Anëtarët

Jana, the master of ceramics from Krajen of Lezha



Jana dhe Vasil Kukaj janë mjeshtra të punimit të qeramikës. Në punishten e tyre ‘Studio Qeramike Vasili’ që ndodhet në Krajen të Lezhës çifti duarartë prodhon një larmishmëri produktesh prej qeramike, që nga ato të përdorimit të përditshëm, e deri tek objektet e zbukurimit. Vasili e mori profesionin nga një prift misionar, pater Antonio, i cili shërbeu në atë zonë që në fillim të viteve 90. Më pas Vasili e perfeksionoi profesionin në Itali, ku ndjek një shkollë profesionale për punimin e qeramikës. 

Vasili kthehet në atdhe dhe në vitin 2004 brenda ambienteve të shtëpisë në Krajan hap një punishte të vogël qeramike. Profesionin ia mësoi edhe bashkëshortes. Jana prej 21 vitesh është jo vetëm bashkëshortja e Vasilit dhe nëna e dy djemëve të tyre, por edhe kolegia e Vasilit. Së bashku punojnë gjithë ditën në punishte. Jana është pa dyshim shpirti i Studios Qeramike. Ajo jo vetëm prodhon objektet me forma nga më të larmishmet, por i dekoron ato me motive që variojnë nga ato tradicionale të zonës, tek pikturat të spikatura të autorëve të njohur, e deri tek ato floreale, zoomorfe, etj.  Lëndën e parë e sigurojnë në zonë dhe të gjitha proceset e punës, që nga përpunimi I baltës, prodhimi, pjekja dhe dizenjimi i produkteve kryehet me dorë. 

Jana ka dëshirë të eksperimentojë dhe çdo ditë provon të realizojë një model të ri, të krijojë një dizajn të ri.  

Produktet e prodhuara nga çifti Kukaj tashmë kanë gjetur treg jo vetëm në të gjithë vendin, por edhe përtej kufijve.