Media & PR

E mirënjohura Lide në Jagodinin e panjohur


7 km nga Elbasani, rrugës për Peqin, në fshatin e vogël e të panjohur Jagodin, kërkojmë shtëpinë e një zonje. Quhet Lide Kasa.


Djali i Lides na pret në rrugën kryesore dhe na drejton neper nje rruge dytesore. Pas disa minutash kalojmë para një ndërtese të vjetër dykatëshe, që na mrekullon me arkitekturën e veçantë po aq sa na dëshpëron me pamjen gjysëm të rrënuar dhe… ja dhe banesa ku jeton Lide me familjen e djalit, udhërrëfyesit tonë.


Një shtëpi e re dykatëshe, rrethuar nga gjelbërimi dhe një kopësht i vogël perimesh.


Mjeshtre Liden e gjejmë në katin e parë pranë një tezgjahu të thjeshtë, në të cilin dallohet një punë e saponisur me shirita ngjyra-ngjyra të trashësive të ndryshme. Lide është një zonjë në të gjithë kuptimin e fjalës. E zeza e veshjes të patëmetë, thyhet nga e bardha rrezellitese e shamisë së kokës. Është 75-vjeç, por lëkura e bardhë e tejdukshme dhe shkelqimi i bute i syve, pasqyre e nje shpirti energjik që fshihet pas nje trupi jo aq dominues, e tregojnë së paku 15 vjet më të re.


Mjeshtrja eshte e mirënjohur në të gjithë zonën e Elbasanit (madje edhe më) për punimet e papërsëritshme në tezgjah, duke filluar nga bezet e kokës, çarçafët e pambuktë, e deri tek elementët e veshjes popullore të zonës.


Tezgjahu është profesioni i një jete per Liden. Mjeshterine e ka mësuar kur ishte ende e mitur në shtëpinë e babait, dhe kur 15 vjece erdhi ne shtepine e burrit gjeti nje mjeshtre te vertete tezgjahu, te vjehrrën. “Kam punuar shumë, kujton Lide, sa në kooperativë për të bërë normën, aq në tezgjah për të plotësuar nevojat e familjes, por edhe përmbushur porositë për grupin e Ansamblit të Elbasanit kur përgatiteshin për Festivalin e Gjirokastrës. Tezgjahun nuk e kam lënë asnjëherë. Pas viteve ’90 tregëtarë nga Tirana kane ardhur në Elbasan dhe pyeten ne Muzeun e Elbasanit ‘për plaken që prodhonte dikur për ansamblin’. Që atëherë punoj me porosi.”


Lide eshte nje tregetare e vertete. “Nuk ma hedh kush, sepse i di çmimet une”, mburret Lide. Nusja qesh: “Në darkë na thotë që nuk do të dalë më në treg se nuk ka fuqi, në mëngjes mesojme se ka ikur në treg, në Peqin”.


“Tek ky tezgjahu punon nusja, ben me dore Lide nga vegja prane. Unë punoj tek tezgjahu i madh ne shtëpine e vjetër”, dhe tregon nga ndertesa dykatëshja gjysëm e rrënuar që hasem pak më parë.


“I lutemi ta sjellim tezgjahun këtu, se do të bjerë shtëpia e do ta zërë brenda, por nuk pranon”, qahet i biri.


“Është shtëpia ime ajo dhe nuk e braktis”, mërmërit Lide dhe na fton në ‘punishten’ e saj.


Ngjisim shkallët e gurta për në katin e dytë dhe shtyjmë atë që ka mbetur nga dera prej druri. Dhoma e errët, ku shquhen copat e tavanit të shqyer e të rëna pjesë-pjesë, ndriçohet nga drita që vjen nga dritaret e ulta. Në cepin e dukshëm mes dy dritareve, shquhet tezgjahu. Ngjitur me të një sënduk i vjetër. “Këtu është freskët, justifikon zgjedhjen e vet Lide. Kaloj pjesën më të madhe të ditës. Vij në nëntë të mëngjesit dhe largohem në dymbëdhjetë. Pushoj në shtëpi dhe vij prapë pasdite.”


“Po aty, e ngacmojmë duke treguar nga sënduku, ke pajën?” Lide tund kokën. Sënduku mban një thesar të vërtetë: çarcafë të sapopunuar ku mbizotëron e bardha, dekoruar me bordura në trashësi dhe ngjyra të ndryshme, palosur me kujdes; shami koke, breza me motive ngjyra-ngjyra dhe… ja dhe ‘guri i çmuar i thesarit’: veshja me të cilën Lide ka ardhur nuse. E ka kujtim nga e vjehrra. Bukuria e punimit të shamisë së kokës dhe përparëses të mahnit edhe sot e gjithë ditën.


Lide na tregon një veshje të re qe ka punuar vete bazuar mbi veshjen e vjeter dhe qe ia ka taksur mbesës 15 vjecare, të cilën e ka pikë të dobët sepse I ka trasheguar edhe emrin. Fatëkeqësisht adoleshentja nuk ka pasionin e gjyshes për punën në tezgjah.


Veshjet duken më bukur në trup dhe nëna Lide na e plotëson dëshirën. Pasi shtron një beze mbi dyshemenë prej druri të shtëpisë së vjetër (që të mos bëhen pis veshjet), Lide ndihmon mbesën të veshë kostumin e vjetër dhe nusen e nipit veshjen e krijuar prej saj. Në fund, mjeshtrja Lide futet në mes të të rejave me veshje popullore dhe i buzëqesh objektivit të aparatit fotografik.


Duke u ndare, Lide ‘premton’ se jo vetem do te vazhdoje te punoje ne tezgjah dhe profesionin do t’ia trashegoje nuseve, vajzave e mbesave, por edhe vajzave te fshatit nese do te duan, por do te jete vet ajo qe do te sjelle dhe prezantoje produktetet qe prodhon vete ne cdo panair qe do te organizohet neper Shqiperi per artizanatin.