Media & PR

VIKTIMAT E NGACMIMIT SEKSUAL NË PUNË, QOFSHIN GRA APO BURRA, VUAJNË NGA BULLIZMI BAZUAR NË STERIOTIPET GJINORE


Ngacmimet seksuale në vendin e punës në optikën e psikologes Anxhela Peza


Ngacmimi seksual në vendin e punës është një çështje serioze, që ndikon tek të gjithë ne. Fenomeni është mjaft i përhapur edhe në vendin tonë. Sipas studimit të kryer nga shoqata Together for Life me mbështetjen e ambasadës së Vendeve të Ulëta në Tiranë rezulton se 11% e të anketuarve pranojnë se kanë përjetuar ngacmim seksual në vendin e punës të paktën një herë në dy vitet e fundit , nga të cilët 15.4% gra dhe 7.4% djem dhe burra.

Pasojat e ngacmimeve seksuale tek individët mund të jenë serioze. Viktimat që ngacmohen seksualisht  në punë e vuajnë gjatë efektin psikologjik të dëmit të ngacmimit. Dhe jo vetëm viktima. Familja e tyre, miqtë dhe njerëzit që janë dëshmitarë të situatës vuajnë dhe ndjejnë pasojat gjithashtu.

Referuar studimit të TFL-së, 80% e viktimave të ngacmimit seksual në vendin e punës nuk kanë ngritur asnjë ankesë për shkak se kanë turp të raportojnë, nuk kanë besim se do të gjejnë zgjidhje apo kanë frikë nga paragjykimet dhe përgojimet.

E gjithë kjo sjell shqetësime psikologjike, përkeqësim të shëndetit mendor, cënim  të mirëqenies dhe  mungesë efektiviteti në punë.

Për të kuptuar më shumë rreth situatës së përhapjes së këtij fenomeni në shoqërinë shqiptare, bazuar edhe në gjetjet e raportit më të fundit të TFL, zhvilluam një intervistë me psikologen Anxhela Peza.



Ngacmimi seksual në vendin e punës është një fenomen që po diskutohet masivisht. Raporte, por edhe figura publike kanë sjellë në ekran shifra dhe histori personale rreth ngacmimeve seksuale në vendin e punës apo në këmbim të punës. Pse ky fenomen është kthyer tani në qendër të opinionit publik?



Një nga treguesit  kryesorë  të statusit shoqëror të një personi  është ai ekonomik. Shoqëria dhe ekonomia shqiptare vuan nga një tranzicion i gjatë , i cili reflektohet në të gjitha fushat. Të sigurosh një punë të përshtatshme dhe në përputhje me aftësitë është e vështirë dhe pothuaj e pamundur. Vendi i punës sigurohet kur ke dhënë kontribute në parti, kur e blen me para apo kur je e dashura dikujt kundrejt atij vendi. Një pakicë janë për meritokraci, për zotësinë e tyre në punë dhe për domosdoshmëri, pasi puna ka nevojë dhe për profesionistë për të ecur përpara. Dhe kjo kategori bën punën e 3-4 punojësve njëkohësisht. Po ka dhe institucione të cilat drejtohen nga njerëz të drejtë.

 Masivizimi i ngacmimeve seksuale është “normalizimi” i këtij fenomeni. Nëse dëgjojmë për këtë nuk bën përshtypje. Përkundrazi njerëzit nuk vonojnë të bëjnë llogari mbi këtë fenomen: “Pse mos ta ketë të dashur, më mirë një drejtor, kryetar apo tjetër, sesa dikë që nuk të ofron asgjë”. Morali po sfumohet gjithnjë e më shumë. 


Duket se gjëra po ndryshojnë. Po diskutohet për fenomenin dje dhe sot. A është tepër vonë për të folur rreth ngjarjeve që përfshijnë ngacmimet seksuale në punë të ndodhura kohë më parë? 

               

Shumë gjëra nuk janë më tabu, as divorci, as tradhëtia, as ndarjet e as të pasurit disa partnerë në jetë. Pra, shoqëria është emancipuar. Ama emancipimi ka brenda dhe riskun e degjenerimit. Të dyja këto ngatërrohen si koncepte. Ose keqpërdoren qëllimisht për të justifikuar.

 

Kalon koha dhe dikush që ka qenë i ngacmuar apo i abuzuar nuk ka droje ta shprehë hapur këtë gjë. Këtu duket paksa kontradiktore pasi shumë të tjerë prej turpit durojnë shumë më shumë.


Pse po ndodh kjo?



Ndodh sepse kanë parë se kjo po funksionon rëndom në shoqërinë tonë. Dhe kur kjo nuk kërkohet, njerëzit vetë-ofrohen. Akoma më keq kur nuk ndodh të akuzojnë, pasi domosdoshmërisht kështu është.


Denoncimet për ngacmimet seksuale në vendin e punës në Shqipëri janë të ulëta, edhe pse fenomeni është i përhapur, sipas një studimi të organizatës Together for Life. Pse viktimat ende ngurrojnë të denoncojnë?



Është e vështirë gjetja e provave dhe marrja përsipër e një denoncimi. Pasi shumë raste të tilla përfshijnë vetëgjyqësinë.  Nuk duan të kenë një “damkë” në jetën e tyre, kur bëhet fjalë për një shoqëri kaq paragjykuese sa kjo e jona. Të indentifikohen me një histori ngacmimi nuk është e lehtë, sepse gjithçka mund të ketë nisur si një flirt i pranuar nga të dyja palët dhe, më pas, njëra nga palët ka tentuar të avancojë pa miratimin ose edhe kur ka hasur refuzimin e palës tjetër. Pra edhe viktima mund ta ndjejë veten të përfshirë deri diku.

Frika e prishjes së familjeve të ndërtuara si nga ana e viktimës dhe nga ana e abuzuesit është ajo që i step më së shumti viktimat për të denoncuar.


Raporti i TFL evidenton se nuk janë vetëm femrat pre e ngacmimit seksual në vendin e punës. Të dhënat tregojnë se edhe meshkujt në vendin tonë janë pre e këtij fenomeni. Cili është komenti juaj?



Të gjitha përgjigjet e mia nuk kanë dallim gjinor. Më pak a më shumë flasin statistikat. Ndoshta meshkujt për arsye kulturore ose përfaqësimit të një egoje “bullizuese” nga shoqëria jonë që nuk mund ta perceptojnë mashkullin si viktimë e ngacmimeve seksuale. Një mashkulli i takon të ngacmojë, të ketë një të dashur, dhe këto jo vetëm pranohen por edhe përshëndeten si karakteristika të një mashkulli të vërtetë. Mendoj se çdokush ka qenë të paktën njëherë në jetë i ngacmuar, apo i provokuar seksualisht në ambient pune.


Cilët mendoni se janë disa nga faktorët që ekspozojnë dikë ndaj ngacmimit seksual në vendin e punës?


Ngacmimi seksual në vendin e punës është një fenomen global. Ndoshta komploti i interesave. Të tjerat mbeten parime, norma, moral individual.


Sipas eksperiencës suaj çfarë mund të konsiderohet ngacmim seksual?  


Çdo gjë me përmbatje seksuale. Kam lexuar diku se në Amerikë edhe komplimenti është i ndaluar në vendin e punës.


Si ndikon ngacmimi seksual në vendin e punës në gjendjen mendore të viktimës?


Presioni për vendin e punës është i lartë. Në varësi të kërcënimit dhe pasojës rritet vështirësia psiko-emocionale. Siç dihet, nëse një kryefamiljar mbetet pa punë familja rrezikon mirëqënien e përgjithshme.


 Po shenjat fizike cilat janë?


Shenjta janë komplekse dhe këtu po rendis disa prej tyre: rënie e rendimentit të rezultateve në punë, refuzim për të shkuar në punë, izolim personal, stres, axhitime dhe shpërthime emocionale, shtimi i simptomave psikosomatike si: dhimbje koke, stomaku, këputje fizike etj.


A mund ta dallojmë një viktimë të ngacmimit seksual, edhe pse nuk shprehet?


Personat e afërm të viktimës, të cilët njohin më mirë atë arrijnë të marrin me mend se mund të bëhet fjalë dhe për këtë fenomen.


Si mund ta mbështesim dikë që është ngacmuar seksualisht?


Pasi kemi njohur situatën e vlerësojmë atë nga të gjitha anët. Duke marrë parasysh Kodin e Punës, ligjet për mbrojtjen në vendin e punës, ofrojmë mbështetje për të denoncuar. Suporti familjar dhe shoqëror është shumë i rëndësishëm. Pa patur këtë mbështetje viktima nuk ndërmerr dot asnjë hap.


Sipas jush a ofrohet në vendin tonë mbrojtje e nevojshme për viktimat dhe denoncuesit e ngacmimit seksual?  


Teorikisht po. Dhe ka patur raste të suksesshme për të penalizuar këtë fenomen. Por, tek ne qëndron frika e vetëgjyqësisë dhe paragjykimit. Kur diskutohet për raste të ngacmimit seksual dhe viktima është një vajzë ose një grua komente shoqëruese më së shumti janë: “Ia ka patur vetë qejfi”. Në rastet kur viktima është një djalë ose një burrë, mbizotërojnë komentet e tipit: “Aman çfarë burri,  e paskan ngacmuar”.


A keni pasur raste të tilla, që kanë kërkuar asistencë psikologjike?                              


Të kësaj natyre jo. Pra që viktima ta ketë refuzuar ngacmuesin. Por kam trajtuar raste ku viktima është përfshirë në një marrëdhënie në punë ‘me dëshirë’, e shtyrë nga nevoja ekonomike.


Cilat do të ishin sugjerimet tuaja për përmirësimin e situatës?  


Mendoj se njeriu fle më i qetë kur ka dinjitet dhe kur nuk përfshihet në situata të reja imorale dhe interesash të pista. Të ruash shëndetin mendor personal sjell familje të shëndetshme e më pas shoqërinë tonë. Përgjegjësia është individuale si fillim. Më pas do cilësoja mediat, të cilat e kanë kthyer në reklamim degjenerimin dhe normalizimin e seksualitetit të hapur. Ndaj kemi situata kontradiktore.