Media & PR

Nebija, mjeshtrja e qilimave në Zogaj


Nebija jeton në Zogaj, 12 km larg qytetit të Shkodrës, rrëzë malit të Taraboshit dhe buzë Liqenit. Këtu ka ngritur mbi njëzet vjet më parë edhe punishten e saj modeste për prodhimin artizanal të qilimave të leshit. 100 familjet e Zogajt jetojnë me peshkim dhe thurje qilimash. Kështu ka qenë gjithmonë.


Nebija është një grua me trup mesatar dhe gjëja që të bie menjëherë në sy është përparësja e punës ngjyrë lejla me shkëlqim dhe një shall i hollë ngjyra-ngjyra rreth qafës. Na uron mirëseardhjen dhe na drejton për në katin përdhes të një godine trikatëshe rrethuar më shumë se sa me kangjella hekuri me tura leshi shumëngjyrëshe të “nderura” përgjatë tyre.


Në dhomën pesëdhjetë-metra-katrore disa gra punojnë kokëulura mbi vegja (tezgjah). Dëgjohet zhurma e makinerive, ndërsa duart e grave lëvizin me shpejtësi dhe harmoni të plotë me njëra-tjetrën, trazuar me ylberin e ngjyrave të fijeve që kalojnë nëpër to.


“Këtu thurim qilimat”, ngre zërin Nebija mbi zhurmën e makinerive. Për të mos i penguar zejtaret dhe për të biseduar me Nebijen dalim jashtë. “Kam të punësuara nëntë gra, por po të kisha mundësi do të punësoja më shumë. Gratë këtu kanë shumë nevojë për punë, për të dalë nga shtëpia dhe për të fituar ndonjë lekë për të mbajtur familjen.”


Në katin e dytë hyjmë në një tjetër dhomë, një ‘muze’ në të cilin e zonja ka ekspozuar punimet: rrugica leshi të formave e përmasave të ndryshme ‘veshin’ dy faqe muri; mbi një mobilje janë stivosur qilimat si dhe çentro të leshta me motive dhe ngjyra të llojllojshme, çanta, madje edhe nja dy tapete qimegjatë leshi. Mbizotëron e kuqja, ndërthurur me elegancë me të zezën dhe të bardhën. “Janë ngjyrat dhe motivet tradicionale, sqaron Nebija. Por shijet dhe kërkesat kanë ndryshuar dhe tani përdorim të gjitha ngjyrat dhe aplikojmë modele të reja, sipas kërkesave”.


E pyesim për lëndën e parë. Na drejton nga një derë e vogël që ndodhet në të majtë të dhomës “muze”. Gjendemi në një tjetër dhomë të ngushtë e të gjatë, të pasovatuar dhe të pashtruar në të cilin ndodhen disa thasë me lesh dhe ku bie në sy një makineri e madhe. “Këtu tjerrim leshin, tregon Nebija me dorën mbi makineri. Leshin e blej tek blegtorët e zonës. Ka shumë bagëti nga anët tona. Deri para pak kohësh punësoja plakat e fshatit për ta tjerrë leshin me dorë. Ishte proçes i vështirë, zgjaste shumë dhe kushtonte shumë. Kur mora makinerinë plakat u mërzitën se mbetën pa punë, por edhe mua më erdhi keq. Ç’t’i bësh, isha e detyruar”, mbledh supet Nebija.


“Ja, bën me dorë në drejtimin tjetër të dhomës, tek ato makineritë e vogla bëj larjen dhe krehjen e leshit.” Bashkëshorti dhe djali e ndihmojnë në disa procese, por edhe për të mirëmbajtur makineritë apo për të transpotuar lëndën e parë. Edhe ngjyrosjen e realizon këtu me ndihmën e familjarëve.


Nebija ka edhe dy vajza të rritura të cilave ka vendosur t’u japë drejtim akademik. “Shkolla është më e rëndësishme sesa puna në tezgjah, e cila të lodh shumë dhe nuk të sjell shumë të ardhura”, sqaron.


Na tregon sa e vështirë është ta mbajë në këmbë këtë biznes, por pranon se deri tani ia ka dalë të mbajë shtëpinë, madje edhe të shtojë katet e ndërtesës që shërben edhe si banesë edhe si ambient pune.


Nebija punon me porosi që i vijnë nga Shkodra, Tirana, por edhe nga jashtë. Por do të donte një dyqan diku në qytet apo Tiranë në të cilin të “transferonte” dhomën ekspozite dhe ku të merrte dhe të menaxhonte porositë.