Anëtarët

Borana Dollanga



Borana Dollanga është 29 vjeç, me origjinë nga Elbasani. Ajo është themeluese e një biznesi të vogël “Bora’s Concepts”, krijuese e bizhuterive dhe produkteve handmade me lule natyrale të thara, të ruajtura në rezinë.

Bora është diplomuar në Master i Arteve të Bukura në Universitetin e Arteve Tiranë.

Gjatë periudhës së studimeve, Borana, për të mbuluar shpenzimet filloi punë me kohë të plotë në një fushë tjetër dhe ndërkohë, pasditeve, gjatë kohës së lirë ndiqte pasionin e saj për krijimet Artistike.

Bora’s Concepts lindi si një ide për t’ju dhënë jetë krjimeve të realizuara. Pasioni i saj për këtë fushë nisi nga dashuria për lulet, dëshira për t’u përkujdesur për to dhe për t’i ruajtur ato të gjalla si edhe nga impakti i menjëhershëm pozitiv që i dha të rënit në kontakt për herë të parë me lule të ruajtura në materialin e rezinës gjatë një vizite në Afrikën e Jugut. Që prej asaj dite ajo nisi të krijonte bizhuteri me lule natyrale të thara, me rezinë.

Fillimi i kësaj eksperience të re nuk ishte i lehtë për të, pasi gjatë procesit u has me shumë dështime në krijimin e produktit të dëshiruar, por vështirësitë nuk e penguan të vazhdonte të provonte derisa e me kalimin e kohës mësoi procesin hap pas hapi dhe mësoi se si “t’ja merrte dorën” dhe t’i jepte formë artit të saj përmes formësimit të rezinës.

Krijimet më të mira, filloi t’i postonte në rrjetet sociale personale dhe personat e parë që e mbështetën duke blerë krijimet e saj ishin miqtë e saj artdashës. Në Dhjetor të vitit 2018 vendosi që t’i jepte formë nismës së saj krijuese, duke e konkretizuar si një sipërmarrje të re eksperimentale të emërtuar Bora’s Concepts. Në periudhën e Krishtlindjeve, me ndihmën e një kolegeje, gjatë kohës që punonte në Galerinë Kombëtare të Arteve filloi që të shiste kartolina të punuara me dorë në akuarel e në vijim filloi të krijonte në bazë të kërkesave të personalizuara.

Gjatë vitit 2020, ajo u shpërngul për të jetuar në Afrikën e Jugut. Përgjatë periudhës së pandemisë iu përkushtua edhe më shumë krijimit të sasive më të mëdha të bizhuve me rezinë, duke e patur si angazhim në plan të parë. Një shtysë e rëndësishme për të ishte edhe pjesëmarrja në disa Crafts Market dhe kërkesat për krijimet e saj që po vinin gjithmonë e më shumë në rritje. Fitimet që arriti nga shitjet e krijimeve, e ndihmuan që të paguante edhe tarifën e Masterit. Gjthashtu, shkollimi i saj e ndihmoi edhe në realizimin e brandit të biznesit.

Momentalisht, duke jetuar midis Shqipërisë dhe Afrikës së Jugut, Bora’s Concepts mbetet ende një biznes i vogël që operon në kohë të lirë. Duke qënë një biznes i vogël, një ndër sfidat është edhe gjetja dhe ngritja e klientelës së re, por edhe përfshirja apo fuqizimi i klientelës së vjetër. Dikush mund të blejë një ose dy palë vëthë, të ruajë në rezinë buqetën e martesës apo një lule tjetër nga një moment tjetër i veçantë, por porositë nga ata klientë nuk janë në vazhdimësi. Gjithashtu, materialet e punës kanë kosto financiare sepse porositen nga jashtë dhe çdo produkt final handmade do kohën dhe koston e tij të punës në përgatitje, por jo gjithmonë hasesh me mirëkuptimin e klientit. Megjithatë, është munduar t’ja dalë mbanë këtyre sfidave me pozitivitet dhe përkushtim.        

“Misioni i Bora’s Concepts është të kthejë në të përjetshme lulet e preferuara apo buqeta të një momenti të gëzuar në jetën e gjithsecilit ne varëse, vathë dhe aksesorë dekorativë,” deklaron Bora.

Vizioni i Borës është që të udhëtojë dhe krijojë. Aktualisht, ajo është gjithashtu duke punuar në një program edukativ mbi realizimin e krijimeve të ndryshme artistike, duke dashur kështu të kontribuojë në përçimin e këtij pasioni artistik tek të tjerë të rinj që dëshirojnë të jenë krijues dhe ta mësojnë këtë formë të veçantë të krijuari artistik. Gjithashtu, një ndër synimet e programit është edhe mundësimi i një të kuptuari më të qartë të këtij procesi në tërësinë e tij dhe sfidave me të cilat përballen krijuesit. Momentalisht është në proces të krijimit të mundësisë për të gjetur fonde mbështetëse me synimin për pasuruar website-in e saj, ku mund të promovojë produktet në mënyrë më profesionale, si edhe për të ndarë materialet e edukimit artistik që ajo harton për krijues të rinj, përmes videove tutoriale.    

“Bora Concepts më ka udhëhequr dhe edukuar mbi menaxhimin e një biznesi të vogël, e duke qënë “one woman show” më ka “detyruar” të bëj kurse të vogla mbi ekonominë dhe menaxhimin e projekteve, rrjetet sociale, prezantimin etik të brandimit, komunikimi dhe ligjet që i referohen Artit vizual. I gjithë ky rrugëtim u mundësua me ndihmën e familjarëve, miqve dhe kolegëve të mi, të cilët janë të gatshëm për të blerë krijimet handmade dhe ju jam përzemërsisht mirënjohëse”, thotë Bora për Women in Busines

Promovimi i vajzave dhe grave sipërmarrëse në kuadër të projektit GWES - Sinergjia për fuqizimin e vajzave dhe grave financohet nga Ambasada e Holandës në Shqipëri, në kuadër të Fondit të të Drejtave të Njeriut 2022. Projekti GWES zbatuar nga Qendra Kombëtare për Shërbimet Komunitare dhe Together for Life.