Anëtarët

Jonada Kurti founder of NADA_GIFT_BOX



25 vjeçarja Jonada Kurti, ka studiuar për drejtësi dhe së shpejti pret të marrë licensën e avokates. Avokatja e së ardhmes ka një ëndërr në sistar: paraditeve të mbrojë klientët në salla gjyqesh dhe pasditeve të mbyllet në dhomën e saj për të krijuar.

Pasionin për artin e ka zbuluar më herët se atë për drejtësinë. “Vulën ia vuri” një projekt në lëndën e historsisë ku krijoi një letër në formë papirusi për t’i dhënë më shumë pamje krijimit të saj.

E nxitur më së shumti nga shokët dhe shoqet e klasës, të cilët “faleshin tek ajo’ sa herë u duhej të përgatisnin ndonjë projekt shkollor, të cilin Nada ua realizonte me letra dhe kartona, fillo të krijonte dhurata të vogla.

Në mungesë të një ambienti ku të punonte, vendosi ta kthente dhomën e saj në ‘atelie’. Aty Nada filloi të krijonte kuti dhuratash të dekoruara me kujdes e dashuri, me dekor të pasur dhe ngjyra te gjalla. Produktetet i punonte në kanavacë  dhe ishin të personalizuara. Kjo ishte një risi për tregun shqiptar në vitin 2017. Me punët e krijuara ditë pas dite, Nada vendosi të hapte një faqe në Instagram: NADA_GIFT_BOX për t’i reklamuar prodhimet e saj dhe për të gjetur treg shitjeje.

NADA_GIFT_BOX u përball me vështirësitë e para, pasi Nada ishte veçse një nxënësje me buxhet modest dhe të pamjaftueshëm për të siguruar lëndën e parë. Nga ana tjetër familja nuk e mbështeste idenë që vajza të angazhohej dhe të shpenzonte kohë ‘me cikërima’, duke i kërkuar që të hiqte dorë dhe të fokusohej tek shkolla dhe më pas tek karriera e saj.

Por Nada nuk u dorëzua. Ajo ndoqi pasionin e saj për të krijuar gjëra të bukur dhe dalëngadalë marka NADA_GIFT_BOX filloi të sigurojë klientët e parë. Produktet po shiteshin dhe filluan porositë për produkte të personalizuara. Por edhe këtu do haste vështirësi të tjera. Transportin e produkteve tek klienti e bënte vetë, sepse nuk kishte një person apo agjenci për këtë shërbim. Dhe sa herë merrte porosi, Nada i hipte biçikletës dhe shkonte tek klienti për t’i çuar produktin.

Në të njëjtën kohë Nada ishte e angazhuar me studimet,  menaxhimin e faqes NADA_GIFT_BOX, krijimin e punimeve, transportin e tyre. Kur filloi të shihte se punimet e saj po zgjonin interes vendosi të të kalonte në një fazë tjetër, më profesionale dhe u regjistrua në një kurs për grafik desing, i cili do ta ndihmonte që postimet dhe punimet t’I bënte më profesionale dhe më tërheqëse për klientin.

Një ditë një klient i kërkoi të bënte arredimin e një ambienti për një ngjarje familjare. Nada u befasua sepse nuk ishte marrë kurrë më parë me arredim, por vendosi ta pranojë porosinë duke dashur të sfidojë veten. Nga ajo ditë Nada e ka zgjeruar gamën e produkteve dhe shërbimeve që ofron.

Tashmë sipërmarrja online e Nadës është konsoliduar, por ajo synon që të ketë edhe një dyqan ku të trasferojë atelienë e saj dhe të kontaktojë drejtëpërdrejtë me klientët. Vështirësitë dhe sfidat vazhdojnë dhe Nada ka vendosur të përballet me to për ta çuar përpara biznesin e saj. 

 

Promovimi i vajzave dhe grave sipërmarrëse në kuadër të projektit GWES - Sinergjia për fuqizimin e vajzave dhe grave financohet nga Ambasada e Holandës në Shqipëri, në kuadër të Fondit të të Drejtave të Njeriut 2022. Projekti GWES po zbatohet nga Qendra Kombëtare për Shërbimet Komunitare dhe Së bashku për Jetën.