Shërbime

Biznesi social “Sa-Punë”, për zejen që po zhduket dhe për gratë që duhet të ndihmohen


Me qëllim zbutjen e varfërisë dhe shkollimin e fëmijëve të të gjitha komuniteteve në Fushë-Kosovë, prej 7 vitesh operon biznesi social Sa-Punë. Ky biznes social filloi në kuadër të ‘The Idea Partners’, vullnetarët e së cilës merren me arsimim, trashëgiminë kulturore dhe sfidat mjedisore në Kosovë dhe Rajon, pa përkatësi politike apo fetare. Përmes trajnimit dhe punësimit të grave dhe vajzave, arrihet edhe shkollimi i fëmijëve të tyre, pasi grave që mbështeten me punësim u kërkohet të dërgojnë fëmijët në shkollë, duke synuar kështu uljen e varfërisë dhe analfabetizmit, si dhe zvogëlimi e dukurisë së kërkimit të lëmoshës. Gratë e punësuara në biznesin social ‘Sa-Punë’ merren me punëdore kryesisht me materiale të riciklueshme dhe fitimet nga shitje e produkteve të prodhura prej tyre rinvestohen brenda biznesit. ‘Sa-Punë’ synon që, përmes trajnimeve të grave dhe vajzave, t’i përgatisë ato për tregun e punës, si dhe advokon për punësimin e grave edhe jashtë biznesit të tyre. Gratë tashmë kanë prodhuar dhe shitur mijëra produkte filigrani, shumë prej të cilave edhe për tregun e huaj, duke kontribuar në promovimin e Kosovës në Botë. Produktet që ofrohen në ‘Sa Punë’: Tote Bags, shfletues filigrani per libra, kuketa filigrani, qirinj me veshje filigrani, çanta lavandre dhe kartolina me filigran.