Media & PR

ZOGAJ - Fshati i peshkatarëve dhe endëseve të qilimave


Buzë ujrave të argjenda të Liqenit të Shkodrës, kacavjerrë në shpatin e malit të Taraboshit,  ndodhet një fshat i vogël për të cilin ndoshta nuk ke dëgjuar të flitet më parë. Mund të ketë ndodhur që, pas një vizite në kryeqendrën e Veriut, të jesh ndalur për të shijuar një drekë a darkë me tavë krapi në Shirokë, pa e ditur se vetëm pak minuta më tej ndodhet një fshat po aq i veçantë sa edhe emri i tij – Zogaj. 


Edhe pse është vazhdim organik i Shirokës, fshati i vogël nuk e ka patur kurrë mundësinë të njihet si destinacion pushimesh verore, kjo sepse, deri në vitet ’90, në fshatin kufitar nuk lejohej të fluturonte as miza. Banorët e zonës hynin e dilnin në fshatin e tyre me leje të posaçme. Jetesa e banorëve nuk ishte e lehtë. Të vetmin burim kishin liqenin ku burrat ishin punësuar në ndërmarrjen shtetërore të peshkimit në Shirokë. Gratë qendronin në shtëpi dhe kujdeseshin për familjen. Fshati i ‘varur’ mbi zverk të Taraboshit nuk kishte asnjë ngastër tokë për të punuar. Meqë banorët e Zogajt nuk mund të shkonin për të punuar në ndërmarrjet e Shkodrës, e cila ndodhet vetëm 12 km larg, pushteti i atëhershëm ‘solli Shkodrën në Zogaj”. U hap një filial i artistikes së Shkodrës për punimin e qilimave. Gratë dhe vajzat u punësuan në ndërmarrjen e sapohapur. Zanati i endëses nuk ishte i ri për to, pasi çdo shtëpi e kishte nga një vegë (avëlmend), por tani do të punonin së bashku, në makineri të mëdha dhe me modele të larmishme, të krijuara nga modelistë profesionistë.


Kjo ishte jetesa e banorëve të fshatit kufitar: gra që thurnin qilima dhe burra që thurnin rrjeta peshkimi. Secili mjeshtër në zanatin e vet.


Qilimat e thurur me dashuri, kujdes dhe art nga duart e grave të Zogajt, shkonin deri në cepat më të largta të botës, ndërsa krijueset e tyre ishin të ‘burgosura’ në fshatin e tyre. 

 

Me rënien e sistemit, në fillim të viteve ’90, ndërmarrjet u mbyllën e kufijtë u hapën. Banorët e Zogajt mund të dilnin e të hynin lirisht në fshatin e tyre, madje të kalonin edhe kufirin që i ndan dhe bashkon me Malin e Zi. Të parët që filluan ta ‘shkelin’ fshatin 30 vjetë më parë ishin shkodranët, të cilët frekuentonin lokalet modeste që lulëzuan buzë liqenit. Peshk i freskët, sallatë fshati, raki, verë… dhe pamje magjike. Zogaj ofronte gjithë këtë kundrejt një çmimi modest.


Burrat vazhduan të thurnin rrjeta dhe të dilnin për peshk, tashmë me varka të vogla personale. Gratë thurnin qilima në shtëpitë e tyre. Edhe sot e gjithë ditën jeta e banorëve të Zogajt vazhdon të ‘endet’ mes qilimave dhe peshkut.


Numri i atyre që shkojnë në Zogaj për plazh, ku ngrohtësia e ujrave të liqenit përzihet këndshëm me freskinë që zbret nga mali, është ende i vogël, por numri i të apasionuarve pas produkteve të prodhuara në mënyrë artizanale, sa vjen e rritet.

 

***

Destinacioni ynë për sot është vizita në shtëpinë-punishte të endëses më të njohur në zonë, Nebije Çota. Pasi kalojmë Urën e re të Bunës, ndjekim rrugën që gjarpëron në të djathtë, buzë liqenit të Shkodrës, përkundruall qytetit që shquan nga larg. Shiroka duket se po i nënshtrohet ‘Rilindjes Urbane”, ndaj na duhet të dredhojmë nëpër shtigjet e lëna hapur nga punëtorët, për të vazhduar më tej. Është një mesditë e bukur shkurti, ndërsa rrezet e brishta luajnë me valët lojcake mbi liqen. Teksa makina lë pas Shirokën, e kuptojmë se kemi hyrë në një tjetër zonë, sepse rruga ngushtohet dhe është më e keqe, por jo pamja që të ofrohet.


Jemi në Zogaj. Ngadalësojmë të pyesim dy djem të vegjël për shtëpinë e Nebijes. “Ja, ktu afër nodhet. Qe po ua kallzoj vetë!”, hidhet njëri nga djemtë dhe rend me shpejtësi para makinës. 400 metra më tej ndalojmë, parkojmë makinën në një ‘shesh’ dhe ndjekim djemtë që fluturojnë nëpër një palë shkallë të gurta që ngjiten përpjetë shpatit të Taraboshit. Teksa ngjitemi, herë pas here, pushojmë dhe kthehemi të shijojmë pamjen e liqenit nga lart. E para fjalë që të vjen në mendje për ta përshkruar pesiazhin është: “paqe”. 

 

“Keni ardh me ble qylyma?”, na pyet udhërrëfyesi ynë i vogël. “Ktu vijnë plot njerz për me porosit. Nana ime punon ktu.”


Djemtë hyjnë në një shtëpi dykatëshe dhe, pas pak sekondash, dalin të shoqëruar nga një grua me trup mesatar që na buzëqesh dhe na uron mirëseardhjen, duke na ftuar të ngjitemi në katin e dytë. Ndjekim mjeshtre Nebijen, që na drejton drejt një dhome si muze, ku ka ekspozuar me kujdes një larmi produktesh që prodhohen në ‘fabrikën’ e saj: rrugica prej leshi të formave dhe përmasave të ndryshme kanë ‘veshur’ dy faqet anësore të dhomës. Mbi mobiljen e mbështetur në faqen e murit përballë derës janë stivosur një dyzinë me qilima të palosur.


Nebija hap raftet e mobiljes dhe nxjerr modele të tjera, me të cilat ‘dekorojmë’ kangjellat e sheshpushimit të katit të dytë. Të gjitha produktet janë të bukura dhe dëshira për t’i bërë të tuat është e madhe, por nuk është kaq e vështirë të zgjedhësh, sepse janë njëra më e bukur se tjetra.


Pyetjes tonë se ku e siguron fillin e leshit me të cilin thur qilimat, mjeshtrja i përgjigjet duke na drejtuar nga një derë e ulët druri, thuajse e fshehur në krah të majtë të dhomës “muze”.


Gjendemi në një dhomë të gjatë e të ngushtë, si korridor, por që nuk të çon askund. Një makineri e vjetër, rreth pesë metra e gjatë është vendosur në njërën faqe të dhomës. ‘Këtu prodhojmë fillin me leshin që grumbullojmë nga blegtorët e zonës, tregon mjeshtrja. Më parë leshin e tirrnin dhe banin fill me dorë plakat e fshatit. Por, hante shumë kohë dhe shpenzimet ishin t’mdha. E kush do blinte qylyma aq të shtrenjta?’

 

Nuk mund të largohemi pa u njohur me duarartat që krijojnë këto mrekulli dhe Nebija na shoqëron në punishten që ndodhet në katin e parë. Në një dhomë rreth pesëdhjetë metra katrorë, pas dy tezgjave të mëdhenj që ndodhen përballë njëri-tjetrit shquajmë 10 kokë të ulura. Zhurma ritmike e tezgjave shoqëron lëvizjet harmonike dhe të sinkronizuara të grave, ngërthyer me ylberin e ngjyrave të fijeve që kalojnë nëpër to.


Pjesa më e madhe kanë qene punëtore të ish-artistikes dhe kanë rreth 30 vjet që punojnë tek punishtja e Nebijes. Gratë na urojnë mirëseardhjen me kokë, të mësuara tashmë me vizitorët, dhe vazhdojnë punën të patrazuara.

 

Unë e porosita qilimin për shtëpinë time dhe imagjinoj sa e bukur do të duket dhoma e ndenjjes me të. “Imagjino sa bukur do të dukej secila prej tyre në sallonin e pritjes së Presidencës, ose në zyrën Kryeministrit…”, mendojmë, duke shijuar perëndimin mbi Liqenin e Shkodrës, ndërsa tavës së dytë të koranit i kanë mbetur vetëm halat dhe gotat e verës janë zbrazur për të tretën herë.