat për ndërgjegjësimin publik, mbështetja nga politikat e brendshme dhe ndërtimi i një kulture pune me vlera respekti dhe integriteti janë çelësi për të parandaluar dhe trajtuar ngacmimin seksual në vendin e punës. Vetëm përmes ndërhyrjeve të vazhdueshme dhe përkushtimit ndaj përmirësimit të kushteve të punës, mund të krijojmë një mjedis të drejtë dhe të sigurt për të gjithë.