Media & PR

Mjeshtret e Breg-Lumit dhe mundësia e “artë” për punësim


Lëmë pas Laprakën dhe makina devijon e futet në një rrugë ku të shtruar e ku jo dhe pas pak minutash mbërrijmë para një ndërtese.  Eshte nje dyqani i vogel qe shërben si kinkaleri dhe ushqimore. Tregëtohen aty gjithfarë produktesh, duke filluar nga deregjentët larës, bojrat e flokut, molinetë dhe penjtë për të qendisur apo thurur, rroba, si dhe produktet ushqimore baze, duke filluar nga mielli e sheqeri e deri tek lëngjet e frutave, madje edhe bidona me qumesht fshatarësh apo bukë.


Përshëndesim zonjën e dyqanit, Rinën.  Nuk jemi klientë të zakonshëm dhe nuk interesohemi të blejmë ndonjë nga produktet që ofron dyqani. As Rina nuk është thjesht një shitëse që tregëton mjetet e nevojshme për banorët e zonës. Më shumë se kaq, prej vitesh ajo është kthyer në një sipërmarrëse e një lloji të veçantë.


Rina ka ngritur një “punishte artizanati në distancë”, në të cilën ka punësuar shumë gra të Breglumit. Dikur kanë qenë 50 gra që punonin me Rinën, tani janë më pak se gjysma. Gratë e “kontraktuara” nga Rina punojnë në shtëpi për të realizuar punime dore me porosi. Dikur porositë ishin më të shumta dhe pagesat të mira. “Punonim kryesisht me porosi nga Greqia dhe Italia, tregon Rina, por me krizwn ranë edhe porositë.”


Rina nxiton në një kthinë  në fund të dyqanit dhe kthehet prej andej me duart plot. Para nesh, në tryezën që shërben për t’u shërbyer klientëve, shpalosen punime të shumëllojta, një faunë e vërtetë, e pasur me teknika të ndryshme punimi, ngjyra, forma dhe figurina gjithfarësh.


Ka aty çanta prej thesi të qendisura me punw kryq dhe me modele të ndryshme si Kulla Eifel, portrete njerëzish të njohur, e deri tek ato më klasiket e modernet  të vogla dhe pa rrip (tip kulete), dekoruara me gurë të shndritshëm, qepura në mesin e rozetave të bëra me grep. Pastaj, vijnë jastëkët po prej thesi  me të tjera modele, më së shumti floreale, pa munguar as dy mëkatarët e parë, Eva me Adamin të fshehur pas gjethes së famshme dhe mbështetur pas pemës së mëkatit; jastëkë me punë mbushje me forma gjeografike që krijojnë mozaikë interesantë. Edhe çentrot nuk qëndrojnë më poshtë. Modelet, format dhe punët janë po aq të larmishme. Mbulesat e tavolinave janë të përmasave të ndryshme, që nga ato dekorative për tryeza mesi, deri tek sofrabezet e bukës. Para nesh Rina shpalos beze të bardhë dekoruar me lule shumëngjyrëshe nëpër të që të japin ndjesinë e pastërtisë dhe natyrës së patrazuar. Por ka edhe të tilla ku puna e dorës është mbizotëruese.


Kur pyesim për çmimin, Rina jo thjesht për të treguar shpirt tregëtari, por si një njohëse e mirë e secilës prej punëve që bëjnë gratë, rendit më së pari ditët e punës që shpenzon një grua, ajo më mjeshtrja, për ta përfunduar atë punë, pastaj shton çmimin e materialit (copë e fije). Në fund, çmimi nuk tingëllon I ekzagjërora për askënd.


Puna e dorës kushton për arsyet që renditi Rina, por edhe sepse janë produkte unike dhe se nuk mund t’i ketë askush tjetër përveçse porositësi të tyre.


Kush janë më të interesuarit për këto punime? “Më parë porositë vinin kryesisht nga jashtë, tani janë shqiptarët që interesohen më shumë dhe duket se u është kthyer dëshira për të patur punime dore në ambientet e tyre”, tregon Rina.


Modelet e produkteve duken shumë profesionale dhe të sofistikuara dhe është e vështirë të besosh se janë krijime të mirëfillta të grave. “Kemi fatin e madh që bashkëpunojmë dhe ndihmohemi nga stilistja e njohur Tatjana Isai, sqaron Rina, por edhe klientët sjellin modelet që ata dëshirojnë”.


Rina është e kënaqur me profesionalizmin e ‘grave të saj’. Në fillim ishte e vështirë, por tani, pas 15 vjetësh ato janë bërë mjeshtre të vërteta. Dikur vajza të reja, nga familje me problem social-ekonomike, të ardhura kryesisht nga zonat e Veriut,  shumë prej punëtoreve sot janë gra dyzetvjeçare, janë bërë mjeshtre të vërteta dhe ia kanë dalë që me punën e tyre të përmirësojnë ekonominë e dobët të familjes dhe të krijojnë një farë pavarësie ekonomike.


Rina dëshiron shumë që të rrisë numri e grave të punësuara, ndaj ka menduar të transferohet në një ambient më të madh ku të ketë mundësi jo thjesht të ekspozojë produktet, por edhe t’i tregëtojë ato.