Media & PR

Në fshat nuk ka kohë për t'u trishtuar. Ka shumë punë


Fati i kësaj gruaje nuk është i lehtë, por ajo arrin ta përballojë plot pozitivitet. Ilira nuk pendohet për asnjë moment që e lidhi jetën me fshatin. Prej 34 vitesh ajo banon në Pezë Helmes, një fshat i njohur pranë Tiranës.


Ilira është nënë e tre fëmijëve, dy djemve dhe një vajze. E gjithë ngarkesa familjare ra mbi supet e saj 5 vite më parë, kur bashkëshorti pësoi hemorragji cerebrale dhe sot e gjithë ditën ndodhet në një karrocë invalidi dhe ka nevojë të vazhdueshme për kujdes të veçantë, si një fëmijë.


Për të mbajtur familjen ajo është e detyruar të punojë gjithë ditën. Nuk ka askënd që ta ndihmojë në hallin që i ka rënë. Vajza – fëmija e vogël, është nxënëse në shkollën 9-vjeçare, ndërsa dy djemtë, janë shumë të rinj dhe nuk i kanë shumë për zemër punët në bujqësi. Ilira çdo ditë ngrihet shumë herët në mëngjes dhe është gjatë gjithë ditës në këmbë, deri në mbrëmje vonë.


“Një grua në fshat ngrihet shumë përpara lindjes së diellit. Çdo ditë në orën pesë. Ngrihem dhe fillimisht kujdesem për nevojat e bashkëshortit, kujdesin personal, higjienën. Më pas drejt e në hambar, ku më pret lopa, pulat…”, tregon ajo.



Dy vite më parë u bë pjesë e projektit ‘GWES – Sinergji për fuqizimin e vajzave dhe grave’, mbështetur nga Ambasada Holandeze dhe zbatuar nga NÇS &TFL.


Në kuadër të këtij projekti, që rreket të kontribuojë në reduktimin e pabarazive gjinore në tregun e punës dhe në promovimin e një mjedisi të sigurt pune për gratë dhe vajzat, Ilira u bë pjesë e trajnimeve "Si të fillojmë një biznes a sipërmarrje", dhe fitoi njohuri mbi hartimin e një plani biznesi. Në bazë të dëshirës dhe kushteve që e favorizonin, u ra dakord që Ilira të merrte zogj dhe tel për rrethim.


“Dhe tani kam kotecin tim me disa pula dhe gjela”, shprehet plot mirënjohje Ilira.


  Epo, rritja e shpendëve në fshat vjen me shumë përfitime. Nuk do të merrni vetëm mish dhe vezë, por edhe këngën e gjelit  në mëngjes, cicërimat e zogjve, oborri gumëzhin…


  “Pulat nuk kërkojnë vëmendje të veçantë. Mjafton të krijohen kushte për rritjen dhe zhvillimin e duhur që në ditët e para, dhe më pas thjesht t'i ushqeni ato në kohën e duhur dhe të     siguroni ujë të pijshëm, të pastër. Fillojnë të bëjnë  vezë 4.5 muajshe. Nga një pulë në vit mund të marr 200 deri në 300 vezë. Kostoja e vezëve shtëpiake është mesatarisht 30-50 lekë   për kokërr. Dhe kërkesa për vezë dhe pula fshati është gjithmonë e lartë”, nënvizon Ilira.


  Në vijim të zhvillimit të fermës, në kuadër të projektit, ajo u ndihmua për të bërë brendimin dhe reklamimin e produktit, dhe kështu u bë pjesëmarrëse në panaire që zhvillohen     në Tiranë, ku promovohen produktet bio.