Media & PR

Artistike Zadrima mes sfidave dhe suksesit. Tereze Gega: Bashkia e Lezhës i vetmi institucion që na ka konsideruar


Lezha është e njohur për zejtarinë, kryesisht për prodhimin e tekstileve në tezgjah. 30 vite më parë në Zadrime të Lezhës nis historia e një prej sipërmarrjeve artizanale më të njohura në Shqipëri. Ndërmarrja 'Artistike Zadrima' daton në vitin 1993, kur në fshatin Blinisht mjeshtrja Tereze Gega filloi të punonte në tezgjah, duke krijuar tekstile unike. Sot, 'Artistike Zadrima' punëson 13 gra, shumica e të cilave punon nga shtëpia, ndërsa të tjera, përfshirë Terezen, punojnë në dyqan.

Si shumë biznese të tjera, edhe sipermarrja artizanale "Artistike Zadrima" është përballur me shumë sfida, por ia doli që në 30 vite të njohte vetëm rritje. Në këtë intervistë, Tereza thotë se i vetmi institucion publik që e ka mbështetur atë dhe shumë biznese të tjera në Lezhë ka qenë Bashkia, nëpërmjet promovimit të vlerave unike të produkteve të prodhuara nga ajo dhe gratë artizanale që punojnë në ndërmarrjen 'Artistike Zadrima'. 

Çfarë përfaqëson artistike Zadrima?

Tereze Gega: Artistike Zadrima është një sipërmarrje e krijuar para 30 vitesh në zonën e Zadrimës në Lezhë që është e fokusuar tek ruajtja dhe zhvillimi i traditësn. Në këto vite kemi trajnuar mbi 100 gra e vajza nga rrethinat e Lezhës, shumica prej të cilave janë punësuar pranë Artistike Zadrima dhe të tjera janë vetëpunësuar ose punësuar në ndërmarrje të tjera, kryesisht fasoni. Sot aktualisht kam 13 punëtore që punojnë më këtë ndërmarrje. Numri i grave të angazhuara me punë rritet sa herë kemi porosi të mëdha. Gratë nuk kanë orar në këtë punë. Ato punojnë nga shtëpia dhe e menaxhojnë vetë kohën e tyre mes angazhimeve brenda familjes dhe punës. Unë u jap copën, u jap modelin dhe i tregëtoj produktet që gratë prodhojnë. Artistike Zadrima, në 30 vite ka njohur vetëm rritje. Si krijuese e një sipërmarrjeje artizanale në gjithë këto vite nuk kam arritur të pasurohem, por asnjëherë nuk kam mbetur pa punë dhe jam shumë e kënaqur.

Sa ka ndikuar kjo sipërmarrje tek gratë e zonës?

Tereze Gega: Ndikimi ka qenë i madh sepse në zonat rurale të Lezhës gratë janë shtëpiake që merren me punët e shtëpisë dhe me kujdesin ndaj anëtarëve të familjes. Dikush kujdeset për fëmijët, një tjetër kujdeset për ndonjë të moshuar. Njëra prej grave që punon këtu, 40 vjeçe, kujdeset për dy të moshuar në shtëpi, nënën dhe vjehrrën, të dyja të verbëra. Kujdeset për to gjithë kohën, ndërkohë që punon edhe në tezgjah. Gratë nuk dalin nga shtëpia të punojnë. Ndaj puna në Artistike Zadrima u përshtatet më së miri kushteve dhe nevojave të tyre. Nuk kanë nevojë të dalin nga shtëpia që të punojnë dhe njëkohëshit krijojnë të ardhura me punën e tyre.

Si është situate ekonomike e grave në rrethinat e Lezhës?

Tereze Gega: vijnë nga familje me të ardhura të ulta. Madje në ndërmarrjen time nuk punojnë vetëm gratë. Këtu madje, punon një familje, të gjithë anëtarët e saj: nëna, vajza, djali, nusja, të gjithë familjarisht. Punon e gjithë familja nga shtëpia. Edhe pse nuk i bën të pasur, puna e dorës është e bukur dhe u krijon të ardhura të sigurta me të cilat arrijnë të përmbushin një pjesë të mirë të nevojave personale dhe të familjes. Gratë janë të kënaqura nga puna në Artistike Zadrima, por edhe une jam e kenaqur nga nga angazhimi i tyre. Një zonjë ka filluar punë pranë kësaj ndërmarrje që në krijimin e saj 30 vite më parë dhe vazhdon sot e kësaj dite. Unë nuk kam nevojë me i ndërrue punëtoret. Ne jemi të kënaqura me njëra-tjetrën.

Po vajzat e reja a kanë interes për punimet e dorës, për artizanatin?

Tereze Gega: Vajzat e reja i pëlqejnë shumë punimet e dorës, por nuk tregojnë shumë interes që të angazhohen në prodhimin e tyre, sepse puna e dorës është e lodhshme. Të duhet të bësh me dorë punën që bën makinerija. Jo vetëm në Shqipëri, por kudo në Europë ka rënë interesi për t’u marrë me punë dore. Janë të rrallë njerëzit në Europë që endin pëlhura në tezgjah. Tashmë produktet artizanale prodhohen kryesisht në vendet aziatike.  

Sa i interesuar është tregu europian për produktet artizanale?

Shumë. Kam marrë pjesë në panairin botëror në Milano, ku kam shkuar me dy valixhe të mëdha me produkte të cilat i shita për 1 orë. Megjithatë, ne konkurojmë me produktet e fabrikave që sigurisht kanë kosto të ulët. Para disa vitesh fillova të prodhoj mëndafshin. Me mëndafshin e prodhuar bëja shalle, por një shalli arrinte të shitej deri në 30 mijë lekë (të reja) ndërsa kostoja ishte më e lartë. Paraqita një projekt për mbjelljen e manit në zonën e Zadrimës, pasi aty ka qenë traditë kultivimi I krimit të mëndafshit dhe I manit, që është ushqimi bazë. Arrita të sigurojë edhe manin në Bullgari dhe krimbin e mëndafshit në Itali. Do të ishte një ndërhyrje e bukur, sepse greatë e Zadrimës e kanë pasur në traditë që herët kultivimin e fshikëzës së mëndafshit dhe prodhimin e fijes. Por institucionet përgjegjëse nuk e mbështetën me fondet e duhura këtë ide. Tani unë e marr mëndafshin nga Azia dhe me këtë lëndë të parë, prodhoj shalle mëndafshi të endura në tezgjah.

Në 30 vite, a është hasur me sfida të tjera Artistike Zadrima?

Tereze Gega: Jemi përballur me shumë sfida si çdo biznes. Ashtu siç e theksova artizanati nuk është nga ato biznese që të pasuron ndaj edhe rreziqet janë janë më të mëdha. P.sh. pandemia e Covid-19 i goditi të gjitha bizneset, por ne veçanërisht u përballëm me vështirësi shumë të mëdha. Edhe rritja e çmime është një goditje që na krijon shumë problem në ecurinë e biznesit. Por, pavarësisht vështirësive, ia kemi dalë të mbijetojmë dhe të ringrihemi dhe ky është një sukses. Që pas Covid vazhdojmë të punojmë vetëm me porosi, punojmë online. Deri në Ekuador kanë shkuar produktet tona. Prej vitesh punojmë me Italinë, kryesisht për prodhimin e veshjeve të priftërinjve. Me tregun kosovar punojmë shumë. Por kemi porosi të shumta edhe nga zona të ndryshme të Shqipërisë. Janë të shumta restorantet në të gjithë vendin që porositin tek Artistike Zadrima mbulesat e tavolinave dhe pecetat që prodhohen prej bezeje të punuar në tezgjah.

A keni pasur mbështetje nga institucionet si një grua sipërmarrëse?

Tereze Gega: Ka programe që mbështesin gratë sipërmarrëse, por unë nuk kam marrë asnjë mbështetje deri tani. Kam apliku në shumë thirrje por nuk jam mbështetur asnjëherë. Biznesin tim e konsiderojnë mjaftueshëm të qëndrueshëm, me sa duket. E vetmja që na konsideruar, ka qenë Bashkia e Lezhës. Edhe pse nuk kemi përfituar mbështetje financiare, bashkia ka bërë ‘reklamë’ për produktet tona. Madje velin e nusërisë për vajzën, kryetari i Bashkisë Pjerin Ndreu e porositi tek unë. Pas atij veli, që ishte i pari që prodhoja, kam marrë edhe porosi të tjera. Po ashtu, bashkia ka organizuar disa panaire si në Kosovë, ashtu edhe Lezhë, ku bashkia mori përsipër edhe mbulimin e shpenzimeve për pjesëmarrësit, përfshi artizanët. Megjithëse unë jam një sipërmarrje e konsoliduar dhe e kam tregun të sigurt, kam marrë pjesë në panairet e organizuara nga Bashkia.

Nëse do të të thërriste bashkia dhe do të të pyeste cilat janë nevojat e tua për mbështetje, çfarë do të kërkoje?

Tereze Gega: Heqja e taksës së bashkisë për artizanët do të ishte njëra prej tyre. Unë kam 4 vite që jam pensioniste, drejtoj një sipërmarrj ku kam gra të punësuara. Vazhdoj t’i paguaj taksa bashkisë. Por, nuk kemi bërë asnjë kërkesë deri tani as për ulje dhe as për heqje taksash.

Si e parashikoni të ardhmen e biznesit tuaj?

Tereze Gega: Biznesi do të kalojë në duart e djalit dhe të nuses. Gratë e punësuara do të jenë siguria e të ardhmes së Artistike Zadrima. 


“Integrimi gjinor në politikat socio-ekonomike të bashkive në qarkun e Lezhës”, projekti i zbatuar nga Together for Life, është mbështetur nga Reactor - Research in Action dhe partnerët e tyre përmes Aksionit "Përforcimi i Barazisë Gjinore përmes Procesit të Anëtarësimit në BE". Ky Aksion financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancohet nga Suedia.

Ky publikim është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe bashkëfinancuar nga Suedia. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Together for Life dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian ose Suedisë.