Prezantohet Projekti GWES – Sinergji për fuqizimin e vajzave dhe grave
Në mjediset e Europe House, në Tiranë, u
zhvillua ditën e sotme takimi prezantues i projektit “GWES – Girls and Women
Empowerment Synergy – Sinergji për fuqizimin e grave dhe vajzave”, mbështetur
nga Mbretëria e Bashkuar e Hollandës dhe që po zbatohet nga Qendra Kombëtare për
Shërbimet Komunitare dhe Shoqata Together for Life. Aktiviteti bëri bashkë aktorë
lokalë në fushën sociale dhe atë të sipërmarrjes, donatorë dhe bashkëpunëtorë,
përfaqësuese të Bashkisë Tiranë dhe njësive të saj administrative, përfaqësues
të shoqërisë civile, biznesit, si edhe vajza dhe gra nga zonat rurale të Tiranës.
Drejtoresha Ekzekutive e Qendrës
Kombëtare për Shërbime Komunitare, Znj. Liliana Dango, theksoi rëndësinë e
bashkëpunimit mes aktorëve të ndryshëm, përfshirë institucionet publike,
biznesin dhe shoqërinë civile në ndërmarrjen e aksioneve që synojnë fuqizimin ekonomik
të vajzave dhe grave dhe rritjen e rolit të tyre në tregun e punës, duke sjellë
shembullin e bashkëpunimit mes dy organizatave implementuese të projektit, NCCS
dhe TFL, Bashkisë së Tiranës dhe bizneseve. “Ka ardhur koha që sinergjia jonë
tashmë të drejtohet tek nevojat e grave në zonat rurale, çfarë rreket të bëjë
projekti GWES nëpërmjet mbështetjes së vajzave dhe grave nga zonat e thella
periferike të Tiranës, duke iu ofruar atyre formim profesional në profesione
tashmë të harruara dhe mbështetjes së tyre me fonde start-up për ngritjen e biznese
të vogla”.
Drejtoresha Ekzekutive e Together for
Life vuri në dukje se gratë kanë nevojë jo vetëm për mbështetje për t’u
integruar në tregun e punës, por edhe për të promovuar dhe për të lobuar në
vazhdimësi për mjedise të sigurta pune për to. “Mbrojtja dhe fuqizimi i grave
dhe vajzave, synohet të arrihet edhe përmes krijimit të një mjedisi të sigurtë
dhe të përshtatshëm për to, duke u fokusuar në njohjen e të drejtave të tyre në
vendin e punës dhe rritjen e ndërgjegjësimit të institucioneve publike dhe
jopublike për të mundësuar mjedise të sigurta pune ku mbrohet integriteti dhe të
drejtat e çdo punëmarrësi.”
Përfaqësuesja e Bashkisë Tiranë që mori
pjesë në takim, Znj. Joniada Gaçe, Përgjegjëse Sektori në Drejtorinë e
Punësimit, u ndal tek rëndësia e bashkëpunimit me të gjithë aktorët dhe theksoi
gatishmërinë e Bashkisë Tiranë dhe qeverisë vendore për të ofruar mbështetje për
sipërmarrjet e reja. Zonja Gaçe prezantoi programin që Bashkia e Tiranës po
zbaton prej vitesh për mbështetjen me grante të ideve sipërmarrëse që vijnë nga
vajzat dhe gratë, nëpërmjet të cilit ka mbështetur me dhjetra gra dhe vajza.
Ambasadori i Mbretërisë së Hollandës në
Tiranë, Z. Reinout Vos, theksoi rëndësinë e zbatimit të një projekti të tillë që
ka në fokus fuqizimin dhe mbrojtjen e grave në tregun e punës. “Më shumë se
gjysma e vajzave dhe grave në botë kanë provuar të paktën një herë në jetën e
tyre një nga format e dhunës fizike, emocionale/psikologjike apo seksuale. Në
Shqipëri, 1/3 e grave dhe vajzave kanë përjetuar dhunë në familje, nga partneri,
apo në vendin e punës. Por, gratë janë shumë të fuqishme dhe mund të arrijnë
shumë”, deklaroi Ambasadori Vos.
Me tej takimi vijoi me një sesion
informues rreth mundësive për të krijuar sipërmarrje të vogla agrare, duke
shfrytëzuar pasuritë natyrore dhe produktet bujqësore. Eksperti Zef Gjeta ndau
me vajzat dhe gratë nga zonat rurale të Tiranës shembuj të suksesshëm të ideve
sipërmarrëse. Pjesëmarrëset u angazhuan në diskutim mbi teknika praktike të
përfitimit të mbështetjes për ngritjen e fondeve, forcimin dhe shtimin e
vlerave të biznesit të tyre, duke u bazuar në përdorimin e burimeve dhe
fuqizimit të pikave të forta.
Projekti GWES - Sinergjia e Fuqizimit të Vajzave dhe Grave, financuar nga Embassy of the Netherlands in Albania, në kuadër të Fondit për të Drejtat e Njeriut 2022.