Media & PR

QARKU LEZHË I ANGAZHUAR TË HARTOJË DHE ZBATOJË POLITIKA VENDORE ME QASJE GJINORE


Intervistë për kryetarin e  Këshillit të Qarkut Lezhë, z. Agron Ivani

Organizata Together for Life, nga marsi 2022 po zbaton në Rajonin e Lezhës projektin “Përfshirja gjinore në politikat socio-ekonomike të bashkive të qarkut Lezhë. Projekti që po zbatohet nga TFL synon zgjerimin e bashkëpunimit të pushtetit vendor me OJF-të vendore dhe grupet e interesit në Qarkun Lezhë për të forcuar demokracinë pjesëmarrëse dhe hartimin e politikave të ndjeshme gjinore në përputhje me politikat e BE-së

Në këtë intervistë Kryetari Agron Ivani vë në dukje se Qarku i Lezhës në procesin e hartimit të dokumentave politikë i kushton rëndësi përfshirjes së sa më shumë aktorëve lokalë, nëpërmjet tryezave të diskutimit dhe të konsultimit. Gjatë procesit të draftimit të dokumentave politikë, por edhe monitorimit të tyre, vëmendje i kushtohet impaktit që këto politika kanë tek të dyja gjinitë. “Integrimi i perspektivës gjinore është pjesë integrale e dokumentave politikë të hartuar nga Qarku, por sigurisht që mbetet ende punë për të bërë në mënyrë që efekti i politikave të ndikojë njësoj tek të dyja gjinitë”, shprehet Kryetari i Qarkut Lezhë në këtë intervistë.


Cilat janë prioritet strategjike të Qarkut Lezhë?

Bazuar në Kushtetutën e Shqipërisë, Ligjin “Për Vetqeverisjen Vendore“ dhe aktet nënligjore, funksioni kryesor i Këshillit të Qarkut është hartimi dhe zbatimi i politikave rajonale në nivel qarku dhe harmonizimi i tyre me politikat shtetërore.  Kështu, Këshilli i Qarkut Lezhë ka hartuar dokumenta strategjikë, një pjesë e të cilave me afat shtatë-vjeçar, të cilat kanë në fokus zhvillimin  e Qarkut, dhe gjithashtu edhe dokumenta të tjerë strategjik sektorialë. Prioritarë për zhvillimin e Qarkut Lezhë, nëse do t’i përmblidhja në vija të përgjithshme, janë sektorët e turizmit, bujqësisë, shërbimeve, mjedisit, zhvillimit të sektorit privat, përmirësimi i infrastrukturës, përfshi atë arsimore e kulturore, duke synuar arritjen e një zhvillimi të qëndrueshëm social-ekonomik.


Sa janë përfshirë komuniteti dhe aktorët lokalë në hartimin dhe konsultimin e këtyre dokumentave?

Qëllimi ynë është që Qarkun Lezhë ta kthejmë në një rajon tërheqës për biznesin dhe investimet e huaja, të rrisim dinamizmin e zinxhirit të ofertës agro-kulturore dhe të zhvillimit të shpejtë infrastrukturor, me fokus të veçantë zhvillimin e sektorit të turizmit, i cili ofron mundësi zhvillimi shumë-sektorial, duke synuar që ta kthejnë në një turizëm gjithëvjetor bazuar në burimet tona, si dhe në trashëgiminë historiko e kulturore të zonës.

Sigurisht që ne nuk jemi mjaftuar vetëm në shfrytëzimin e kapaciteteve, njohurive dhe aftësive të stafit tonë dhe institucioneve publike në përgjithësi për draftimin e dokumentave strategjikë cilësorë dhe me vizion për të ardhmen e zhvillimit të rajonit të Lezhës. Synimi ynë është që në procesin e hartimit të dokumentave politike vendore të përfshijmë sa më shumë aktorë lokalë. Ata janë përfshirë në vazhdimësi në tryezat e diskutimeve e konsultimeve, që nga analizat swot për çdo fushë zhvillimi, në përcaktimin e vizionit, objektivave, prioriteteve, planeve të veprimit, etj. Në çdo dokument që harton Këshilli, pasqyrohet e detajuar përfshirja e aktorëve në çdo fazë të hartimit të dokumentit. Kur ftojmë aktorët të përfshihen në procesin e draftimit të dokumentave të rëndësishëm, përpiqemi të jemi të vëmendshëm që në këtë proces të kemi një përfaqësim të drejtë gjinor, të të rinjve, si dhe të institucioneve publike dhe private.


Çfarë vendi zënë gratë dhe vajzat në prioritet strategjike të Qarkut Lezhë?

Ashtu siç përmenda më lart, përsa i përket pjesëmarrjes së publikut gjatë procesit të hartimit të dokumentave strategjike, Këshilli i Qarkut Lezhë ka synuar që publikun ta ketë bashkëpunëtor, sepse askush më mirë se ata nuk i njohin problemet dhe nevojat. Niveli i pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në procesin e konsultimit të drafteve të dokumentave politikë dhe të programeve ka ardhur duke u rritur vitet e fundit. Kështu, nëse i referohemi dokumentit të Zhvillimit Rajonal 2010-2016, kemi një pjesëmarrje prej 42% të grave e vajzave, dhe nëse i referohemi dokumentit të Zhvillimit të Qarkut Lezhë 2016-2022, pjesëmarrja është rritur me rreth 6%. Kjo është e dokumentuar edhe në dokumentat strategjikë.

Nëse i referohemi përfshirjes së prespektivës gjinore në prioritetet strategjike për çdo projektet prioritar, në çdo dokument të hartuar dhe që zbatohet nga Qarku është i detajuar impakti që politika apo programi i caktuar parashikohet të ketë apo ka patur tek gratë dhe vajzat. Doja të shtoja këtu që edhe satistikat vjetore për qarkun e Lezhës i kemi të ndara sipas gjinisë. Integrimi i perspektivës gjinore është pjesë integrale e dokumentave politikë të hartuar nga Qarku, por sigurisht që mbetet ende punë për të bërë në mënyrë që efekti i politikave të jetë i njëjtë tek të dyja gjinitë.


A adresohen dhe si adresohen problematikat gjinore dhe cilat janë mekanizmat që janë parashikuar në strategjitë dhe planet e veprimit të Qarkut?

Gjatë procesit të hartimit të strategjive dhe planeve të veprimit të Qarkut, vazhdimisht kemi adresuar problematikat gjinore, integrimin e perspektivës gjinore në fusha të ndryshme të zhvillimit, me synim që gratë dhe vajzat të gëzojnë akses të barabartë në arsim cilësor, burime ekonomike dhe pjesëmarrje politike, si dhe mundësi të barabarta me burrat dhe djemtë në punësim, udhëheqje dhe vendimmarrje në të gjitha nivelet.


Si e vlerësoni rolin e grave në ekonominë e zonës dhe çfarë mekanizmash do të duhet të vepronin për fuqizimin e grave sipërmarrëse të Lezhës?

Këshilli i Qarkut Lezhë, përveç hartimit të dokumentave strategjikë ka të përcaktuar edhe një metodologji monitorimi për zbatueshmërinë e tyre. Edhe tek ky dokument ne kemi krijuar tregues (sasiorë dhe cilësorë) për matjen e ndikimit gjinor. Në këtë kontekst, do të thoja se gratë në ekonominë e zonës së qarkut tonë kanë një rol mjaft të rëndësishëm, bazuar në të dhënat e Institutit të Statistikave, ku tregohet se pesha e grave në pozicione drejtuese në biznes  apo që zotërojnë një sipërmarrje në Qarkun Lezhë arrin në nivelin 28.9%, duke u renditur qarku i dytë pas Tiranës. Por, edhe pse situata është përmirësuar ndjeshëm, ka ende sfida me të cilat duhet të përballen të gjitha institucionet qendrore dhe vendore, publike dhe private, shoqëria civile dhe të gjithë aktorët për të bërë më të mirën për të rritur dhe fuqizuar rolin e gruas në sipërmarrje dhe në ekonominë lokale.

Referuar mekanizmave për fuqizimin e grave sipërmarrëse, shumë prej politikave mbështetëse  ndërmerren në nivel qendror, por edhe ne si nivel i dytë i qeverisjes vendore, bazuar edhe në kompetencat që na njeh ligji, jemi të angazhuar që të rrisim mbështetjen për gratë dhe vajzat. Nëpërmjet advokimit, dialogut, shkëmbimit të praktikave të mira, informimit për grande e programe mbështetëse, përfshirjes përherë e më shumë të grave dhe vajzave në proceset vendimmarrëse, ne synojmë të hartojmë dhe zbatojmë politika vendore me qasje gjinore të cilat sigurojnë integritetin e tyre në shoqëri dhe komunitet, që garantojnë gëzimin e të drejtave të tyre social-ekonomike dhe që kontribuojnë realisht në fuqizimin e zërit të tyre në të gjitha fushat. 


This publication was produced with the financial support of the European Union and co-funded by Sweden. Its contents are the sole responsibility of Together for Life and do not necessarily reflect the views of the European Union or Sweden.

Gender mainstreaming in the socio-economic policies of the municipalities in the region of Lezha project, implemented by Together for Life, has been supported by Reactor - Research in Action and their partners through the Action "Furthering Gender Equality through the EU Accession Process". This Action is funded by the European Union and co-funded by Sweden.