Media & PR

Dhoma e Tregtisë e Industrisë Lezhë, zëri i sipërmarrësve në vendimmarrjen e qeverisë vendore për hartimit të politikave të zhvillimit rajonal


Intervistë me Kryetarin e DHTI Lezhë, z. Pashk Paloka

Kur është ngritur Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Lezhë dhe sa është numri i anëtarëve të saj? Sa prej tyre janë sipërmarrëse femra? Cilët janë sektorët e ekonomisë ku mbizotërojnë gratë dhe vajzat si sipërmarrëse dhe administrator?

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Lezhë është krijuar dhe e ushtron aktivitetin e saj nga viti 1996. Sot ajo funksion në bazë të ligjit nr. 9640, të vitit 2006 “Për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë”, i ndryshuar në vitin 2008. Numri i anëtareve të DHTI Lezhë sot është 65 biznese ku vetëm 3 biznese janë të drejtuara nga sipërmarrëse femra. Sektorët kryesorë të ekonomisë në Lezhë ku mbizotërojnë sipërmarrëset femra janë sektorët e shërbimeve dhe turizmit.

Cili është roli i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në mbështetje të biznesin privat? Si dhe sa u vjen në ndihmë nevojave reale të biznesit, përfshi biznesin e drejtuar nga gratë?

Që nga krijimi DhTI Lezhë ka qenë zëri dhe një tribune aktive e përfaqësimit të interesave të sipërmarrjes në rrethin e Lezhës. Jemi përpjekur të mbështesim kompanitë për internationacionalizimin e tyre dhe krijimin e lidhjeve ndërmjet kompanive dhe institucioneve, si brenda dhe jashtë vendit në forma të ndryshme si (klustera, consorciume, këshilla biznesi, etj.). Kemi organizuar seminare dhe trajnime edukuese sipas nevojave të anëtarëve të Dhomës dhe sipërmarrjes në tërësi, si dhe organizimin e praktikave profesionale si dhe ofrimin e trajnimeve për sipërmarrësit e rinj, studentët që dëshirojnë t’i futen rrugës së sipërmarrjes etj. Aktualisht po punojmë për inovacion në sipërmarrje si një sfidë për rritjen e konkurrencës dhe si promotor i rritjes ekonomike në kontekstin e ekonomisë digjitale. Kemi organizuar B2B, pjesëmarrje në panaire kombëtare e ndërkombëtare. Megjithëse numri i anëtareve femra është shumë i ulët, Dhoma bashkëpunon ngushtësisht me sipërmarrëset femra dhe ne vlerësojmë se bizneset e drejtuara nga gratë në rajonin e Lezhës vazhdimisht kanë qene në nivele të kënaqshme, krahasuar me zonat e tjera. DHTI i ka mbështetur dhe vazhdon t’i mbështesë sipërmarrëset gra dhe vajza me politika specifike për të përballuar sfidat e për të arritur suksese.

Cilat janë sfidat me të cilat përballet biznesi në Lezhë? Po biznesi i drejtuar nga gratë?

Biznesi në Lezhë po përballet me sfida të shumta, duke filluar nga pandemia, korrupsioni, krizat e migrimit, inflacioni për shkak të luftës në Ukrainë etj. Me të njëjtat sfida dhe problematika hasen edhe bizneset e drejtuara nga gratë. Megjithatë, gratë përballen edhe me disa sfida të tjera që kanë të bëjnë me paragjykimet që lidhen me përkatësinë e tyre gjinore dhe në fushën e biznesit shihen që në fillim me dyshim. etj.

A bashkëpunon Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë me institucionet vendore, përfshi Bashkitë dhe Qarkun? A keni qenë pjesë e tryezave konsultative të organizuara nga bashkitë, qarku ku janë diskutuar politikat, strategjitë për zhvillimin e rajonit?

Dhoma e Tregtisë e Industrisë ka qenë gjithmonë pjesë e tryezave të hartimit të politikave të zhvillimit rajonal të hartuara nga Këshilli i Qarkut Lezhë. Në të gjitha konsultimet publike të organizuara nga institucionet vendore ne Lezhë, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Lezhë, jo vetëm ka marrë pjesë por edhe ka qenë zëri i sipërmarrjes dhe avokati i tyre. Bashkëpunimet me qeverisjen vendore kanë pasur në fokus promovimin e turizmit të zonës, nxitjen e krijimin e klimës positive për biznesin, hapjen e inkubatorëve të biznesit si dhe për përmirësimin e performancës së SME–ve etj.

A keni pasur kërkesa dhe propozime konkrete për bashkitë dhe/ ose qarkun dhe si janë pritur ato?

Sigurisht që kemi patur. Këto kanë ardhur edhe në kuadër të partneriteteve të ngritura për implementimin e projekteve në fushën e biznesit. Përgjithësisht marrëveshjet e bashkëpunimit mes Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë nga njëra anë dhe Bashkisë Lezhë, apo Qarkut, në anën tjetër kanë rezultuar të suksesshme dhe në interesat e përbashkët.

Si e shihni dhe e vlerësoni rolin e pushtetit vendor në hartimin dhe zbatimin e politikave pro-biznes?

Njësitë e qeverisjes vendore në Qarkun Lezhë kanë zbatuar politika pro-biznesit dhe si pasojë e kësaj sot është përmirësuar sistemi i regjistrimit të biznesit, por ende identifikohet nevoja për të bërë përpjekje më të madhe për të nxitur inovacionin dhe për të ofruar shërbime mbështetëse veçanërisht për bizneset e reja, por edhe kompanitë e konsoliduara në treg. Dhoma e Tregëtisë dhe Industrisë Lezhë është në bashkëpunim të ngushtë dhe të vazhdueshëm me të gjitha njësitë e qeverisjes vendore në Qarkun e Lezhës dhe është inisiatore dhe nxitëse e politikave vendore pro-biznes, duke i ardhur në mbështetje jo vetëm anëtarëve të saj, por të gjithë biznesit lokal në zonë.

“Integrimi gjinor në politikat socio-ekonomike të bashkive në qarkun e Lezhës”, projekti i zbatuar nga Together for Life, është mbështetur nga Reactor – Research in Action dhe partnerët e tyre përmes Aksionit “Përforcimi i Barazisë Gjinore përmes Procesit të Anëtarësimit në BE”. Ky Aksion financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancohet nga Suedia.

Ky publikim është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe bashkëfinancuar nga Suedia. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Together for Life dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian ose Suedisë.