Anëtarët

Mimi Memiaj



Mimi Memiaj ka qenë përherë e dashuruar më të bukurën, të renë, të ardhmen. Prej kohësh është endur mes stilistes dhe sipërmarrëses dhe në të dyja fushat ka spikatur. E arsimuar për ekonomik, pasioni për veshjet e shtyu të studiojë për stiliste dhe arte, duke ndjekur shkolla dhe kurse të specializuara në mbarë botën. Ka prodhuar shumë veshje për fëmijë e të rritur me modele unike. Lënda e parë e preferuar ka qenë shajaku i përpunuar në mënyrë artizanale, me të cilin ka krijuar pallto dhe kapele sa klasike, aq edhe moderne. Veshjet e krijuara nga Mimi Memiaj kanë tërhequr përherë vëmendjen brenda dhe jashtë vendit.

Vitet e fundit Mimi sipërmarrëse konkurron me Mimin krijuese, duke i dhënë avantazhin të parës. Tashmë ajo ka ngritur qendrën e aftësimit profesional Albania Craftsman Education (ACE) në Tiranë, në të cilin të rinj e të reja nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, por edhe mbarë Rajoni ndjekin kurse të ndryshme dhe specializohen në  një gamë të gjerë profesionesh. Në ACE kursantëve të interesuar u ofrohen jo vetëm kurse profesionale, por edhe mundësia për të krijuar dhe realizuar projekte madhore artistike, kulturore e sociale. Në qendrën ACE të drejtuar dhe menaxhuar nga Mimi Memiaj ofrohen 16 kurse profesionale, duke filluar nga stilist, modelist, qendistar, shajakpunues, dizenjues, prodhues aksesorësh dhe bizhuterish, e deri tek vitrinist (dizenjues vitrinash) dhe dekorator.
Dhe Mimi ofron më të mirën për të gjithë të interesuarit dhe të pasionuarit, sepse angazhon profesionistët më të mirë vendas dhe të huaj, të cilët u përcjellin të rinjve, jo vetëm njohuritë dhe aftësitë në një fushë të caktuar, por edhe pasionin për profesionin.