Njoftime

Të mësojmë: 3 MENYRA TE THJESHTA PER THARJE TË LULEVE NATYRALE DUKE RUAJTUR NGJYREN


Borana Dollanga jep disa këshilla për këdo që dëshiron t’i kushtohet krijimtarisë

Mundësia për të krijuar me lule natyrale është e shumtë. Por mundësia për të krijuar me lule natyrale të thara është e pafundme. Të përmendim disa paraprakisht:

Realizimi i bizhuve me rezinë e lule natyrale, dekorimi i qirinjve me lule natyrale, përdorimi i luleve natyrale, duke qëndisur në gjergjef,  dekorimi i enëve dekorative në baltë,  përdorimi i luleve natyrale në sapunë handmade, përdorimi i luleve në dekorime sipërfaqe muresh, përdorimi i luleve natyrale për krijime dekorative në kornizë.

Por, e përbashkëta e të gjithë shembujve të përmendur më sipër, është se lulet janë të thara për realizimin e gjithësecilit projekt.

Por cilën prej tyre mund ta realizojmë në kushte  shtëpie nëpërmjet tharjes së luleve tona të preferuara.

Le të fillojmë nga më e thjeshta dhe më e aksesueshmja.

Tharja e luleve në mes të faqeve të librave

Pasi të keni mbledhur lulet që pëlqeni përgatitini për t’i vendosur ndërmjet faqeve të librave. Sigurohuni që mos të mbingarkoni një libër, por të përdorni disa libra dhe t’i shpërndani lulet për t’u tharë nëpër fletat e tyre. Më pas vendosini librat njëri mbi tjetrin, edhe sipër tyre vendosni libra të tjerë apo materiale të rënda. Pesha e krijuar i lejon librat në fund të puthiten mirë faqet ku kemi vendosur lulet për t’u tharë dhe të mos lejojmë ajrin të hyjë lirshëm. Në këtë mënyrë petalet e lules që duam të thajmë, thahen duke ruajtur përafërsisht 75% pigmentim.

Tharja e luleve duke i varur kokëposhtë

Rasti tjetër që dua të përmend për tharjen e luleve i përket kryesisht trëndafilave, por edhe luleve të tjera që duam t’i ruajmë bashkë me kërcell. Në një cep të shtëpisë ku nuk është as errësirë por as dritë e drejtëpërdrejtë, krijoni një hapsirë ideale për të varur lulet me kokë poshtë. Në këtë mënyrë lulet ruajnë dimensionalitetin e tyre edhe arrijnë të ruajnë ngjyrën deri në 50%. Kjo teknikë shërben edhe për bimë që përdoren në kuzhinë si erëza të ndryshme, lavander, trumza, sherebel.

Tharja me hekur hekurosës

Edhe kjo teknikë është ideale vetëm për disa lloje lulesh. Fillimisht duhet të kesh një qese-fletë e cila është enkas për të duruar nxehtësinë e hekurit pa u shkrirë, por mund të përdorni edhe letrën e guzhinës, pasi e duron fare mirë nxehtësinë. Midis dy fletëve të guzhinës, ose brenda qeses speciale, vendosni lulet që keni mbledhur edhe vendosni hekurin sipër për 10 sekonda (kujdes mos e lëvizni hekurin siç hekurosni rrobat), procesin e hekurosjes mateni me sy të lirë derisa lulja të jetë e shtrirë/petë. Më pas, me kujdes, ndani fletët nga njëra-tjetra, pasi nga nxehtësia mund të bashkohen, edhe nxirrni lulet, duke munduar të ruani formën sa më mirë. Kjo teknikë është ideale për lule të cilat nuk janë të holla.

Pasi të keni përfunduar projektin tuaj, mos harroni ta postoni në rrjetet sociale tuajat, dhe mund të bëni tag dhe follow @boraconcepts ose përdorni hashtagun #boraconcepts, që të kemi mundësi të shpërndajmë krijimin tënd në profilin tonë.