Kryetarja e ‘Forumin te gruas ‘Unioni Mirdita’: Bashkëpunimi i pushtetit vendor me të gjithë aktorët në hartimin e dokumentave politike me qasje gjinore i rëndësishëm
Me
Marjanën u takuam në Lezhë, në një nga aktivitetet që Together for Life,
organizoi në Qarkun e Lezhës në Kuadër të Projektit “Integrimi gjinor në politikat
socio-ekonomike të bashkive në qarkun e Lezhës”, që po zbatohet nga TFL, mbështetur
nga Reactor - Research in Action dhe partnerët e tyre, përmes Aksionit
"Përforcimi i Barazisë Gjinore përmes Procesit të Anëtarësimit në
BE". Ky Aksion financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancohet nga
Suedia.
Marjana
Suli Brozi, e lindur në Rrëshen dhe nënë e dy fëmijëve dhe e një mbese, është mësuese
dhe grua mjaft aktive. Marjana rrëfen se përveç angazhime të tjera, prej vitesh
drejton edhe ”Forumin Gratë Unioni Mirdita”, një organizatë e krijuar vitet e
fundit. Ajo ndjehet e vlerësuar që i është besuar ky pozicion sepse, se pari,
Mirditën e ka shumë për zemër dhe, së dyti, sepse për të roli i gruas në shoqëri
është shumë i rëndësishëm.
Çfarë përfaqëson qendra ‘Unioni
Mirdita’?
Unioni
Mirdita është bashkim vullnetar i
mirditorëve kudo që janë, që kanë dhënë dhe japin kontribut për Mirditën. Qëllimi
i qendrës ‘Unioni Mirdita’ është që të nxjerrë në pah dhe të ruaj vlerat
historike dhe njerëzore të kësaj krahine. Mirditorët nëpërmjet këtij organizimi
bëhen bashkë kudo që janë anembanë botës, dje dhe sot, sepse ata i bashkon Mirdita.
Ju jeni kryetare e Forumit të Gruas së
Unionit Mirdita. Cili është aktiviteti i këtij forumi?
Prej
tre vitesh jam kryetare e Forumit të Gruas të ‘Unionit Mirdita’ dhe, të them të
drejtën, kur m’u ofrua ky pozicion kam ndjerë një përgjegjësi të madhe. Është
një forum shumë aktiv që ka zhvilluar disa aktivitete në Mirditë. Fillimi i aktivizimit
të këtij forumi përkoi me fillimin e pandemisë kështu që veprimtaritë e para u
organizuan online. Filluam aktivitetin si një forum aktiv online, nëpërmjet
rrjeteve sociale. Me kalimin e pandemisë, aktiviteti i forumit filloi të bëhet
më real, por pa u shkëputur nga rrjetet
sociale. Takimi i përditshëm me të gjitha gratë mirditore kudo që ato ndodhen është
në faqen tonë “Gratë Unioni Mirdita” në fb. Bashkëbisedimin me gratë e vajzat
mirditore e zhvillojmë nëpërmjet intervistave që përgatisim dhe publikojmë në
fb. Deri më sot kam realizuar mbi 80 intervista, ose më mirë i quaj bashkëbisedime
sepse unë s’jam gazetare.
Sa dhe si i mbështesni gratë
mirditore?
Si
fillim menduam t’i mbështesnim duke filluar të flisnim për to, duke shpalosur
vlerat e tyre, duke treguar për sakrificat, por edhe për sukseset e tyre. I vumë qëllim vetes që në vazhdimësi të
flisnim për gra për të cilat nuk ishte folur ndonjëherë, edhe pse ato kanë dhënë
kontribut të spikatur në komunitetin mirditor në fusha të ndryshme si në arsim,
kulturë, sport. Ndërkohë, kemi
organizuar edhe takime ‘live’ me anëtarët e Unionit për të identifikuar
problematikat me të cilat përballen gratë mirditore, madje edhe nevojat e
komuniteteve të caktuara. Mbështetja jonë ka konsistuar në rritjen e punësimit
dhe mbështetjen të drejtëpërdrejtë ekonomike.
Si e vlerësoni situatën
social-ekonomike të grave mirditore?
Situata sociale e grave që jetojnë në
Mirditë është jo fort e favorshme për ekonominë familjare dhe për vetë gratë
dhe vajzat, për sa i përket punësimit dhe zhvillimit profesional. Mundësitë e punësimit
janë të kufizuara. Mungojnë politikat sociale që mbështesin gratë. Ka shumë gra
të vetëpunësuara në bizneset e ngritura prej vetë atyre, por ato përballen me
sfida të mëdha. Do të veçoja këtu aktivitetet artizanale, por edhe aktivitete e
fokusuara në mbledhjen dhe në përpunimin e bimëve medicinale. Këto gra kanë
nevojë të mbështeten si nga shoqatat, ashtu edhe nga bashkia, që të arrijnë të krijojnë
të ardhura për veten dhe familjet e tyre.
Qendra ‘Unioni Mirdita’ është
fokusuar edhe në mbështetjen ekonomike të banorëve të zonës së Mirditës,
kryesisht të grave dhe vajzave. A mund të përmendni disa nga aksionet e
ndërmarra nga Ju?
Unioni Mirdita ka ndërmarrë disa nisma për
mbështetjen e banorëve të Mirditës. Kemi ofruar mbështetje direkte për persona
dhe familje të caktuara, por edhe grupe individësh. Kemi ofruar mbështetje edhe
për institucionet, ku mund të përmend mbështetjen me mjete didaktike për kopshtin
e qytetit Rrëshen dhe kopshtin e kishës po në Rrëshen. Vitin e kaluar zhvilluam
projektin “Me dashuri të madhe mund të bëjmë gjëra të vogla”, në kuadër të të
cilit organizuam një koncert bamirësie në Pallatin e Kulturës në Rrëshen. Qëllimi
i koncertit ishte t’u vinim në ndihmë familjeve në nevojë, sidomos familjeve me
gra kryefamiljare. Ia dolëm të sensibilizonim shume qytetarë, aq sa Pallati i Kulturë
Rrëshen ishte plot me banorë. Me fondet e mbledhura arritëm të ndihmojmë rreth
40 familje me pajisje elektroshtëpiake si, lavatriçe, frigorifer, furra pjekjeje, e televizor.
A mund të identifikoni ndonjë nga
aksionet, veprimtaritë e përbashkëta që keni ndërmarrë së bashku me Bashkinë?
Projekti që përmenda me lart u realizua në partneritet mes Unionit Mirdita, Bashkisë Mirditë dhe Karitasit Dioqezan Rrëshen. Planifikojmë të kemi edhe projekte të tjera me bashkinë në të ardhmen dhe e konsiderojmë shumë të rëndësishme bashkëpunimin me pushtetin vendor që në procesin e hartimit të politikave edhe zbatimit të tyre. Shumë me vlerë konsiderojmë veçanërisht bashkëpunimin e pushtetit vendor me të gjithë aktorët në hartimin e dokumentave politike me qasje gjinore, që do të formalizonte mbështetjen për gratë dhe vajzat në vazhdim për arritjen e barazisë gjinore në komunitetin e zonës së Mirditës.