Media & PR

Njeriu merr atë që dëshiron përmes punës


 Historia e Kozetës, artizania e sapunëve & qirinjve “Made in Farkë"

Është mëngjes dhe në miniautobuzin për në Farkë të Madhe jemi 5 veta dhe tek-tuk hipën ndonjë pasagjer në stacionet e ndërmjetme. Ndalojmë në stacionin e fundit dhe ende pa zbritur, dallojmë nga xhami Kozetën, jashtë një punishteje të vogël që po sistemon në diell enët e baltës.

Kanë dalë rrezet e para të diellit, pas shumë ditësh me shi, dhe Kozeta, së bashku me të shoqin dhe dy djemtë e mëdhenj të familjes, nxitojnë të nxjerrin jashtë produktet e prodhuara ditët e fundit për t’u tharë.

Përshëndetemi me anëtarët e familjes, ndërkohë që nxitojnë me duart plot tava balte të madhësive dhe formave të ndryshme për t’i vendosur nën rrezet e diellit mëngjesor.

Kozeta, nënë e tre djemve, punon përkrah bashkëshortit, Mjeshtërit të Poçarisë, titull që e ka marrë vite më parë. Pa u shkëputur nga biznesi familjar, të cilin i shoqi e trashëgon prej brezash në familjen e tij, ajo gjithmonë ka ëndërruar për t’i shtuar vlera të reja produkteve prej balte që familja prodhon, por edhe për ta hedhur vështrimin edhe në produkte të tjera që nuk bazohen tek balta, por tek të tjera lëndë të para, të cilat mund t’i sigurojë sërish në fshat dhe pranë banesës. 

Kërkesat nga klientët tashmë janë jo vetëm për produkte tradicionale gatimi, si tava dhe poçe balte, por edhe për produkte për përdorime të tjera, kryesisht aksesorë zbukurues për ambiente lokalesh dhe shtëpish.

Ëndrra e Kozetës do të mbështetej nga mundësi që iu dha nëpërmjet projektit ‘GWES – Sinergji për fuqizimin e vajzave dhe grave’, me mbështetjen e Ambasadës Holandeze zbatuar nga Qendra Kombëtare për Shërbime Komunitare (NCCS) & Bashkë për Jetën (TFL), që mbështet gratë dhe vajzat në zonat rurale të Tiranës të aftësohen në ngritje dhe menaxhim sipërmarrjesh të vogla. Më parë ajo kishte djekur një trajnim 1-vjeçar, për prodhimin dhe tregtimit të sapunëve dhe qirinjve artizanalë. Por, kishte kaluar kohë nga përfundimi i kursit dhe Kozeta e kuptoi se pa ndihmë dhe mbështetje, dhe mbi të gjitha pa mjetet e nevojshme të punës, do ta kishte të vështirë ta çonte më tej ëndrrën e saj. Në rafte i kishin mbetur vetëm pak produkte që i kishte krijuar gjatë periudhës kur ndiqte kursin. 

U vu në dijeni për projektin e ri nëpërmjet njësisë administrative dhe mori pjesë në takime që u zhvilluan me të tjera gra që, ashtu si ajo, kishin dëshirë të angazhoheshin në ngritjen dhe konsolidimin e bizneseve të vogla familjare në zonat rurale të Tiranës. Në takimin e parë të vlersimit të nevojave në njësinë administrative Farkë u identifikuan dy zonja të cilat kishin nevojë për mbështetje konkrete.  Një ndër to ishte Kozeta Fusha. Kozeta ishte një nga gratë dhe vajzat që ndoqën trajnimet e fokusuara në ngritjen e biznesit dhe hartimin e një plan-biznesi për sipërmarrje të vogla. Dhe mbështeja e projektit nuk mbaroi këtu. Kozetës iu ofrua mbështetje edhe me bazë materiale për vijimin e punës si: tavolinë pune, tenxhere, dhe forma të ndryshme për sapunë dhe qirinj.

Kështu edhe pse mbi supe me barrën e rëndësishme të kujdesit për anëtarët e familjes dhe kontributin në poçari, Kozeta ia doli, madje konkretizoi një super ide. Modelet e sapunëve dhe qirnjve i solli në një formë më unike, duke i shoqëruar me produkte balte të dizenjuara për mbajtjen e sapunëve dhe qirinjve, të denja për çdo ambient biznesi ose banese ku tradita ndërthuret me modernen.

Produktet e prodhura nga duar e saj, Kozeta i prezantoi në disa panaire të organizuara dhe mbështetura nga projekti dhe për shkak të gërshetimit unik të traditës dhe origjinalitetit, produktet e saj tërhoqën menjëherë vëmendjen e blerësve.

Kozeta tregon se për prodhimin e sapunëve lënda e parë është vaji i ullirit, dhe përdor metodën e ftohtë për të ruajtur të gjitha vlerat e tij të dobishme për lëkurën.

Por, si çdo sipërmarrje në hapat e parë, Kozeta pranon se nuk është e lehtë.

“Është e vështirë sepse janë produkte të veçanta dhe tregu, megjithëse duket se po rritet, është ende mjaft i vogël.”

Pavarësisht sfidave, Kozeta e do punën që bën dhe thotë se do të vazhdojë të mësojë dhe të bëjë përpjekje për t’u rriur, duke përmirësuar produktet dhe zhvilluar strategji për t’i tejkaluar pengesat.

‘GWES – Sinergji për fuqizimin e vajzave dhe grave’, mbështetur nga Ambasada Holandeze dhe zbatuar nga Qendra Kombëtare për Shërbime Komunitare (NCCS) & Bashkë për Jetën (TFL), që synon të promovojë fuqizimin socio-ekonomik të grave.